Aktakuzat dhe arrestimet, Dick Marty pyetet për punën e Gjykatës Speciale

Aktuale

Aktakuzat dhe arrestimet, Dick Marty pyetet për punën e Gjykatës Speciale

Më: 30 shtator 2020 Në ora: 14:37
Dick Marty

Pas pesë vitesh punë, Gjykata Speciale tashmë po merret me aktakuzat e para kundër ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Salih Mustafa është personi i parë që është arrestuar nga Specialja, derisa ndaj tij rëndojnë vepra të ndryshme penale.

Megjithatë në njoftimin për aktakuzën ndaj Mustafës nuk përmendet asnjë prej pretendimeve të senatorit zviceran, Dick Marty, për trafikim organesh apo rreth “Shtëpisë së Verdhë”, mbi bazën e të cilave edhe ishte iniciuar themelimi i Gjykatës Speciale.

“Në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të lëshuar më 24 shtator.

Edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, teksa ka folur rreth intervistimit të tij 4 ditor në Hagë, ka deklaruar se nuk është pyetur fare rreth trafikimit të organeve e as rreth “Shtëpisë së Verdhë”, pavarësisht se emri i tij përmendet dhejtra herë në raportin e Dick Martyt.

Lidhur më punën e deritanishme të Speciales dhe orientimin e hetimeve të Prokurorisë së Hagës, media ka kërkuar një koment nga vetë autori i raportit për trafik organesh, Dick Marty.

Megjithatë nga zyra e Martyt kanë thënë se për momentin senatori zviceran nuk është duke dhënë qëndrime apo intervista lidhur me Gjykatën Speciale.

“Z.Marty më kërkoi që t’ua bëj me dije që ai aktualisht nuk është duke thënë qëndrime apo përgjigje për intervista për këtë temë”, ka thënë sekretarja e Martyt, Francesca Mchauru.

Përveç Sali Mustafës para gjykatës në Hagë ka dalë edhe Nasim Haradinaj, ndërkohë nesër pritet paraqitja e parë e kreut të OVL UÇK’së, Hysni Gucatit.

Mbi Haradinajn rëndojnë akuzat për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje e shkelje të fshehtësisë së procedurave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat