​Osmani e quan antikushtetuese lejimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë

Aktuale

​Osmani e quan antikushtetuese lejimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë

Më: 23 qershor 2020 Në ora: 17:02
Vjosa Osmani

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani e ka quajtur antikushtetuese lejimin për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, duke thënë se delegimi i sovranitetit te misioni i OSBE-ja për organizimin e zgjedhjeve parlamentare të një shteti fqinj në Kosovë, nuk është në përputhje me Kushtetutën.

Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, Osmani tha se me lejimin e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve, ekzekutivi ka shkelur vullnetin e legjislativit ku përmes një rezolute në vitin 2012 ka kërkuar që të mos mbahen zgjedhjet serbe në Kosovë.

Osmani: Delegimi i sovranitetit tek OSBE për zgjedhjet serbe në Kosovë, s’është në përputhje me Kushtetutën

“Të delegohet sovraniteti tek OSBE-ja, pa ratifikim në Kuvend, nuk është në përputhje me Kushtetutën. Pyetja ime sot për qeverinë është kjo: Cila është baza ligjor dhe Kushtetuese, dhe cila konventë ndërkombëtare e lejon mbajtjen e këtyre zgjedhjeve. Do të mund të flisnim për praktika ndërkombëtare sikur të kishim marrëdhënie diplomatike me Serbinë dhe sikur ata të kishin ambasadë në Kosovë ku qytetarët me dy shtetësi do të mund të votonin. Meqenëse një gjë e tillë nuk ekziston, është mirë të sqarohet pse është shkelur vullneti i këtij Kuvendi i bërë i qartë në vitin 2012 për mos mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës”, tha Osmani.

Por kryeministri Hoti nuk është përgjigjur në pyetjet e kryetares Osmani, duke e injoruar atë tërësisht.

Hoti: Ju i dini të gjitha, po aq sa unë

“Ju të gjitha i dini, po aq sa unë! Unë e shfrytëzoj rastin t’i uroj deputetit Berisha nesër Ditën e komunitetit egjiptian!”, tha Hoti.

Të dielën e kaluar, në komunat me shumicë serbe në Kosovë janë mbajtur zgjedhjet nacionale serbe, nën organizimin e misionit të OSBE-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat