​Kusari-Lila për privatizimin e KEDS-it: I paarsyeshëm intervistimi përderisa ka aktakuzë për 5 ish-ministra

Aktuale

​Kusari-Lila për privatizimin e KEDS-it: I paarsyeshëm intervistimi përderisa ka aktakuzë për 5 ish-ministra

Më: 14 dhjetor 2020 Në ora: 16:57
Foto

Intervistimi i deputetes Mimoza Kusari-Lila për sqarimin e një deklarate në një televizion për procesin e privatizimit ka dështuar, pasi kërkesa e deputetit nga PDK, Gazmend Bytyqi, anëtar në Komisionin hetimor parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë, është tërhequr për shkak se doli që nuk është i saktë pretendimi se Kusari-Lila ka deklaruar që “PDK ka qenë shkatërruese në procesin e privatizimit”.

Deputeti Bytyqi pas vërtetësisë së deklaratës nga Komisioni, i ka kërkuar falje deputetes Kusari-Lila, pasi ajo deklaratë ka qenë nga dikush tjetër në një studio televizive në vend.

Megjithatë, deputeti nga PDK ka kërkuar që intervistimi i deputetes të ndodhë sot si ish-ministre, pasi siç tha ai, Kusari-Lila ka qenë pjesë e procesit të privatizimit të KEDS-it. Bytyqi tha se për të njëjtin proces është intervistuar për më shumë se dy orë edhe ish-ministri Besim Beqaj.

Bytyqi: I kërkoj falje deputetes Kusari-Lila

“Unë e kam kuptuar që ju keni thënë: “krimin e organizuar në privatizim e ka bërë PDK-ja”. Ndërsa, deklarimi i juaj është tjetër... Nëse ju dëshironi që të ndani informacione shtesë për këtë çështje do të ishit e mirëseardhur, nëse jo, atëherë unë ju kërkoj ndjesë për ketë ftesë, sepse nuk qëndron arsyeja që ju kemi ftuar”, tha Bytyqi.

Ndërsa, deputetja Kusari-Lila e cila bën pjesë në grupin e ish-ministrave për aktakuzën e ngritur për procesin e privatizimit të KEDS-it rrjedhimisht edhe të hidrocentraleve, deklaroi aktakuza është publike dhe nuk ka çka të shtojë në këtë drejtim.

Kusari -Lila theksoi po ashtu se e sheh të paarsyeshme me qenë pjesë e raportimit të privatizimit përderisa është një aktakuzë për pesë ish-ministra.

Kusari-Lila: Nuk e shoh të arsyeshme të jem pjesë e dëshmisë, ka aktakuzë për 5 ish-ministra

“Përveç në rolin e anëtares së Komisionit Ndërministror Qeveritar, s’kam qenë në pozitë vendimmarrëse veç unë, por kemi qenë grup i ministrave. Përderisa s’kam pasur vendimmarrje individuale dhe përderisa është edhe procesi gjyqësor dhe pa qenë krejt ish-Komisioni Qeveritar dhe pa qenë krejt Komisioni për Privatizim e shoh të pa arsyeshme me qenë subjekt i dëshmisë... Nëse ftohemi për periudhën e Qeverisë Thaçi 2, jemi pesë ministra, dy këshilltarë, anëtarë të tjerë, të cilët nuk bën me u ndarë, sepse ka qenë një kryesues dhe ne të tjerët kemi qenë anëtarë. Kaq, për mua personalisht sot me kaq fillon dhe mbaron kjo dëshmi. Për pjesën tjetër po më vjen keq që është keqinterpretuar prej kujtdo që është keqinterpretuar, por mirë që janë incizimet dhe kanë dëshmitë ashtu siç janë thënë në emisionet televizive”, tha Kusari-Lila.

Edhe deputeti i AAK-së Bekë Berisha tha se një pjesë të përgjegjësisë për privatizim e mban edhe deputetja Mimoza Kusari-Lila, sipas të cilit ka qenë pjesë e pushtetit në një kohë.

Berisha: Kusari-Lila ka pasur përgjegjësi për privatizimin

“Ti kaherë je në pushtet, ke pas përgjegjësi. Por, tash pasi që je në VV, dhe kur të hynë në këtë parti është sikur me hyrë në ‘ujë të ftohtë për t’i larë krejt gjynahet’”, tha Berisha.

Komisioni ka liruar sot nga intervistimi ish-ministren Kusari-Lila, por që vendosi që të ftojë për intervistë të gjithë anëtarët e ish-Këshillit Ndërministror të privatizimit të ndërmarrjeve publike, në këtë rast të KEDS-it.

Ndërsa, ish-zëvendës drejtori i AKM-së Ilir Salihu derisa ka raportuar gjatë ditës në Komisionin hetimor parlamentar lidhur me procesin e privatizimit, theksoi se nuk ka pasur presion politik për procesin e privatizimit në periudhën sa ka shërbyer në Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit.

Salihu, i cili ka kryesuar edhe bordin e PTK-së në atë periudhë, tha se nuk ndihet përgjegjës për siç tha ai për devijimin e thirrjes për krijimin e një operatori virtual në Postë Telekomin e Kosovës.

Ai tha se ideja ka qenë që të bëhet një konkurrencë ndaj operatorit të dytë, duke krijuar një operator virtual, por, që më vonë kjo nisëm apo thirrje ka devijuar nga një bord i ri ose menaxhment i ri.

Kryesuesi i Komisionit Hajrullah Ceku dhe anëtari tjetër Hekuran Murati me insistim kanë kërkuar përgjegjësi për përgatitjen e procesit për operatorin virtual, e që më vonë kjo ndërmarrje kishte lidhe kontratë me “Dardafon” për produktet e telefonisë mobile “Z-mobile”.

Sërish Salihu tha se nuk mban asnjë lloj përgjegjësie për atë çka ka ndodhur me kontratën e operatorit mobil. Ai tha se bordi tjetër në vazhdim dhe menaxhmenti mbajnë përgjegjësi.

Saliu: Nuk është përgjegjësia ime për ardhjen e “Z-mobile” në PTK

“Përgjegjësia ime ka qenë për të përgatitur kompaninë (PTK) për konkurrencë. Janë ndër marrë hapat në atë drejtim, në një moment të caktuar unë kam dhënë dorëheqje, se çka ka ndodhur pas andej nuk është e imja me vlerësuar e as me gjykuar. Përgjegjësia bie tek organet që kanë vazhduar procesin, bordi dhe menaxhmenti. Organet vendimmarrëse, menaxhmenti dhe bordi janë organe vendim marrëse”, ka thënë Salihu gjatë intervistimit.

Salihu ka mohuar të ketë qenë anëtar i ndonjë partie politike në vend, por që pranoi se ka qenë këshilltar në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, e cila drejtohej nga ministrja Hykmete Bajrami në periudhën 2014-2015. Salihu në AKM kishte shërbyer nga muaj dhjetor 2005 deri në qershor 2008.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat