Kosova del më mirë në testin TIMSS sesa në PISA

Aktuale

Kosova del më mirë në testin TIMSS sesa në PISA

Më: 9 dhjetor 2020 Në ora: 00:32
Ministria e Arsimit

Organizata Ndërkombëtare për Vlerësim IEA sot ka publikuar rezultatet e vlerësimit ndërkombëtar TIMSS (Trends in International Mathematics and Science Study) në të cilin Kosova ka marrë pjesë për herë të parë me nxënësit e klasave të katërta.

Kosova ka rezultuar në vendin e 49-të nga 58 shtete pjesëmarrëse me 444 pikë në matematikë, që është rezultat më i mirë se në testin PISA ku Kosova kishte 366 pikë në matematikë.

Fatmir Elezi, udhëheqës i Divizionit për Standarde dhe Vlerësim në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, ka thënë se ky nuk është një rezultat i kënaqshëm.

“Ne nuk jemi të kënaqur me këtë rezultat, ngase vendet që janë poshtë Kosovës janë vende të pazhvilluara, derisa vendet e Evropës janë mbi Kosovën. Mirëpo, në krahasim me rezultatet e tetsit PISA këtu kemi një rezultat më të kënaqshëm. Mbetet shumë punë për të ngritur cilësinë dhe t’i afrohemi mesatares së shteteve të Europës”.

Ai ka treguar se çfarë saktësisht është Testi TIMSS.

“Testi TIMSS nënkupton trendin ndërkombëtar të studimit në matematikë dhe shkencë, pra ky test mat njohuritë e nxënësve të klasës së katërt dhe të tetë në matematikë dhe shkencë çdo katër vjet, por Kosova ka marrë pjesë vetëm me klasat e katërta”.

Pse ky rezultat për Kosovën, sipas Fatmir Elezit?

“Problemi është te sistemi i arsimit. Një dukuri që e kemi vërejtur te shkenca është se shkencat më me ndikim fillojnë të mësohen nga klasa e tretë, derisa testi ka matur njohuritë e nxënësve në klasë të katërt kështu që kanë pasë shumë pak kohë. Në këtë nivel mësimdhënësit janë më të orientuar nga matematika dhe gjuha shqipe, prandaj në matematikë ndoshta kemi rezultat jo fort të ulët, derisa në shkencë kemi rezultat më të ulët”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat