Ish-ministri i Informacionit e zbulon se kush e vrau Ahmet Krasniqin – ja sa ishte shuma për vrasjen e tij (Emri)

Aktuale

Ish-ministri i Informacionit e zbulon se kush e vrau Ahmet Krasniqin – ja sa ishte shuma për vrasjen e tij (Emri)

Nga: N. H Më: 12 shtator 2020 Në ora: 12:10
Ahmet Krasniqi

Janë bërë dy dekada kur në Tiranë është vrarë kolonel Ahmet Krasniqi, ish ministër i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës në Ekzil.

Për vrasjen e Kolonel Krasniqit ende s’janë zbuluar autorët e vrasjes edhe pse ka shumë gojëdhëna të cilat sado pak kanë drejtuar gishtin në drejtim të autorëve dhe vrasësve të Kolonelit.

Ish-ministri i Informacionit në Qeverinë e Kosovës në ekzil në vitet nëntëdhjetë, Xhafer Shatri, për herë të parë ka dhënë detaje të padëgjuara rreth vrasjes së kolonel Ahmet Krasniqit.

Image
Ministri Ahmet Krasniqi i vrarë në Tiranë.

Ai thotë se vrasjen e Ahmet Krasniqit e ka bërë Gani Kernaja, dhe për këtë vrasje ky person është shpërblyer me rreth 250 mijë dollarë.

“Ahmet Krasniqin e ka vrarë Gani Kërnaja, sipas asaj që ma ka thënë një hetues shqiptar. Në kofidencë ka më shumë se 15 vjet. Unë e kam për detyrë ta them këtë. Pastaj, Gani Kërnajen e kanë vrarë sigurisht për të mos u zbuluar vrasja. E di nga burimet që mi ka thënë ai edhe unë nuk kam qenë aty Gani Kërnaja i ka marrë 250 mijë dollarë për vrasjen e Ahmet Krasniqit”, ka thënë Shatri.

Detajet tjera lidhur me vrasjen e Ahmet Krasniqit, mund t’i dëgjoni nga minuta e 32:00.

Shatri tregon se Kërnaja ishte pjesë e grupit Tropoja nga Veriu i Shqipërisë, të cilin e udhëhiqte aso kohe Fatmir Haklaj.

“Ai ishte njëri nga banditët e Tropojës, nga Veriu i Shqipërisë të cilin e kanë paguar njerëzit të cilët thirreshin dhe flisnin në emër të Shtabit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së), por që jetonin në Tiranë”, ka deklaruar ish-ministri i informacionit.

Gjersa, me tej ka treguar për herë të parë se kush e kishte njoftuar për vrasjen e kolonelit, dhe zërat që kishte dëgjuar se për këtë vrasje të mos njoftohej opinion.

“Për vrasjen e Ahmet Krasniqit fillimisht më ka njoftuar Rifat Haxhiu, që ishte drejtor i informacionit në Ministrinë e Mbrojtjes, dhe me ka treguar se është vrarë Ahmet Krasniqi. Pastaj, është folur ja guxojmë të lëshojmë komunikata, ja nuk guxojmë të lëshojmë. Kam thënë si nuk guxojmë të mos lëshojmë komunikata që është vrarë ministri i mbrojtjes. Kam dëgjuar që është thënë se kjo vrasje të mos shpallet, dhe të mbyllet ashtu. Një gjë të tillë nuk do ta lejoja asnjëherë”, ka thënë mes tjerash Shatri.

Image
Lajmi për vrasjen e kolonel Krasniqit.

Kujtojmë se Sefedin Krasniqi, njëri nga bashkëpunëtorët më të afërt të Ministrit, Ahmet Krasniqi, ka reaguar pas këtyre deklaratave të Xhafer Shatrit, lidhur me vrasjen e ministrit.

Krasniqi pretendon se vrasësi i Ahmet Krasniqit nuk mund ta këtë emrin Gani Kërnaja, sepse sipas tij, në grupin e Haklajve ka vepruar edhe Feriz Kërnaja, i cili ishte liruar para kohe nga burgu vetëm dy jave para se të vritet ministri Krasniqi.

Sipas tij, Feriz Kernaja, një vit më vonë, për të humbur gjurmët, është vrarë me mjet shpërthyes të teledirigjuar, dhe për këtë, Sefedin Krasniqi thotë se duhet ta dijë Fatos Klosi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat