Ndryshon gjendja në komuna, vetëm 16 në zonën e kuqe

Aktuale

Ndryshon gjendja në komuna, vetëm 16 në zonën e kuqe

Më: 11 dhjetor 2020 Në ora: 17:34
Pamje nga konferenca

Gjatë 24 orëve të fundit, 13 persona kanë humbur betejën me COVID-19, ndërkohë që janë konfirmuar 590 raste të reja. Ndërkohë, në Shërbimin Spitalor Klinik të Kosovës gjatë ditës kanë qenë të hospitalizuar 900 pacientë, prej tyre 40 në gjendje të rëndë.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka theksuar se numri i vdekjeve ende mbetet i lartë, ani pse numri i të infektuarve ka rënë.

Ai në një konferencë për media të premten ka treguar për rangimin e komunave, marrë parasysh numrin e personave të infektuar.

Gjatë javës së fundit, 21 komuna ishin në zonën e kuqe, ndërkaq këtë javë do të jenë 16.

Në zonën e verdhë janë 9 komuna, ndërkaq në të gjelbrën kanë kaluar 13 komuna.

Zemaj: Në zonën e kuqe kemi 16 komuna

"Numri i vdekjeve në këto dy periudha është i njëjtë, në ecurinë e pandemisë është vërtetuar që numri i vdekjeve mbetet i lartë edhe disa javë pas fillimit të rënies së numrit të rasteve.... Sot kemi rangimin e ri të komunave në bazë të numrit të të infektuarve gjatë javës në 100 mijë banorë. Në zonën e kuqe kemi ndryshime, tani janë vetëm 16 komuna, në zonën e verdhë janë 9 komuna, dhe në zonën e gjelbër nga përmirësimi i situatës epidemiologjike kanë kaluar 13 komuna", ka thënë Zemaj.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm, dhe të zbatojnë masat anti-COVID, meqë sipas tij gjendja është serioze. Ai ka pohuar se spitalet janë mbi-ngarkuar, për çka bëri thirrje për kujdes të qytetarëve.

Zemaj: Askush nuk ka të drejtë që me pakujdesi të përkeqësojë gjendjen

"Spitalet janë mbi ngarkuar dhe askush nuk ka të drejtë që me pakujdesi të përkeqësojë gjendjen dhe të rrezikoj jetën, familjen e vet, familjet tona dhe sistemin shëndetësor ", shtoi Zemaj.

Zemaj tha se në dy javët e fundit, vendi ka stagnim në përhapjen e koronavirusit.

E, drejtori i IKSHP-së, Naser Ramadani ka treguar për numrin e personave të infektuar gjatë 24 orëve të fundit.

Ramadani: Brenda 24 orëve betejën e kanë humbur 13 qytetarë

"Gjatë 24 orëve të fundit në laboratorin e mikrobiologjisë molekulare në IKSHP dhe në laboratore private me metodën PCR janë testuar gjithsejtë 1775 pacientë, prej të cilave mostrat e marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i rasteve në terren dhe laboratorë private, nga të cilat 590 rezultojnë pozitive. Brenda 24 orëve betejën e kanë humbur 13 qytetarë me SARS-COV2 pozitiv dhe ne shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjarët. Rastet e vdekjeve janë nga komuna e Ferizajt-3, në moshë 83, 59 dhe 54 vjeç. Dy raste në Pejë, 77 vjeçar dhe 72 vjeç, Prizren dy raste, 89 vjeç dhe 81 vjeç. Në Viti një rast 78 vjeç, Podujevë një rast 76 vjec, Suharekë një rast 81 vjeç, Drenas një rast 81 vjeç, Gjakovë një rast 81 vjeç dhe Rahovec një rast 61 vjeç", tha ai.

Ramadani theksoi se numri i personave të infektuar deri më tani në Kosovë është mbi 45 mijë, derisa shtoi se janë bërë më shumë se 160 mijë testime.

Tutje, ushtruesi i detyrës së drejtorit të ShSKUK-së, Valbon Krasniqi ka treguar edhe personat të cilët janë të hospitalizuar në klinikat ku po trajtohen personat me COVID.

Krasniqi: Kemi një rënie të lehtë të numrit të hospitalizuar

"Këtyre ditëve numri i pacientëve të shtrirë që marrin shërbime në 24 orë ka kaluar numrin 1000. Për fat të mirë gjatë këtyre ditëve kemi një rënie shumë të lehtë të numrit të hospitalizuarve, dhe sot kemi 900 të hospitalizuar në të gjitha spitalet tona dhe klinikat e QKUK-së. Prej tyre janë 640 me oksigjeno-terapi të vazhdueshme 24 orëshe. Dhe janë rreth 40 pacientë të tjerë të cilët janë në gjendje më të rënduar shëndetësore, të cilët i vlerësojmë si kritike, qoftë të intubuar, qoftë me metodën tjetër invazive", theksoi ai.

Ai u zotua se ShSKUK po ofron shërbime për të gjithë ata që kanë nevojë, e po ashtu të ofrojë barna për pacientët.

I pyetur se disa qytetarë kanë shpenzuar deri në 5 mijë euro për trajtimin e familjarëve me COVID, ai tha se ky çmim është tepër i madh, andaj nëse kanë dëshmi ta dokumentojnë atëherë ata do të ndihmohen.

Krasniqi: Çmimi prej 5 mijë euro është tepër i madh

“Është pak tepër i madh çmimi prej 5 mijë euro për trajtimin e pacientëve me COVID. Sidoqoftë unë inkurajojë të gjithë ata që kanë dëshmi të tilla të cilët kanë shpenzuar gjithë ato barna për blerjen e medikamenteve të dokumentojnë ato dhe të shohim si mund t’ju ndihmojmë qytetarëve. Ne asnjëherë nuk kemi thënë që po furnizojmë 100 për qind të gjithë spitalet, ”, tha Krasniqi në një konferencë për media.

Zemaj ka folur edhe për kërkesat e gastronomeve për zgjatjen e orarit, i cili tha se tashmë ka kaluar Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike, dhe se kufizimet po bëhen kudo në botë për shkak të gjendjes me pandeminë.

Ai theksoi po ashtu se janë në pritje të një përgjigje, sa i përket raportit të kërkuar se a ka familjarë që qëndrojnë me pacientë në klinika.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat