​Përfundon seanca, s’ka kuorum për votim të rezolutës për parandalim të dhunës në familje

Aktuale

​Përfundon seanca, s’ka kuorum për votim të rezolutës për parandalim të dhunës në familje

Më: 11 dhjetor 2020 Në ora: 07:04
Hekuran Murati

(E plotësuar 16:58) - Kuvendi i Kosovës ka përfunduar punimet e seancës plenare pa votuar rezolutën që kërkon nga qeveria e Kosovës angazhim më të madh në koordinim efektiv të mekanizmave shtetëror për parandalimin e dhunës në familje. Me vetëm 58 deputetë në sallë, nuk ka pasur mundësi për vendimmarrje.

Paraprakisht është zhvilluar debat parlamentar për luftimin dhe parandalimin e dhunës në familje.

Deputetja nga radhët e LDK-së, Vlora Limani-Hajnuni ka propozuar rezolutën me rekomandimet për të cilat kërkoi nga deputetët të harmonizojnë dhe pas debatit ta miratojnë atë.

Limani-Hajnuni: Kërkojmë nga Kuvendi i Kosovës që pas diskutimeve të votojnë këto rekomandime për qeverinë e Kosovës.

“Kërkojmë nga Kuvendi i Kosovës që pas diskutimeve të votojnë këto rekomandime për Qeverinë e Kosovës. Nën 1 marrja parasysh e gjitha rekomandimeve të kaluara të Kuvendit dhe përfshirja e tyre në ligjin e ri për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe dhunën në baza gjinore i cili është në fazën e hartimit. Nën 2 koordinimin më efekt të mekanizmave shtetëror me OJQ-të dhe fondeve të dedikuara për dhunën në familje, tre të bëhet plotësim-ndryshimi i financave të pushtetit lokal dhe themelimi i granit specifik për shërbime sociale. Mes tjerash do të ndihmonte në rehabilitimin dhe ri integrimin e viktimave të dhunës në familje dhe katër të bëhet monitorimi dhe raportimi periodik në baza vjetore të ekzekutivit para Kuvendit dhe aplikohet drejtësi e paanshme për viktimat e dhunës në familje”, tha ajo.

(13:06) -  Kuvendi i Kosovës ka shqyrtuar raportin vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), për vitin 2019. Për këtë kryetari i Komisionit për Ekonomi ka kërkuar edhe votën e deputetëve, por që Lëvizja Vetëvendosje i ka quajtur skandaloze disa vendime që janë marrë vitin e kaluar nga ky institucion. Megjithatë, të pranishëm në sallë kanë qenë vetëm 42 deputetë, dhe nuk është hedhur në votim miratimi i këtij raporti.

Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike, Endrit Shala ka kërkuar të miratohet ky raport vjetor, duke thënë se është në pajtim me ligjin.

Shala: Ftoj të gjithë deputetët që të miratojnë këtë raport

“Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike në mbledhjet e mbajtura me datën 26 maj 2020 dhe 28 maj 2020 e ka shqyrtuar raportin vjetor të ZRRE-së për vitin 2019, të cilin raport e ka paraqitur para deputetëve bordi i ZRRE-së. Komisioni me shumicë votash ka konkluduar që raporti është në pajtim me nenin 10 paragrafi 1, të ligjit në fjalë, dhe ka nxjerrë këtë rekomandim: Të miratohet raporti vjetor për Zyrën e Rregullatorit për Energji për vitin 2019, në emër të komisionit ftoj të gjithë deputetët që të miratojnë këtë raport”, ka thënë Shala.

Ndërsa, në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Hekurat Murati ka theksuar se gjatë vitit të kaluar është marrë një vendim skandaloz nga ana e këtij institucioni për miratimin e tarifave nxitëse për projektet solare.

Ai ka treguar edhe padinë që kanë bërë për këtë institucion

Murati: LVV kemi dorëzuar padi, dhe ka ndikuar në pezullimin e këtij vendimi

“I cili veprim ishte marrë kundërligjshëm me 28 nëntor, pra ishte ditë festë, ditë pushimi në mbledhjen e bordit. Dhe për më tepër ishte edhe një ditë pas tërmetit famëkeq që kishte ndodhur në Shqipëri. Pra, në një kohë kur të gjithë kishin sytë kah Shqipëria, dhe askush nuk po merrej as mediat, as gazetarët dhe shoqëria civile nuk po merrej me ngjarjet që po ndodheshin këtu, bordi i këtij institucioni merr vendim që favorizonte biznese të lidhura me politikën. Për këtë qëllim, për këtë çështje, ne si Grup Parlamentar kemi dorëzuar edhe padi, e cila ka ndikuar në pezullimin e atij vendim, dhe është cilësuar edhe vendim ilegal. Ndihmë shtetërore e papranueshme nga komisioni për ndihmë shtetërore”, ka deklaruar ai.

Veç tjerash ai ka njoftuar se Lëvizja Vetëvendosje do të votojë kundër këtij raporti.

Ndërsa, emër të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fidan Rekaliu ka treguar se janë pro këtij raporti.

Rekaliu: Kërkojmë edhe nga grupet tjera politike që të përkrahin këtë raport

“Në emër të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës e përkrahim këtë raport, andaj kërkojmë edhe nga grupet tjera politike që të përkrahin këtë raport”, ka thënë ai.

Raportin vjetor të Zyrës së Rregullatorit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, për vitin 2019, e ka përkrahur edhe Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Në mungesë kuorumi ka dështuar votimi i këtij raporti, meqë të pranishëm në sallë kanë qenë vetëm 42 deputetë.

***

Kuvendi ia vazhdon mandatin Komisionit Hetimor për hidrocentralet

Kuvendi i Kosovës ia ka vazhduar mandatin edhe për tre muaj dhe buxhetin shtesë, Komisionit Hetimor mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës.

Organi më i lartë legjislativ nuk kishte kuorum për t`u votuar rezolutën e Mimoza Kusari- Lila nga interpelanca me ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi në lidhje me dhënien e licencave afatgjate (40 vjet) për prodhimin e energjisë elektrike ndërmarrjes “KELKOS ENERGY” sh.p.k për HC “Deçani” dhe HC “Belaja”.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci tha se në këtë votim morën pjesë vetëm 21 deputetë.

Nagavci: Janë vetëm 21 vota për

“Atëherë konstatoj që janë vetëm 21 vota për, asnjë kundër, asnjë abstenim. Nuk ka vendimmarrje në këtë pikë, dhe do të hidhet përsëri në votim”, u shpreh ajo.

Kuorum nuk pati as për shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për letërnjoftime, në këtë votim kanë marr pjesë vetëm 32 deputetë.

Nagavci: Nuk ka vendimmarrje as për këtë pikë

“Atëherë konstatoj që me vetëm 32 vota për, asnjë kundër, asnjë abstenim, nuk ka vendimmarrje as për këtë pikë”, ka shtuar Nagavci.

***

Seanca e Kuvendit e cila ka mbetur dje në gjysmë, po vazhdon edhe sot ku fillimisht është miratuar mandati dhe buxheti i komisionit parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës.

Në këtë seancë është paraparë shqyrtimi i raportit vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji, për vitin 2019, shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, për vitin 2019, shqyrtimi i Raportit vjetor të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, për vitin 2018, shqyrtimi i Raportit vjetor të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, për vitin 2019, shqyrtimi i Raportit për gjendjen e mjedisit në Kosovë 2018 – 2019.

Debat parlamentar për luftimin dhe parandalimin e dhunës në familje me rastin e fushatës senzibilizuese në kuadër të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës në baza gjinore, sipas kërkesës së deputeteve Vlora Limani Hajnuni dhe Lirije Kajtazi, të mbështetura nga 8 deputetë tjerë, emërimi i Kryesuesit dhe anëtarëve të Komisionit të Auditimit të NP KOSTT, zgjedhja e Kryesuesit të Komisionit Shqyrtues në Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit dhe gjedhja e dy (2) anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radhët e komuniteteve jo shumicë. 

Kuvendi i Kosovës ka hapur punimet e seancës plenare të datës 10 dhjetor.

Nënkryetarja e Kuvendit Arberie Nagavci ka njoftuar se të pranishëm në sallë janë vetëm 65 deputetë.

“Hapi punimet e seancës plenare, me 65 deputetë të pranishëm në sallë”, ka thënë ajo.

Kjo legjislaturë vazhdimisht ka pasur mungesë të deputëtëve në sallën e Kuvendit dhe mungesë kuorumi në votimet e ligjeve.

Përshkak të mungesës së deputetëve ka dështuar sot edhe mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës ku ishte ftuar për të raportuar ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, por që për mungesë kuorumi ka dështuar të mbahet mbledhja.

Kuvendi i Kosovës mblidhet sërish sot

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sërish sot, ku pritet të vazhdojë seanca me pikat e mbetura.

Janë gjithsej tetë pika që pritet të shqyrtohen gjatë kësaj seance.

Ndërsa do të ketë edhe debat parlamentar për luftimin dhe parandalimin e dhunës në familje me rastin e fushatës senzibilizuese në kuadër të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës në baza gjinore. Kjo sipas kërkesës së deputeteve Vlora Limani Hajnuni dhe Lirije Kajtazi, të mbështetura nga 8 deputetë tjerë.

Rendi i ditës:

9. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji, për vitin 2019,

10. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, për vitin 2019,

11. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, për vitin 2018,

12. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, për vitin 2019,

13. Shqyrtimi i Raportit për gjendjen e mjedisit në Kosovë 2018 – 2019,

14. Debat parlamentar për luftimin dhe parandalimin e dhunës në familje me rastin e fushatës senzibilizuese në kuadër të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës në baza gjinore, sipas kërkesës së deputeteve Vlora Limani Hajnuni dhe Lirije Kajtazi, të mbështetura nga 8 deputetë tjerë,

15. Emërimi i Kryesuesit dhe anëtarëve të Komisionit të Auditimit të NP KOSTT,

16. Zgjedhja e Kryesuesit të Komisionit Shqyrtues në Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit,

17. Zgjedhja e dy (2) anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radhët e komuniteteve jo shumicë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat