Kaq spitale private kanë aplikuar për licencë për COVID-19, ministria tregon kur mund të fillojnë testimet

Aktuale

Kaq spitale private kanë aplikuar për licencë për COVID-19, ministria tregon kur mund të fillojnë testimet

Më: 5 gusht 2020 Në ora: 10:54
Foto Ilustrim

103 Institucione Private Shëndetësore (IPSH), kanë aplikuar për shërbimin e testimit për Koronavirus, teksa dje ka filluar shqyrtimi i aplikacioneve të tyre.

Ndonëse, ende nuk ka një datë të saktë se kur këto spitale-laboratore private, mund të nisin me testime, nga Ministria e Shëndetësisë (MSH), i kanë thënë se ka IPSH që kanë aplikuar për licencim për testime serologjike e po ashtu edhe për testime molekulare (PCR).

“Dje ka filluar procesi i shqyrtimit te aplikacioneve të Institucioneve Private Shëndetësore që kanë aplikuar për licencimin e shërbimit të testimit për SARS-COV-2 (Covid-19). Numri i institucioneve që kanë aplikuar për licencimin e shërbimeve të testimit për SARS COv 2 është 103. Ka IPSH që kanë aplikuar për licencim për testime serologjike, por edhe për testime molekulare (PCR)”, kanë thënë nga MSH.

Sipas ministrisë, do të licencohen vetëm ato institucione të cilat i plotësojnë kriteret e përcaktuara në dy udhëzime administrative.

Ndërsa Institucionet Private Shëndetësore që mund të bëjnë teste janë: Ambulance specialistike e Alerologjisë dhe Imunologjisë Klinike, Laboratori Biokimi Hematologjik dhe Laboratori i Mikrobilogjisë Molekulare Mjekësore.

“Institucionet mund te fillojnë sapo te jete kryer procesi i shqyrtimit te aplikacioneve dhe licencimi. Shpresojmë sa më parë”, kanë thënë shkurt nga MSH.

Kujtojmë se ditëve të fundit është rritur shumë numri i të prekurve me Koronavirus në Kosovë. Tash e disa ditë me radhë numri ditor i të infektuarve kalon mbi 200. Ndërsa edhe numri i vdekjeve është shtuar.

Që nga shfaqja e rasteve të para më 13 mars, në Kosovë me COVID-19 kanë rezultuar pozitiv 9.274 persona nga 38.342 të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, me gjithsej 269 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 5.190 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.815.

Ndërkohë IKSHPK-ja vazhdon të apelojë për respektimin e masave kundër Covid-19.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat