Hoti nuk tregon emrat e Këshillit të ekspertëve për dialogun me Serbinë

Aktuale

Hoti nuk tregon emrat e Këshillit të ekspertëve për dialogun me Serbinë

Më: 2 korrik 2020 Në ora: 13:07
Pamje e shkeputur nga video

(E plotësuar) -  Qeveria e Kosovës ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Ambasadën britanike lidhur me rekrutimin në pozita të larta drejtuese.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott tha se përvoja e kaluar tregon se rekrutimet në pozitat e larta vazhdon të mbetet sfidë për institucionet e Kosovës.

Abbott po ashtu tha se vazhdimi i kësaj marrëveshje ka qenë kërkesa e parë e kryeministrit Hoti.

Abbott: Rekrutimet profesionale sfidë për Kosovën

“Mbarëvajtja e marrëveshjes dhe puna e vështirë në fakt fillojnë pas nënshkrimit përvoja e kaluar tregon se rekrutimet profesionale dhe transparente vazhdojnë të mbesin një sfidë e madhe për Kosovën dhe institucionet e saj. Një sfidë e re është edhe përgatitjet profesionale dhe mënyra e centralizuar e rekrutimeve në administratë. Sipas ligjit të ri për zyrtarët publik ne jemi të gatshëm tu ndihmojmë në nivelin e lartë drejtues”, u shpreh Abbott.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se përmes kësaj marrëveshje do sigurojnë transparencë dhe konkurrueshmëri në procesin e rekrutimit.

Hoti tha se po ashtu se kjo mundëson edhe zgjidhjen e nepotizmit.

Hoti: Do sigurojmë transparencë dhe konkurrueshmëri

“Jemi zotuar që së bashku me partnerët tanë britanik të sigurojmë dy gjëra gjatë këtij procesi të rekrutimit e para transparencë të plotë në këtë proces dhe konkurreshmëri për të lejuar që njerëzit me përgatitje më të mirë dhe meritore të jenë në këto pozita. Sot po e përmbushim një zotim të rëndësishëm të qeverisë për tu siguruar që njerëzit që emërohen në pozita të larta publike lirohemi nga mania dhe problemi I nepotizmit dhe I problemeve të rikujtimit. Do kujdesemi personalisht bashkë me ambasadorin që marrëveshja të zbatohet pikë për pike”, theksoi ai.

Kryeministri Hoti i pyetur se a do t’i respektojnë rekomandimet e ekspertëve britanikëve, ai tha se “nëse ka një argument ligjor që dikush është caktuar në kundërshtim me ligjin, përgjegjësinë e marrë unë për të marrë veprimet e duhura”.

Marrëveshjen për rekrutimin e pozitave të larta drejtuese ambasada britanike e ka nënshkruar sot edhe me Kuvendin e Kosovës.

Hoti deklarohet për emërimet e shumta të zëvendësministrave, thotë se janë pjesë e marrëveshjes politike

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se së shpejti do të emërojë koordinatorin shtetëror për Këshillin e Ekspertëve për dialogun, të cilin e votuan dje në mbledhjen e qeverisë.

Duke mos i treguar emrat e të tjerëve që do të jenë pjesë e këtij Këshillit, Hoti tha se si qeveri do të raportojnë në Kuvendi për çdo zhvillim në procesin e dialogut.

Hoti: Këshilli i Ekspertëve për dialogun do të ketë së shpejti koordinatorin shtetëror

“Dje kemi formuar Këshillin e Ekspertëve brenda Zyrës së kryeministrit, i cili do të mbështesë profesionalisht procesin e dialogut, në krye të cilit në bazë të Kushtetutës është kryeministri i cili koordinon punën dhe bën ndërlidhjen edhe të forumit të liderëve të partive politike edhe të Këshillit të Ekspertëve, i cili do ketë një koordinator shtetëror për dialog, të cilin do ta emëroj së shpejti. Dhe mandej komunikimi me Kuvendin që është dakorduar që në baza të rregullta përmes një rezolute që pritet të kalojë në Kuvend, t’i raportojë Kuvendit për çdo zhvillim në procesin e dialogut”, tha Hoti.

Lidhur me emërimet e zëvendësministrave të shumtë nëpër ministri, kreu i ekzekutivit tha se kjo është pjesë e marrëveshjes politike.

Hoti: Ato janë emërime politike që bëhen sipas marrëveshjes

“Ato janë emërime politike, të cilat i bëjmë në bazë të marrëveshjeve politike me partnerët e gjithë koalicionit duke iu përmbajtur kritereve që i kemi vendosur në marrëveshje edhe numri i anëtarëve nëpër kabinete të ministrave dhe zëvendësministrave përcaktohet me rregullore të qeverisë“, tha ai.

Ndryshe, deri tani janë emëruar 46 zëvendësministra. Zëvendëskryeministri i parë Besnik Tahiri ka thënë se me projektligjin për Qeverinë është paraparë të jenë 15 ministri dhe dy të tjera në diskrecion të mandatarit. Derisa Qeveria synon që me ligj të saktësojë numrin e zëvendësministrave në rreth 40, ekzekutivi tashmë e ka tejkaluar këtë numër. 

****

Qeveria e Kosovës dhe Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë kanë nënshkruar sot një memorandum bashkëpunimi për emërimin e pozitave të larta drejtuese.

Ambasadori Nicholas Abbott tha se përvojat e kaluar tregojnë se rekrutimet vazhdojnë të mbesin sfidë e madhe për Kosovën dhe institucionet.

“Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë në nivelin e lartë drejtues. Raporte të auditorit kombëtar dhe gjetjet janë shenjë se institucionet kanë nevojë për njerëz profesionistë dhe me integritet. Suksesi i projektit do të jetë sukses i Kosovës dhe dështimi i projektit do të jetë dështim i Kosovës”, tha ai.

Kryeministri Avdullah Hoti tha se përmes kësaj marrëveshje synojnë të arrijnë transparencë dhe konkurrencë meritore për pozita të larta.

I pyetur për përbërjen e këshillit e ekspertëve për dialogun me Serbinë, Hoti nuk ka treguar emrat duke thënë se do të ketë edhe një koordinator shtetëror që do emërohet së shpejti.

Qeveria e Kosovës, dje ka marrë vendim për të themeluar Këshillin e Ekspertëve për dialogun me Serbinë, i cili do të funksionojë në kuadër të Zyrës së kryeministrit. Detyrë e anëtarëve të këshillit do të jetë përpilimi i analizave specifike dhe këshillimi i kryeministrit dhe qeverisë për çështjen e dialogut.

Dialogu Kosovë-Serbi është ndërprerë në fund të vitit 2018 për shkak të tarifës që kishte vendosur Qeveria e Kosovës ndaj mallrave serbe. Barrierat tregtare janë hequr dhe Bashkimi Evropian është shprehur se planifikon rifillimin e dialogut.

***

Qeveria nënshkruan memorandum bashkëpunimi me Ambasadën britanike për pozitat e larta drejtuese

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat