Havolli: Raste të mëdha të konfliktit të interesit janë dorëzuar në prokurori

Aktuale

Havolli: Raste të mëdha të konfliktit të interesit janë dorëzuar në prokurori

Më: 9 dhjetor 2020 Në ora: 13:40
Shaip Havolli

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion, Shaip Havolli, në raportimin para deputetëve në Komisionin për Buxhet, ka thënë se ka shumë raste të mëdha të konfliktit të interesit që janë dorëzuar në Prokurorinë e shtetit.

Duke iu përgjigjur kritikave që ka marrë nga kryetari i këtij komisioni Hekuran Murati, Havolli ka thënë se “ligjet krijojnë ndasi dhe keqinterpretime”.

“Deklarimi i pasurisë si proces nuk ka edhe shume efikasitet e mandej ka keqinformim. Kjo nuk do të duhet të ndodhte nga AKK. Kjo agjenci do të duhej ta njihte mirë ligjin. Ajo që e shoh si problematike është që AKK merret me formalitete në vend që me substancë. Shumica e rasteve që janë ngritur në gjykatë janë raste të asamblistëve nëpër komuna. Kjo nuk është të luftohet korrupsioni, por me lujt derën. Problemi është që shpenzohen edhe resurse të Agjencisë dhe të Gjykatave”, ka thënë Murati.

Në anën tjetër, Havolli ka thënë se vitin e ardhshëm raporti do të jetë publik dhe do të ketë përfshirje të rasteve të profilit të lartë që janë dërguar në Prokurori.

“Ka raste të mëdha të konfliktit të interesit që s’i kemi bërë publike për shkak të ndjeshmërisë dhe i kemi dorëzuar në prokurori. Ne mundohemi të kapemi për materie. Por edhe ligjet krijojnë ndasi e keqinterpretime. Me ligjin e ri për disa çështje teknike do të ketë gjoba dhe nuk do të ketë kallëzime penale për ta ngarkuar edhe prokurorinë”, ka thënë ai.

Në këtë komision ka raportuar edhe drejtori i Fondit të Kursimeve Pensionale, Adrian Zalli, që ka thënë se rimbursimi i parave në Trust, për ata që tërheqin 10 për qind e që kanë më pak se 10 mijë të kursyera, do të nisë në vitin 2023.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat