Mbi 1 milion euro investime në QS, regjistrohen dëmet e shkaktuara gjatë karantinës

Aktuale

Mbi 1 milion euro investime në QS, regjistrohen dëmet e shkaktuara gjatë karantinës

Më: 16 korrik 2020 Në ora: 10:13
Behram Behluli

Kur kanë kaluar më shumë se gjashtë javë prej se është mbyllur karantina, në Qendrën e Studentëve në Prishtinë ka filluar renovimi i konvikteve. Pjesë e renovimeve do të jenë, konviktet numër 1,2,4,5 si dhe menza e studentëve.

Kështu ka bërë të ditur, Drejtori i Administratës në Qendrën e Studenteve, Behram Behluli, që theksoi se shuma e përgjithshme e planifikuar për investime është mbi 1 milion euro.

Behluli: Do të investojmë mbi 1 milion euro

“Ne mund t’ju informojmë se shuma e planifikuar për investime në qendrën e studentëve është më shumë se 1 milion euro. Punimet tani për tani janë duke u zhvilluar. Në konviktin 2 dhe 4 janë duke u rinovuar nyjat sanitare, në konviktin 1 dhe 5 është duke u kryer ngjyrosja e ambienteve të brendshme, në konviktin 4 është duke u kryer ngjyrosja e fasadës. Është duke u punuar në vendosjen e gypave të ujit sanitar për konviktet 4 dhe 5. Riparimi i nënstacioneve për ngrohje, të konvikteve të mensës, riparimi i pajisjeve me avull. Punime janë duke u zhvilluar në mensën e studentëve, riparime në ambientin e brendshëm, riparimi i një pjese të kulmit të mensës”, thotë ai.

Behluli shtoi se dëmtime në Qendrën e Studentëve kanë shkaktuar edhe personat të cilët ishin vendosur aty gjatë kohës së karantinës. Derisa thotë se të gjitha dëmet që janë shkaktuar gjatë kohës së karantinës janë regjistruar.

Behluli: Kemi regjistruar të gjitha dëmet që janë shkaktuar sa QS ishte karantinë

“Ka pasur dëmtime të cilat i kemi regjistruar dhe ne e kemi bërë një raport të përgjithshëm për të gjithë punën e karantinë këtu. E kemi dorëzuar raportin në Ministrinë e Arsimit, Shëndetësisë dhe në operativën për menaxhimin e karantinës. Të gjitha dëmet janë të regjistruara, mirëpo ne jemi duke punuar çdo ditë për eliminimin e tyre dhe besoj që me fillimin e vitit akademik jemi të gatshëm t’i pranojmë studentët”, thotë ai.

Qendra e Studentëve edhe këtë vit ka kapacitet të pranojë rreth 4 mijë studentë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat