​Rreth 25 për qind e pronave shoqërore kanë qenë të uzurpuara

Aktuale

​Rreth 25 për qind e pronave shoqërore kanë qenë të uzurpuara

Më: 30 tetor 2020 Në ora: 16:56
Pamje nga mbledhja e Komisionit

630 uzurpatorë të pronave shoqërore në vitin 2014 janë larguar me përkrahje të ish-kryetari të Kuvendit, Kadri Veseli dhe ish-kryeministrit, Isa Mustafa. Prej 1250 kontratave të shitjes rreth 25 për qind kanë qenë të uzurpuara në atë kohë. E disa prej tyre janë shitur me gjithë uzurpator.

Kështu ka deklaruar zëvendës Drejtori Menaxhues në Agjencinë Kosovare për Privatizim, Avni Jashari në raportimin e sotëm të tij para Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë.

Jashari: 1250 kontrata të shitjes rreth 25 për qind kanë qenë të uzurpuara.

“Deri në fund të vitit 2014 prej diku 1250 kontrata të shitjes rreth 25 për qind kanë qenë të uzurpuara. Pra 25 për qind e tyre kanë qenë me uzurpator, në shumën monetare në atë kohë ka qenë 106 milionë vlera e pronave të shiturave me uzurpator. E në aspekt të përgjithshëm ka qenë diku rreth 600 milionë. Aspekti i dytë ka qenë numri i madh i aseteve të pashitura që kanë mbetur të uzurpuara. Në periudhën kur unë e kam nxjerr vendimin kanë qenë 630 uzurpator të pronave shoqërore të ndryshme. Po flas për vitin 2014”, tha ai.

E deputeti i PDK-së në këtë komision, Gazmend Bytyçi kërkoi nga Jashari se në sa prej këtyre uzurpimeve ka pasur eksponentë politikë.

“Dukuria e uzurpimit të pronave publike ka qenë deri vonë dhe është përfolur prej qytetarëve. A keni informacion se sa për qind të pronave që janë menaxhuar prej AKM-së, e mandej të AKP-së kanë qenë prona të uzurpuara. Nëse keni ndonjë informacion nga eksponent të ndryshme politikë nëse kanë qenë prapa tyre dhe si ka filluar mënyra e lirimit të tyre”, tha ai.

Por Jashari, tha se nuk e di një gjë të tillë, por në lirimin e tyre ka pasur përkrahje nga bordi dhe ish kryetari i Kuvendit në atë kohë, Kadri Veseli dhe ish kryeministri Avdullah Hoti.

Jashari: Në lirimin e pronave përkrahje kemi pasur nga ish kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli

“Në aspektin e lirimit të këtyre pronave përkrahjen e kemi pasur dhe ka qenë kërkesë edhe kryetarit të Kuvendit në atë kohë, Kadri Veseli që me i lirua gjithë ato prona. Ka qenë përkrahje edhe prej ish kryeministrit Isa Mustafa. Edhe publikimi i emrave të uzurpatorëve ka ndodhur me kërkesën e ish-kryetarit të kuvendit dhe dakordimin e plotë me anëtarët e bordit në atë kohë”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i komisionit hetimor, Hajrulla Çeku kërkoi të di se a ka pasur ndonjë rast kur ndonjë uzurpator të jetë edhe ofertues.

Çeku: Në dijeninë tuaj nuk ka ndodhur asnjëherë që një uzurpator të jetë edhe ofertues

“Në dijeninë tuaj nuk ka ndodhur asnjëherë që një uzurpator të jetë edhe ofertues për të blerë pronën që e ka uzurpuar”, tha ai.

Por Jashari tha se ata që kanë qenë uzurpator janë diskualifikuar në proces të shitjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat