Qe një vit rreth 700 pacientë presin nga shteti të kompensohen për shërbimet që i morën te privatët

Aktuale

Qe një vit rreth 700 pacientë presin nga shteti të kompensohen për shërbimet që i morën te privatët

Më: 6 dhjetor 2020 Në ora: 17:46
Ilustrim

Edhe pse nuk po ju ofrohen shumë shërbime shëndetësore në institucionet publike shëndetësore në vend, qytetarët nuk po ndihmohen që ato t’i marrin as në institucionet private.

Rreth 700 qytetarë që nga tetori i vitit të kaluar janë duke pritur që t’u ndahen mjetet financiare të aprovuara nga Fondi për Sigurime Shëndetësore, në mënyrë që të marrin trajtimet e nevojshme shëndetësore.

Ndonëse u janë aprovuar mjetet financiare për shërim në klinika private në vend dhe jashtë vendit, që më shumë se një vit qytetarët janë duke pritur që këto mjete t’u lirohen nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore.

Përkundër nevojës për trajtim shëndetësorë, rreth 700 persona që nga muaji tetor i vitit të kaluar e deri tani janë në pritje të këtyre mjeteve. Pritjet e tyre do të zgjaten edhe më shumë për shkak se buxheti prej 6 milionë eurove po del të jetë i pamjaftueshëm.

Derisa në fillim të aplikimit për ndarjen e këtyre mjeteve gjendja shëndetësore e pacientëve ishte joemergjente, me pritjet e gjata, gjendja e tyre mund të jetë përkeqësuar.

Një nga pacientët ka treguar, se i ishte dashur të priste më shumë se 5 muaj për një intervenim në sy, për shkak që nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore nuk i ishin lëshuar mjetet financiare.

Edhe pse gjendja e tij në fillim nuk kishte qenë urgjente, ajo i ishte përkeqësuar. Pas lëshimit të mjeteve, ai thotë se kishte kryer intervenimin, por që nuk kishte pasur sukses.

Ndërsa, nga Fondi për Sigurime Shëndetësore, kanë thënë për Express se aktualisht janë duke u realizuar pagesat nga muaji tetor i vitit 2019.

Sipas zyrës për informim në këtë institucion, arsyeja e vonesave është mungesa e mjeteve buxhetore.

“Aktualisht janë duke u realizuar pagesat nga muaji tetor i vitit 2019. Janë rreth 700 pagesa, të cilat janë në pritje për t’u realizuar. Numri i kërkesave për trajtim mjekësor në raport me buxhetin historik të ndarë për Programin për TMJIShP është jashtëzakonisht i lartë dhe rrjedhimisht është e pamundur që të mbulohen të gjitha kërkesat në kohë, duke pasur parasysh buxhetin prej vetëm 6 milion euro”, ka thënë ajo.

Sa i përket procedurave të vendimmarrjes për rastet elektive, nga ky institucion është thënë se shqyrtimi i kërkesave nga ana e Komisionit për vlerësim mjekësor në Fondin e Sigurimit Shëndetësor është procedurë që përfundohet me së largu brenda një javë, nga momenti i aplikimit të pacientit.

Ndërkaq, për rastet urgjente, lëshojnë fletëzotim brenda ditës ose me së largu të nesërmen, e që nënkupton se pacienti mund të fillojë trajtimin e nevojshëm shëndetësor menjëherë.

Ndërsa, deri tek aprovimi i shumës financiare për rastet elektive, nga ana e Bordit Ekzekutiv, sipas tyre kohëzgjatja është afërsisht rreth dy javë, me përjashtim të periudhës nga muaji gusht i këtij viti ku shqyrtimet nga ana e Bordit Ekzekutiv kanë stagnuar, për shkak të disa paqartësive rreth patologjive, të cilat referohen nga ana e klinikave përkatëse të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.

Kujtojmë që qytetarët me muaj të tërë kanë pritur për trajtim shëndetësorë edhe gjatë viteve të kaluara, për shkak të mos lëshimit të mjeteve nga ana e Fondit të Sigurimit Shëndetësorë.

Ndërsa, më së shumti kërkesa për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore ka pasur nga Klinika e Pediatrisë, Onkologjisë, Ortopedisë e Oftalmologjisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat