Qeveria nuk harton dokumentet lidhur me Ligjin për Prishtinën, Komuna thotë se ka nevojë për policinë e vet - Bota Sot
Qeveria nuk harton dokumentet lidhur me Ligjin për Prishtinën, Komuna thotë se ka nevojë për policinë e vet

Aktuale

Qeveria nuk harton dokumentet lidhur me Ligjin për Prishtinën, Komuna thotë se ka nevojë për policinë e vet

Më: 4 korrik 2020 Në ora: 13:38

Komuna e Prishtinës po kërkon me ngulm që të ketë policinë e vet. Por, kjo nuk po i mundësohet pasi Ligji për Prishtinën ende nuk ka gjetur zbatim. Në mars të vitit 2018, me 66 vota për, 1 abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës kishin votuar projektligjin për Prishtinën.

Projektligji për Qytetin e Prishtinës përmban gjithsej 10 nene. Pikat kryesore kanë të bëjnë me vetëqeverisjen lokale, si; kufijtë komunal, granti qeveritar, menaxhimi me objektet dhe terrenet sportive dhe zona metropolitane të Prishtinës. Por, zbatimi i këtyre neneve ka mbetur veç në letër tash e dy vite.

Nënkryetari i Prishtinës, Muhedin Nushi thotë për lajmi.net se ky projektligj i cili është shumë i rëndësishëm për kryeqytetin ka ngecur në Qeverinë e Kosovës.

“Gjatë qeverisjes së kaluar të zotëri Haradinaj e kemi marrë premtimin se më 20 mars do të vijnë udhëzimet administrative përmes së cilave ne do të fitonim të drejtën që të përpilojmë këtu në Komunën e Prishtinës rregulloret tona lidhur me policinë e qytetit. Prej ditës kur është aprovuar ligji për Prishtinën nuk ka lëvizur asgjë. Jemi në pritje e sipër, jemi duke bërë presion çdo herë ndaj të gjitha ministrive të cilat nuk i dërgojnë këto udhëzime administrative dhe në këtë aspekt nuk mund të themi se mund të trajtojmë këtë muaj apo atë muaj pa e marrë atë udhëzim administrativ”, tha Nushi për lajmi.net.

Përparësi e madhe për Prishtinën, do të jetë pasi me këtë ligj parashihet që kryeqyteti të ketë policinë e vet.

“Me polici të qytetit nuk mund të startojmë dhe kemi shumë nevojë për policinë. Kemi nevojë sepse i kemi projektet e parkingut që do të angazhojmë policinë e qytetit e në anë të kundërt jemi duke angazhuar inkasantë me pagesë ose me kontratë mbi vepër. Po ashtu e kemi në përfundim e sipër negocimin për sigurinë e qytetit për vendosjen e kamerave dhe prapë kemi nevojë shumë për policinë tonë, për policinë e qytetit, sepse policia e qytetit do të jetë vetëm ndihmesë për policinë e MPB-së. Por që për fat të keq nuk i kemi marrë këto udhëzime administrative edhe kjo është duke na shkaktuar pengesa të mëdha disa projekte të rëndësisë së sigurisë në qytet”, shtoi tutje ai.

Lajmi.net ka kërkuar një përgjigje edhe nga Qeveria e Kosovës për të mësuar se deri ku ka shkuar procedura e hartimit të Udhëzimeve Administrative që kanë të bëjnë më këtë ligj dhe se cilat janë ato udhëzime, por zyra e kryeministrit nuk ka kthyer përgjigje

Ndërkaq, në Ministrinë e Pushtetit Lokal kanë thënë se nuk kanë inflacione deri ku ka shkuar procedura e hartimit të atyre udhëzimeve, pasi në to janë të involvuara disa institucione.

“Pas miratimit të Ligjit për Prishtinën (Kryeqytetin) është paraparë edhe nxjerrja e disa akteve nënligjore/Udhëzimeve Administrative të cilat përkojnë me kompetencat e ministrive të linjës (ministrive të tjera) dhe deri më tani nuk kemi ndonjë informacion se ministritë tjera të linjës kanë filluar hartimin e akteve nënligjore që dalin nga Ligji për Kryeqytetin”, thuhet në përgjigjen e MPL-së për lajmi.net.

Kjo ministri thotë se në disa pika Ligji ka gjetur zbatueshmëri.

“Ligjit Nr. 06/L-012 për Kryeqytetin e republikës së Kosovës, Prishtinën, ka hyrë në fuqi në Qershor të vitit 2018. Zgjedhja e organeve të kryeqytetit si; kuvendi i kryeqytetit dhe kryetari i kryeqytetit, janë zgjedhur me ligjin për zgjedhjet lokale, si kryetar i Komunës së Prishtinës dhe Kuvendi i Komunës së Prishtinës, kurse këto organe kanë marrë mandatin e organeve të Kryeqytetit me hyrjen në fuqi të ligjit për Kryeqytetit”, thotë MPL.

Sipas kësaj ministrie, deri më tani nga ky ligj janë ndërmarrë këto veprime: Kryetari i Kuvendit të Kryeqytetit dhe Nënkryetari i Kuvendit të Kryeqytetit – Në përputhje me ligjin e Kryeqytetit, kuvendi i ka miratuar, kryetarin dhe nënkryetarin e kuvendit, ashtu siç është përcaktuar me ligjin për kryeqytetin. Po ashtu, nënkryetarët e Kryeqytetit dhe stafi mbështetës – Komuna e Prishtinës, ka dy nënkryetar të emëruar nga Kryetari i Prishtinës. Sipas MPL, Ndërmarrjet publike,  deri me tani është krijuar një ndërmarrje e tillë: Ndërmarrja publike për parkingjet.

“Shërbimet shëndetësore (neni 7. 1.2). Pra, kryeqyteti themelon spitalin e përgjithshëm të Kryeqytetit – Deri me tani ky obligim i paraparë me Ligjin për Kryeqytetin, nuk është realizuar. Mirëpo, projekti i spitalit në Kryeqytet aktualisht është i buxhetuar në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme (jo tek Ministria e Shëndetësisë) si vijon: a) 214391 – Departamenti i Standardeve dhe Politikave të IMNQ-së. b) Projekti dhe ndërtimi i Spitalit të Prishtinës, kodi i projektit 15732 për vitin 2020- të buxhetuara 1,000,000,00 euro për viti 2021 të buxhetuara 2,500,000.00 euro, viti 2023 të buxhetuara 5,000,000.00 euro në total vlera e projektit 8,500,000.00 euro”.

Sigurinë publike – Policia themelon Drejtorinë e Policisë për Kryeqytetin, organizimi dhe funksionimi i së cilës rregullohet me Ligjin për Policinë. MPL thotë se deri tani ende nuk është themeluar Drejtoria e Policisë për Kryeqytetin dhe për tu bërë kjo duhet të bëhet ndryshimi i ligjit për policinë.

Tek financimi i Kryeqytetit – Bazuar në ligjin vjetor të buxhetit për vitin 2020 Komuna e Prishtinës ka buxhet në total prej 91,579,504.00 euro. Bazuar në Qarkoren buxhetore të vitit 2021-01 granti shtesë për financimin e Kryeqytetit (prej 6%) në vitin 2020 ka financim shtesë prej 11.78 milion euro. Ndërsa, në vitin 2021 financim shtesë prej 11.42 milionë euro dhe në vitin 2022 financim shtesë prej 12.13 milionë euro dhe në vitin 2023 financim shtesë prej 12.89 milionë euro.

Statuti i Kryeqytetit – Kryeqyteti i Republikës së Kosovës, funksionon sipas mandatit të ligjit për Kryeqytetin dhe Statutin e Kryeqytetit. Por, kryeqyteti ende funksionon me statutin e Komunës së Prishtinës.

Prona e Kryeqytetit – Prona e luajtshme dhe e paluajtshme që është në pronësi të Komunës së Prishtinës me hyrjen në fuqi të këtij ligji, regjistrohet në pronësi të Kryeqytetit. MPL-ja thotë për lajmi.net se deri më tani vetëm Pallati i Rinisë është kthyer në menaxhim të Kryeqytetit të Prishtinës.

Ligji për Prishtinën është përmendur shpeshherë nga ish-kryeministri Haradinaj si një prej sukseseve të Qeverisë së tij.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat