Sfishta: Agon Musliu nuk ka dhënë sinjale se nuk është mirë me shëndet

Aktuale

Sfishta: Agon Musliu nuk ka dhënë sinjale se nuk është mirë me shëndet

Më: 3 nëntor 2020 Në ora: 19:41
Pamje nga takimi

Komisioni hetimor parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë COVID-19 nga ana e Qeverisë së Kosovës, sot ka intervistuar edhe Fatmir Sfishtën, drejtorin e Qendrës së Studentëve në Universitetin e Prishtinës, objekt ky i cili në kohën e pandemisë ka shërbyer si qendër për karantinë.

Sfishta për vdekjen e Agon Musliut në këtë qendër tha se i ndjeri nuk ka dhënë ndonjë sinjal se ai përballej me probleme shëndetësore.

Sfishta: Pranimi i Agon Musliut ka shkuar mirë

“Mbaj mend se kemi pritur një kontingjent shumë më të madh përpos të ardhurve nga kufijtë tokësorë në Kosovë. Kanë ardhur deri 50 veta. Jemi njoftuar se do të vijnë edhe nga Gjermania, por nuk e kemi ditur se sa do të vendosen. Pas kalimit të procedurave mjekësore, ne si staf i kemi vendosur nëpër dhoma, kanë marrë pakot higjienike që kanë qenë për dy javë, duke përfshirë gjithçka që i duhet një të karantinuari… Gjithçka ka qenë mirë. I apostrofuari është pranuar si gjithë të tjerët, nuk ka pasur ndonjë sinjal që ai ka dhënë në momentin kur stafi ynë ka shkuar në dhomë e caktuar dhe nuk kam çka të shtojë për rastin”, tha ai.

Sipas tij çdo person i karantinuar, i cili nuk ka qenë familjar, ka shfrytëzuar vetëm një banjë ashtu siç e ka paraparë IKSHPK.

Sfishta: Një javë përpara kemi marrë njoftimin se QS do të shndërrohet në qendër karantinë

“Na është rekomanduar që ta përzgjedhim një staf i cili ka shëndet të mirë dhe profesionalë, në mënyrë që t’i kryejmë detyrat. Nuk kemi pasur udhëzim, por kemi pasur për detyrë që çdo i karantinuar dhe çdo person i sjell nga pikat kufitare të vendoset në konviktet që i plotësojnë kushtet për karantinë… Kemi pasur paralajmërime një javë përpara që të përgatitemi sepse QS do të përgatitej për karantinë. Ne kemi bërë përgatitjet e duhura, por është vendosur që katër konvikte i plotësojnë kushtet për karantinë”, tha Sfishta.

Shkumbin Demalija nga AAK pyeti Sfishtën se kush e ka bërë përzgjedhjen e konflikteve për karantinë. Në përgjigjen e tij drejtori i Qendrës së Studentëve tha se IKSHP-ja i ka bërë këto vlerësime.

Demliaj: Kush e bëri vlerësimet e objekteve?

“Kush e ka bërë vlerësimin se cilat objektet plotësojnë kushtet për karantinë”, tha ai.

Ndërsa, Labinotë Demi nga Lëvizja Vetëvendosje ka pyetur se a e ka marrë ushqimin Agon Musliu.

Demi: A e ka marrë ushqimin Agon Musliu?

“Vullnetarët që e kanë shpërndarë ushqimin në ditën kritike, a kanë qenë në kontakt me të ndjerin dhe a e ka marrë ai ushqimin?”, tha Demi.

Sfishta tha se në ditën e parë i ndjeri ka marrë vetëm drekën pasi ajo është servuar pasi ka arritur në konvikt, ndërsa ditën e dytë nuk e ka pranuar ushqimin.

Sfishta: Në ditën e dytë nuk e ka marrë ushqimin

“I ndjeri në ditën e parë e ka marrë vetëm drekën, sepse atëherë është servuar dreka, kurse ditën tjetër nuk e ka pranuar, sepse kur i kanë trokitur në derë, detyrë e vullnetarëve ka qenë që nëse del, e merr ushqimin dhe nëse nuk del, e lënë te dera. Ka pasur shumë raste që të karantinuarit kanë qenë fjetur dhe kur e kanë ditur kohën e servimit të drekës, kanë dalë dhe e kanë marrë drekën. Në ditën e dytë (Agon Musliu) nuk e ka marrë ushqimin”, tha ai.

Anëtari i komisionit për menaxhimin e pandemisë nga PDK-ja, Bekim Haxhiu pyeti se si është servuar ushqimi. Sfishta tha se shujtat e ushqimit kanë qenë të ngrohta dhe të vendosura në paketime speciale. Ato deri te konviktet janë dërguar nga ekipet e Qendrës së Studentëve, ndërsa shpërndarja në dhoma nga vullnetarët.

Sfishta: Ushqimi është servuar i ngrohtë

“Shujta ka qenë e nxehtë sikur me e ngrënë në kuzhinë vetëm paketimi ka qenë special. Ne kemi bërë porosi të veçanta. Haxhiu: Në rast se do të ndodhte ndonjë infektim sepse ju keni qenë përgjegjës për ofrim të shërbimit dhe gjatë shpërndarjes sepse ju keni qenë përgjegjës, a ka qenë kjo çështje e rregulluar dhe kujt i bie çështja? Sfisha: Jo, por ne e dimë se ne e kishim marrë përgjegjësinë. Haxhiu: Shyqyr që nuk ka pasur sepse nëse ushqimi i ngrohtë është lënë para derës, mundësia për infektim ka qenë prezent… Sfisha: Ushqimi që është servuar ka qenë i mbyllur dhe i paketuar. Ne e kemi pasur parasysh këtë dhe ka qenë në qese plastike”, tha Sfishta.

Para Komisionit hetimor parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë COVID-19 nga ana e Qeverisë së Kosovës, sot dëshminë e tij e ka dhënë edhe Mustafë Gashi nga Qendra Operative e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ndërsa Zenel Hysenaj, menaxher i qendrës karantinë, për shkak të gjendjes me COVID-19 nuk ka mundur të lidhet në mënyrë virtuale. Para këtij komisioni është paraparë të jep dëshminë edhe Valza Oruqi nga Qendra Operative e Ministrisë së Punëve të Jashtme, por intervistimi është shtyrë për një ditë tjetër. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat