Spitali i Graçanicës qe dy dekada në kontejnerë

Aktuale

Spitali i Graçanicës qe dy dekada në kontejnerë

Më: 9 dhjetor 2020 Në ora: 23:06
Spitali në Graçanicë

Me fjalën “të frikshme”, një qytetar nga Graçanica, me inicialet L. P., i përshkruan rrethanat në institucionet shëndetësore në mjediset ku jetojnë serbët në Kosovën qendrore. Ai nuk dëshiron që t’i publikohet emri, por thotë që për çdo intervenim serioz i duhet t’i drejtohet mjekëve në Mitrovicën e Veriut, në Kosovë ose mjekëve në Nish apo Beograd, në Serbi.

“Nuk kam asgjë të mirë që të shpreh. Për disa mjekë mund të them, ju lumtë atyre, por askund në botë nuk ka (spital) sikurse te ne”, thotë për Radion Evropa e Lirë një banore tjetër e Graçanicës, komunë kjo me shumicë serbe më Kosovë, e cila gjithashtu kërkoi që t'i mos i publikohej emri.

Aktualisht, në kuadër të spitalit në Graçanicë funksionon edhe klinika për sëmundjet infektive, e cila gjatë pandemisë së koronavirusit është shndërruar në repart për COVID-19. Aty janë të shtruar pacientët me pasqyrë të rëndë klinike, kryesisht nga territori i Komunës së Graçanicës, por ka edhe pacientë nga komuna të tjera në jug të lumit Ibër.

Për shkak të numrit të madh të personave të shtruar, Qendra Klinike Spitalore në Graçanicë i ka zgjeruar kapacitetet e veta në Shtëpinë e Shëndetit në fshatin Gushtericë e Ulët të po kësaj komune, ku janë të shtruar pacientët me pasqyrë klinike më të lehtë.

Sipas të dhënave të Qendrës Klinike Spitalore, në repartin e infektivës, deri më tash nga COVID-19 janë shëruar rreth 160 pacientë. Pacientët që duhet të kyçen në respirator, dërgohen për mjekim në Qendrën Klinike Spitalore në Nish të Serbisë.

Institucionet shëndetësore në mjediset e banuara me serbë në Kosovë, funksionojnë në kuadër të sistemit të Serbisë, gjë që e mundëson edhe Dokumenti i Ahtisarit, në bazë të së cilit Kosova e ka shpallur pavarësinë në vitin 2008. Në vitin 1999, Qendra Klinike Spitalore është zhvendosur nga Prishtina në Graçanicë, në disa kontejnerë të metaltë, ku edhe sot e kësaj dite janë aty.

Pse spitalet në kontejnerë?

Pas luftës në Kosovë, Graçanica u bë qendra kryesore shëndetësore, por dhe administrative, për serbët që jetojnë në komunat në jug të lumit Ibër, duke pasur parasysh se pas luftës u zhvendosën nga Prishtina pothuajse të gjitha institucionet që funksionojnë sipas sistemit serb.

“Askund nuk ka kështu, që spitali të punojë në kontejnerë, përveç në rast se është ndonjë situatë e jashtëzakonshme, në rast se ndonjë vend është në luftë. Ne nuk jemi në luftë dhe do të duhej të kishim spital normal”, thotë Andrej Sever nga Graçanica, me profesion profesor, i cili është ndër të rrallët që dëshiron të flasë publikisht për problemet në sistemin shëndetësor në Graçanicë.

Personeli po ikë

Se situata është alarmante në shëndetësi, këtë e ka thënë në mbledhjen e Kuvendit të Komunës së Graçanicës edhe mjeku Ratko Pereniq, i cili është këshilltar komunal nga Lista Serbe. Në adresimin e tij në kuvendin lokal, ai ka thënë që mjekët nuk kanë mjete për punë dhe se për disa vite nuk do të ketë as kuadro.

“Unë ju kam thënë një herë që shëndetësia është në nivelin që e kemi sjellë këtu nga Prishtina”, ka thënë Pereniq, duke përkujtuar periudhën e vitit 1999, kur personeli mjekësor i atëhershëm nga Prishtina ishte tërhequr në Graçanicë, si dhe me konstatimin që pacientët shpeshherë janë të detyruar që analizat t’i bëjnë në klinika private.

Megjithatë, Periniq nuk ka dashur që të flasë për Radion Evropa e Lirë për problemet me të cilat ballafaqohen mjekët në Qendrën Klinike Spitalore në Graçanicë, por është përgjigjur shkurt, duke thënë “lexoni në mes të rreshtave”.

Përveç Periniqit, për kushtet e rënda të punës ka folur edhe kirurgu, Dragan Periq.

“Çdo ditë është rëndë e më rëndë”, theksoi Periq.

Ndërkohë, drejtori i Qendrës Klinike Spitalore në Graçanicë, Bratisllav Llaziq, në një konferencë për media i ka hedhur poshtë pretendimet e kolegëve të tij dhe ka vlerësuar që institucionet shëndetësore po funksionojnë pa probleme. Ai theksoi që mjekët e kanë kritikuar sistemin shëndetësor pa argumente.

“Nëse ata mendojnë që ekzistojnë probleme, ndërkaq unë them që nuk ka, ata duhet që të drejtohen në mënyrë argumentuese dhe me përplasje të argumenteve të arrijmë tek e vërteta. Unë këso konstatimesh nuk pranoj, e di në mënyrë të përkryer se si funksionon institucioni”, ka thënë Llaziq më 25 nëntor. Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur të marrë deklaratë nga Llaziq.

Probleme që po zgjasin që 20 vjet

Ish-drejtoresha e Shtëpisë së Shëndetit në Graçanicë, Rada Trajkoviq, thotë që udhëheqësit e institucioneve shëndetësore bartin përgjegjësinë e plotë për kushtet e punës së mjekëve në mjediset serbe në Kosovë.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, ajo thotë që pikërisht ata udhëheqës “të varur nga politika, me heshtjen e tyre po e legjitimojnë gjendjen e rëndë në institucionet shëndetësore serbe, gjë që i rrezikon pacientët”.

“Në ato institucione shëndetësore gjenden kolegët e mi, mjekë që nuk kanë kushte për punë, sepse ka mungesë të mjeteve themelore. Në një situatë të tillë, ata janë të detyruar që shumë pacientë t’i orientojnë për në Nish ose Beograd. Në këtë mënyrë ata e komprometojnë veten si mjekë, sepse i bie që ata nuk dinë ta bëjnë punën dhe nga ana tjetër i maltretojnë pacientët dhe familjet e pacientëve”, thotë doktoresha Trajkoviq, e cila është specialiste e ORL-së.

Sipas saj, po bëhet keqpërdorimi i betimit të Hipokratit sepse mjeku po vihet në funksion të politikës dhe jo të popullit.

Trajkoviq ka qenë një nga përfaqësuesit e parë të serbëve, pas luftës në Kosovë. Ajo thekson që ka qenë në mesin e mjekëve, të cilët në vitin 1999 e kanë zhvendosur Qendrën Klinike Spitalore nga Prishtina në Graçanicë.

“Kisha dhe unë me të, me mjekët amerikanë, grekë, francezë, kemi ndërtuar stacione shëndetësore të domosdoshme, si zgjidhje të përkohshme. Prej atëherë, kanë kaluar 20 vjet dhe ne nuk kemi institucion shëndetësor ku do të mund të punohej në mënyrë adekuate”, tha Trajkoviq.

Pandemia vonoi rindërtimin

Qysh në vitin 2018, Qeveria e Serbisë paralajmëroi që do të ndajë mjete për ndërtimin e spitalit, por, deri më tash, është përcaktuar vetëm parcela ku do të ndërtohet ai.

Drejtori i Qendrës Klinike Spitalore, Branko Llaziq, thotë që fillimi i ndërtimit të spitalit është shtyrë për shkak të pandemisë së koronavirusit.

“Fatkeqësisht, pandemia i ka shtyrë mjaft gjëra. Planet janë këtu dhe absolutisht nuk ekziston asnjë arsye tjetër që të dyshojmë për këtë. Është siguruar parcela dhe tash do të shkohet drejt fazës së projektimit dhe realizimit. Nuk duhet të vihet asnjë mëdyshje për këtë, që spitali në Graçanicë do të ndërtohet me mbështetjen e të gjitha organeve të Republikës së Serbisë dhe presidentit (të Serbisë, Aleksandar) Vuçiq personalisht”, theksoi Llaziq në konferencën për media, më 25 nëntor.

Përveç në Graçanicë, shëndetësia dytësore në mjediset serbe në Kosovë, funksionon vetëm edhe në Mitrovicën e Veriut dhe në Pasjan.

Deri më tani, 2,869 pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë kanë dalë pozitivë me koronavirus, nga 10,125 testime të kryera./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat