Deputeti Faton Bislimi: Jemi me fat që interesat tona gjeostrategjike përputhen me ato të SHBA-së

Aktuale

Deputeti Faton Bislimi: Jemi me fat që interesat tona gjeostrategjike përputhen me ato të SHBA-së

Më: 3 nëntor 2020 Në ora: 21:37
Faton Bislimi

Deputeti i LDK-së, Faton Bislimi thotë se pavarësisht se sondazhet e favorizojnë Joe Biden gara është tepër e ngushtë.

“Ka pasur raste kur edhe sondazhet kanë gabuar. Herën e fundit e kemi rastin kur të gjitha sondazhet e parashikonin si fituese Hillary Clinton por ndodhi e kundërta. Nuk them se edhe kësaj radhe do të ndodh ashtu por gara është e ngushtë”, tha Bislimi në RTV Dukagjini.

Deputeti i LDK-së thotë nga të dyja palët Kosova ka pasur njerëz që kanë mbështetur Kosovën.

“Bideni sa ishte senator ka luajtur një rol kyç në avancimin e çështjes së Kosovës. Por mos të harrojmë se edhe senatori i ndjerë republikan John McCain ka ndihmuar shumë Kosovën”.

Bislimi thotë se mund të kemi opinionin se cili kandidatë na pëlqen por sipas tij thirrja e Kurtit për të votuar njërin kandidatë i dëmton raportet me Amerikën.

“A fiton Biden apo Trump ne jemi fatlum që kemi ndërtuar raporte të mira me SHBA. Mos të harrojmë se jemi me fat që interesat tona gjeostrategjike përputhen me ato të Amerikës. Ne nuk duhet të cenojmë atë marrëdhënie nëse i japim peshë njërit apo tjetrit kandidatë”, tha ndër të tjera Faton Bislimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat