​Familjarët e të pagjeturve kërkojnë kushtëzim të dialogut, duan lokacionet e varrezave masive

Aktuale

​Familjarët e të pagjeturve kërkojnë kushtëzim të dialogut, duan lokacionet e varrezave masive

Më: 9 dhjetor 2020 Në ora: 18:44
Foto ilustrim

Familjarët e personave të pagjetur kërkojnë nga institucionet e Kosovës që të kushtëzojnë dialogun me Serbinë me dhënien e lokacioneve të varrezave masive nga Serbia.

Përfaqësuesit e familjarëve të personave të pagjetur kanë marrë pjesë sot në seancën e veçantë të Kuvendit të Kosovës, për të shënuar Ditën ndërkombëtare të përkujtimit dhe nderimit të viktimave të gjenocidit.

Përfaqësuesi i shoqatës “Zëri i Prindërve” tha se çështja e personave të pagjetur kërkon forcë.

Qerkinaj: Pika e parë në dialog me Serbinë të jetë çështja e të pagjeturve

“Të gjitha i kemi, por biseda për persona të pagjetur dhe gjenocid do forcë prej atyre që na kanë çliruar dhe prej atyre miqve të bëjnë një presion të jashtëzakonisht të madh në Serbi, por edhe ne t’i qesim kushte, cili është kusht është që e propozon familjarët, a ka konkrete, po, e përmendi Nysrete edhe dialogun, ju kisha lut në dialog pikë të rendit të ditës të pagjeturit pa dokument, pa imazhe satelitore mos të ulemi ma më bisedua, kemi biseduar mjaftë, na kanë sha boll, të gjitha të zezat me varreza masive duke nisur prej Rudnice, Batajnice, Petrovoselle”, tha ai.

Ai tha se për familjarët është i rëndë fakti që dy dekada pas luftës ende nuk dihet për fatin e mijëra persona të pagjetur.

Qerkinaj: Nuk mund të ketë bisedime derisa të tregojnë ku janë të pagjeturit

“Merre me mend u bënë 21 vite dhe nuk po mundemi me e bindë bashkësinë ndërkombëtare apo njerëzit që po na udhëheqin dhe po bisedojnë se më nuk ka bisedime derisa në tavolinë nuk e qesin letrën dhe të thonë qe ku janë. Na mashtruan në Rudnicë disa vjet, kam marrë pjesë disa herë, kam marrë pjesë edhe tek prokurori i cili thoshte 205 vetë kanë ardhur, më shumë nuk dimë. Ne i thoshim 405 veta ai thoshte 205 veta, kur erdhën imazhet satelitore njëherë thoshte nuk ka asgjë doli edhe në shtëpi afariste 54 veta, ku janë edhe 300 e diçka veta”, tha ai.

Ndërsa Lush Krasniqi nga Shoqata “27 prilli”, dëshmitar i Masakrës së Mejës, tha se e ka humbur besimin në të gjitha institucionet.

Kransiqi: Institucionet e Kosovës nuk kanë numër të saktë të njerëzve të vrarë

“Fatkeqësisht me këtë aktivitetet 20-vjeçar, institucionet e Kosovën nuk e kanë një numër të saktë të njerëzve të vrarë në Kosovë, vetëm si numër, e jo të flasim për biografinë e tyre, e të flasim të detaje, fatkeqësisht nuk e ka askush nga ju, dhe le të ma prezantojë nëse e ka një liste që në Kosovë janë vrarë kaq njerëz, të gjitha etnive”, tha ai.

Sipas tij, përveç gjendjes emocionale të vështirë që e kanë familjarët e personave të pagjetur, ata përballen edhe me gjendje të rëndë ekonomike dhe të njëjtit nuk gjejnë përkrahje në institucionet e drejtësisë lidhur me paditë ndaj agresorit.

Krasniqi: Ne ushqehemi me mallrat e Serbisë, e harrojmë Batajnicën

“Në emër të drejtësisë ne sot ushqehemi me mallrat e Serbisë, e ai që merr milionë me mallrat ë dyshimtë, me mallra kanceroz dhe që bizneset tona të pista na detyrojnë të pimë qumështin dhe Coca-Cola që shkruan ‘Batajnicki drum’, ju që pini shikoni mirë dhe mendoni që ata gjak që është tretur në fushë ne Batajnicës dhe uji që është marrë nga ajo fushë, me siguri do të jenë përzier”, tha ai.

Përfaqësuesit e shoqatave të familjarëve të personave të pagjetur kanë folur në Kuvendin e Kosovës sot në shënimin e Ditës ndërkombëtare të përkujtimit dhe nderimit të viktimave të gjenocidit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat