Dëshmia në Speciale/ Ibrahim Kelmendi zbulon detaje për Sylejman Selimin, Agim Çekun, Bislim Zyrapin...

Aktuale

Dëshmia në Speciale/ Ibrahim Kelmendi zbulon detaje për Sylejman Selimin, Agim Çekun, Bislim Zyrapin...

Nga: Ibrahim Kelmendi Më: 14 dhjetor 2020 Në ora: 19:31
Selia e Gjykatës Speciale

2.4.1. Sylejman Selimi, Komandanti i parë i SHP-së

Sylejman Selimi ka qenë komandanti i parë i Shtabit të Përgjithshëm (SHP), emrin e të cilit SHP e ka bërë publik. Ai është zgjedh nga komandantët e zonave dhe ndonjë komandant tjetër, më 6 shkurt 1999. Pra, pak orë para fillimit të Konferencës së Rambujesë është
publikuar emri i tij si Komandant i SHP.

Ata (komandantët që e kanë zgjedh Sylejmanin) kanë gjykuar që emri i komandantit të SHP të UÇK-së duhej të publikohej para fillimit të Konferencës së Rambujesë, që UÇK-ja të ketë më shumë legjitimitet, duke I publikuar emrat real të komandantëve, e jo si deri atëherë me “gjarpni”, “zeka”, “dhetshi”, “daja”...

Pjesë e atij SHP të UÇK-së, ata të NPK-ja, e kishte selinë në Tiranë. Tre nga ata i ishin imponuar Delagcionit në Rambuje (Hashimi, Xhaviti, Azemi), sepse ata i favorizonin diplomatët operativ që ishin përcaktuar ta vikimizonin Kosovën në atë Konferncë.

Marionetat komplotiste, pjesëmarrëse në Konferencë të Rambujesë, sidomos pseudokomandanti Azem Syla, e përjetuan rëndë zgjedhjen/ caktimin e Sylejman Selimit për komandant të UÇK-së. Ata i ka pas përfshirë ankthi për të ardhmen e tyre, prandaj atë zgjedhje/caktim të Sylejman Selimit e diskualifikuan si puç ushtarak. Por Sylejman Selimi u zëvndësua vetëm kur në Kosovë hyri Gjeneral-majori Agim Çeku, më 17 prill 1999.

2.4.2. Gjeneral-koloneli Agim Çeku

Agim Çekun, në vitet para se të angazhohej në UÇK, ishte anëtar i Shtabit të Ushtrisë kroate. Në vitin 1996, pasi në kufirin austriakoslloven kufitarët sllovenë na kthyen Fehmi Lladrovcin dhe mua, që ishim në rrugëtim me auto për të takuar ushtarakët që i njihnim në Slloveni dhe Kroaci, Fehmiu thirri Agimin për të marrë pjesë në një takim konsultues me ushtarakët e strehuar si azilantë në shtete e Perëndimit. Takimi, ku merrnim pjesë rreth 25 veta (isha edhe unë), e pat organizuar ushtaraku Ramadan Gashi35, i strehuar në Zvicër.

Takimi qe bërë në Cyrih, nëse e kam mbajt mend tamam vendin e takimit. Z. Çeku pat ardhë i shoqëruar me dy badiguarda të Ushtrisë kroate. Në atë takim u diskutua për përgatitjen e ushtarakëve të karrierës, për të hyrë në Kosovë, si përforcim profesionist për UÇK-në, meqë parashikohej fillimi i luftës në Kosovë. Fehmi Lladrovcit, Agim Çekut dhe shumica e pjesëmarrësve në atë takim, u patën pajtuar për fillimin e përgatitjeve të ushtarakëve, për të hyrë në Kosovë.

Agim Mehmeti, ndërkaq, këmbëngulte, siç thoshte vetë, në “institucionalizime legale”. Sipas tij, nuk mund të kishte ushtri pa e formuar e komanduar „presidenti“ Ibrahim Rugova. Debati ndërmjet kolonelit Mehmetit dhe gjeneralit Çeku, në Takimin e Cyrihut, qe shumë i ashpër. (Koloneli Agim Mehmeti, tashmë i ndjerë, më 7 mars 1997 është „caktuar“ zëvendës i kolonelit Ahmet Krasniqi. Ai ka folur në tubime të ndryshme dhe ka botuar edhe libër për formimin dhe komandimin e FARK-ut…)

Z. Çeku qysh atëherë na pat thënë se, sipas rregullave në Kroaci, një anëtar i Shtabit të Ushtrisë së Kroacisë, dy vjet i nënshtrohet procedurës për t’u liruar plotësisht nga Ushtria kroate. Pas momentit të miratimit të kërkesës së tij për lirim. Kështu, i bie që në fillim të prillit 1999, shteti kroat e ka liruar gjeneralin Çeku nga përgjësitë komanduese në Ushtrinë kroate.

Çeku ka hyrë në Kosovë më 17 prill 1999. Pseudo kryeministri Thaçi e ka emëruar komandant të SHP-së gjeneralin Çeku, ndërkaq, vetveten Thaçi, me atë rast, duhet ta ketë emëruar komandant të përgjithshëm të UÇK-së. Vendimet përkatëse duhet të jenë në ndonjë dosje të fshehur ose të konfiskuar nga KFOR-i apo UNMIK-u.

2.4.3. Koloneli Bislim Zyrapi

Kolonelin Zyrapi e pata cituar më lart, për dëshmi të rreme, e cila është „zyrtarizuar“ në Aktgjykimin e Ramush Haradinajt të Gjykatës „Ndërkombëtare“ , në Hagë, më 29.11.2012. Edhe njëherë uroj të mos e ketë bërë dëshminë nën betim, meqë dëshmitë e rreme, nën betim, janë vepër penale.

Koloneli Bislim Zyrapi duhet të ketë hy në Kosovë rreth mesit të majit 1998. Nga 9 marsi 1998 deri kur ka hyrë në Kosovë, ai ka qëndruan në Tiranë, si edhe ushtarakët e tjerë, në pritje të sistemimit nga shtabi (inekzistent) i UÇK-së. Në fakt, Xhavit Haliti dhe Azem Syla e sabotonin hyrjen e oficerëve në Kosovë, sepse trembeshin që do ua „grabisnin“ UÇK-në. Koloneli Zyrapi duhet ta ketë filluar grupimin e kuadrove, qysh kur ka hy në Kosovë, për ta bërë një shtab, që do ta koordinonte komandimin qendror. E kam me të dëgjuar që „Drejtori“ Gjarpni/Hashim Thaçi/ e kishte rrahur kolonelin Zyrapi, në mënyrë që ky i fundit ta kuptonte se nuk ishte komandant edhe i Gjarpnit.

Ishte e kundërta: „Drejtori“ Thaçi ishte kryekomandant, edhe i Kolonelit Zyrapi. [Për të mos e rrëfyer atë krim, Gjarpi duhet ta ketë angazhuar këshilltar në Presidencë Kolonelin Zyrapi, siç ka vepruar edhe me të tjerë, për t’i heshtur, si rasti me Gjergj Dedajn, tani ambasador i Kosovës në Makedoni.]

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat