Vjosa Osmani në Tiranë flet për Isa Mustafën, ja çfarë thotë për zgjedhjet

Aktuale

Vjosa Osmani në Tiranë flet për Isa Mustafën, ja çfarë thotë për zgjedhjet

Më: 16 dhjetor 2020 Në ora: 13:05
Vjosa Osmani dhe Ilir Meta

(E plotësuar 19:49) - Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, tha se zgjedhjet nuk duhet të shihen si diçka që e dëmtojnë vendin, por si diçka që i ndihmojnë zhvillimit të demokracisë dhe se prodhojnë institucione më të forta.

Osmani tha se ish-shefi i saj i partisë Isa Mustafa, nuk është i interesuar të shkojë në zgjedhje, prandaj tha se janë edhe të gjitha përpjekjet për të zgjedhur president të ri.

Këto komente, Osmani i bëri gjatë konferencës së përbashkët me presidentin e Shqipërisë Ilir Meta, gjatë vizitës tri ditore në Shqipëri.

Osmani: Nuk e besoj që z.Mustafa është i interesuar që të shkojë në zgjedhje

“Nuk e besoj që z.Mustafa është i interesuar që të shkojë në zgjedhje, prandaj edhe të gjitha përpjekjet për të zgjedhur një president të ri. Por unë nuk do të merrem me ato që i thotë sepse ka një kohë tepër të gjatë që nuk kam dëgjuar se çfarë thotë për shkak se jam jashtëzakonisht shumë e zënë duke u marr me sfidat të cilat janë në institucione, shumë prej të cilave janë edhe për faj të tij. Kështu që, tani duhet të merrem me to dhe nuk kam kohë që t’i dëgjojë ato deklarata. Por, çfarë dua të them është që sa më parë që të mbahen zgjedhjet aq më mirë për iniciativën që do të udhëheqë, por kurdo që mbahen besoj që qytetarët e Kosovës do të flasin me një zë të fuqishëm pro konsistencës e kundër mos mbajtjes së fjalës”, tha ajo.

Osmani është pyetur edhe rreth asaj se a do të ftojë një tryezë me partitë politike për dakordim për presidentin e ri të Kosovës, për çka Osmani tha se e ndjen obligim të ftojë liderët në takime për çështje që janë interes i qytetarëve siç është pandemia, ekonomia dhe për dialogun Kosovë-Serbi.

Omsani: Mos zgjedhja e presidentit nuk qon në një katastrofë

“Natyrisht që e ndjejë për obligim që t’i ftojë liderët politik në takime për çështje që janë në interes dhe interes imediat i qytetarëve të Kosovës dhe ato janë pandemia në radhë të parë, çështjet që kanë të bëjnë me ekonominë në radhë të dytë dhe tema e dialogut Kosovë-Serbi i cili historikisht ka kërkuar dhe akoma kërkon unifikim të spektrit politik kosovar. Mirëpo, çështja e zgjedhjes së presidentit është çështje e partive dhe në Kushtetutën tonë presidenti i vendit përfaqëson unitetin popullor jo domosdoshmërish atë partiak. Që do të thotë obligim i imi parësor është që të thërrasë liderët dhe të flas me ato që janë interes qytetar e jo ato që mund të jenë interes afatshkurtër i partive të caktuara. Siç e thash më herët, mos zgjedhja e presidentit nuk qon në një katastrofë, por në fakt qon në zgjedhje të cilat sjellin më shumë demokraci. Prandaj, si presidente në detyrë mendoj që do të ishte gabim i madh të interferoja në çfarëdo bisedimi që sot disa parti po e bëjnë, por përkundrazi detyra ime është që thjeshtë të siguroj stabilitet të institucionit që udhëheqë, por edhe të Kuvendit dhe të flas me të gjithë liderët për një menaxhim më të mirë dhe të përbashkët të gjithë spektrit për pandeminë dhe për riunifikim të pozicionit tonë karshi Serbisë”, tha ajo.

Edhe presidenti i Shqipërisë Ilir Meta është pyetur rreth preferencës së tij për presidentin e ri të vendit, për çka tha se nuk i pëlqen të ndërhyjë dhe si presidenti i pëlqen të bëjë çdo gjë për të nxitur bashkëpunimin mes institucioneve të të dyja vendeve.

Vjosa Osmani: Vendet tona kanë raporte motrash se janë më të sinqerta, na duhet ndihma e Shqipërisë

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Shqipëri ka kërkuar nga presidenti shqiptar Ilir Meta, që Kuvendi i Shqipërisë të miratojë rezolutën përmes të cilës do ta dënonte gjenocidin serb të kryer në Kosovë.

Osmani tha se këtë rezolutë ku flitet për krimet e kryera nga Serbia dhe që kërkohet që kryerësit të dalin para drejtësisë tashmë Kosova e ka miratuar, ndërsa tha se natyrshëm presin që vendi i dytë që do ta miratojë të njëjtin të jetë Shqipëria.

Osmani: Kuvendi i Shqipërisë të miratojë rezolutën që do të dënonte gjenocidin serbë në Kosovë

“E para ka të bëjë me kërkesën tonë, që Kuvendi i Shqipërisë të miratojë deklaratën ose rezolutën ose vendimin sido që duhet në përputhje me rregullat e Kuvendit që do të dënonte gjenocidin serbë në Kosovë. Kuvendi ynë tashmë e ka miratuar këtë deklaratë, ku flitet për krimet e kryera nga Serbia dhe kërkohet që kryerësit të dalin para drejtësisë dhe është krejtësisht e natyrshme që presim që vendi i dytë që ta bëjë këtë pas Kosovës të jetë Shqipëria”, tha ajo.

Për këtë kërkesë, presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, tha se shpreh solidaritetin e plotë dhe se beson që institucionet e Shqipërisë do të tregojnë solidaritetin e tyre.

Meta: Dua të shpreh solidaritet të plotë me rezolutën e Kuvendit të Kosovës

“Dua të shpreh solidaritetin të plotë me rezolutën e Kuvendit të Kosovës që dënon gjenocidin serb të ndodhur në Kosovë dhe është një moment për të kërkuar drejtësi deri në fund për të gjithë viktimat e këtij gjenocidi dhe të kësaj dhune, pasi ende e dimë që vrasësit e vëllezërve Bytyqi janë të lirë dhe madje gëzojnë edhe mbrojtje të veçantë edhe pse ka edhe një rezolutë të Kongresit amerikan për këtë çështje. Por, edhe dimë mijëra e mijëra raste të dhunimeve, të përdhunimeve të ndodhura në Kosovë dhe të pagjeturve ende. Kështu që në këtë drejtim unë besoj që institucionet e Shqipërisë do të tregojnë solidaritetin e tyre”, tha ai.

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës Vjosa Osmani, në konferencën e përbashkët me presidentin e Shqipërisë Ilir Meta, tha se Kosova ka ende nevojë për ndihmën e Shqipërisë.

Osmani: Sërish kemi nevojë për ndihmën e madhe të Shqipërisë

“Ju e dini që rruga e Kosovës ka qenë gjithnjë përplot sfida, i gjithë procesi ynë i shtet ndërtimit, por Shqipërinë gjithnjë e kishim në krahë dhe tani është përplot sfida rruga jonë tutje kur para syve tanë po tentohet të përmbyset e vërteta dhe e vërteta është që në Kosovë është Serbia ajo që ka kryer gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Nuk ka një të vërtetë tjetër dhe këtë të vërtetë e ka parë të gjithë botën mbarë me sytë e vet, sepse ka ndodhur para syve të botës. Por, në mënyrë që të mos lejojmë të përmbyset e vërteta ne sërish kemi nevojë për ndihmën e madhe të Shqipërisë, kemi nevojë që Shqipëria të na qëndrojë pranë dhe që të jetë zëri ynë aty ku ne nuk kemi zë, qofshin ata mekanizma rajonal apo edhe organizata ndërkombëtare ku po tentohet të paraqitet një pasqyrë për Republikën tonë, e cila fare nuk ka të bëjë me realitetin. Prandaj, edhe diskutuam me z. President se si mund t’i bëjmë edhe më efektive këto bashkëpunime në aspektin e fuqizimit ndërkombëtarë të Republikës sonë sepse përderisa kemi prezencë në disa prej këtyre mekanizmave Kosova akoma nuk ka ulëse siç e dini në një numër të madh të organizatave ndërkombëtare dhe aty do të kemi nevojë që të intensifikohet ndihma nga Shqipëria dhe në të njëjtën kohë të rritet zëri i Shqipërisë”, tha ajo.

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, tha se e ka siguruar Osmanin se do të vazhdojnë ta mbështesin Kosovën me të gjitha energjitë, sovranitetin dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.

Meta, tha se mbështet ish-drejtuesit e institucioneve të Kosovës dhe të UÇK-së për t’u përballur me drejtësinë në mënyrë për të konfirmuar edhe njëherë drejtësinë e luftës së popullit përballë gjenocidit monstruoz serb.

Meta: Shpreha mbështetjen time ndaj ish drejtuesve të institucioneve të Kosovës dhe UÇK-së

“Në këtë kontekst vlerësova qëndrimin dinjitoz dhe shpreha mbështetjen time ndaj ish drejtuesve të institucioneve të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës si dhe gatishmërinë e plotë të tyre për tu përballu me drejtësinë në mënyrë për të konfirmuar edhe njëherë drejtësinë e luftës së popullit përballë gjenocidit monstruoz serbë në zemër të Evropës. Vlerësova qëndrimin e madh, qetësinë dhe unitetin e shfaqur nga të gjithë, nga presidentja në detyrë nga kuvendi, siguria forcat kryesore politike në këto qaste të rëndësishme për të krijuar funksionimin e institucioneve në mënyrë demokratike por edhe përballimin e sfidave me të cilat ndeshet shteti i Kosovës”, tha ai.

Osmani e Meta kanë folur rreth idesë së shkëmbimit të territoreve, të cilët të dy e quajtën të rrezikshme.

Osmani tha se kjo ide sado që mund të mendohet që është e vdekur beson që pas një kohe mund të rikthehet në tavolinë.

Osmani: Unë besoj që pas një kohe mund të rikthehet në tavolinë

“Qëndrimin e tij të prerë kundër idesë së tmerrshme dhe aventurës së rrezikshme për ndryshim kufijsh. Sado që mund të mendohet që kjo është një ide e vdekur unë besoj që pas një kohe mund të rikthehet në tavolinë, prandaj është i domosdoshëm një zë i fuqishëm edhe në Shqipëri, po edhe në Kosovë që bashkërisht të kundërshtojmë këto ide të cilat më shumë se që janë absurde dhe e destabilizojnë rajonin thjeshtë janë një shpërblim me territor për një shtet si Serbia, i cili ka kryer gjenocid”, tha ajo.

Edhe krijimi u Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, Osmani tha se është një lloj paralajmërimi për një ndarje më të vonshme dhe të njëjtën e quajti ide shumë të rrezikshme. Ajo tha se ka kërkuar nga kryeministri që një temë e tillë të mos hapët më asnjëherë, derisa tha se një marrëveshje finale me Serbinë do të përfshinte njohjen në kufijtë aktual.

Presidenti Ilir Meta tha se çdo ide për ndryshim kufijsh është i tmerrshëm, ndërsa u pyet në lidhje me deklaratën e tij të hershme se kryeministri Edi Rama ishte ideatori për ndarjen e Kosovës.

Meta: Çdo ide për ndryshim kufijsh në Ballkan është i tmerrshëm

“Qëndrimi im ka qenë dhe është i qartë se çdo ide për ndryshim kufijsh në Ballkan është i tmerrshëm, siç dha dhe zonja Osmani. Është provuar se është kriminal që sjell gjenocid, shkatërrim, armiqësi, dëme të jashtëzakonshme dhe shpopullim. Në këtë drejtim nuk ka vend më për të ndodhur ndonjë eksperiment në Ballkan. E vetmja rrugë e përbashkët është integrimi drejt BE, dhe respektimi i pakicave dhe të drejtave të tyre. Ky ka qenë qëndrim i qartë, është dhe do të jetë gjithmonë i imi. Të gjitha institucionet e Shqipërisë për 20 vite e kanë pasur dhe kanë këtë qëndrim, cilido që del në mënyrë publike apo në mënyrë informale jashtë këtyre qëndrimeve, bën një politike që nuk është në shërbim të politikës shqiptare e në interes të politikës kombëtare dhe kuptohet që kjo i shërben vetëm atyre që kërkojnë të rehabilitojnë të kallurën kriminale në Ballkan përmes riaktivizimit të ideve të tilla”, tha ai.

Osmani tha se me presidentin Meta kanë diskutuar edhe për procesin integrues në BE.

Osmani: Diskutuam gjatë për procesin integrues në Bashkimin Evropian

“Diskutuam gjatë për procesin integrues në Bashkimin Evropian, natyrisht që Kosova këto ditë po punon drejtë këtij interesi strategjik në të njëjtën kohë për ne është po aq e rëndësishme integrimi në NATO dhe këtu besoj që nga Shqipëria mund të mësojmë shumë dhe do ta presim këtë mbështetje në mënyrë që është flamuri i Republikës sonë të valojë përkrahë flamurit shqiptar në selinë e NATO-së. Për sa i përket integrimit në BE, ne vazhdimisht kemi qenë të zëshëm si Kosovë që qytetarët e Shqipërisë meritojnë që të ecin përpara, ne e kemi një shtet si Serbia që përkundër faktit që akoma e destabilizon gjithë rajonin ka hapur negociatat dhe ka hapur një sërë kapitujsh sa i përket procesit integrues, kurse për Kosovën është bërë i pamundur progresi i mëtejshëm për shkak të mungesës së liberalizimit të vizave, sepse edhe vet implementimi i marrëveshjes së Stabilizim Asocimit po ngec për shkak të bllokimit të lirisë së lëvizjes”, tha ajo.

Osmani ka folur edhe rreth projektit të mini-shengenit ballkanik, për çka tha se ajo nuk e ka ndryshuar qëndrimin që e ka pasur në vitin 2019, e të cilin qëndrim tha se edhe nesër do t’ia paraqes kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama.

Osmani: Ta bindim z.Rama që ky nuk është një projekt që e favorizon Kosovën, por as Shqipërinë

“Shpresa ka qenë që do të kemi mundësi që ne ta bindim z.Rama që ky nuk është një projekt që e favorizon Kosovën, por as Shqipërinë në fakt, por si duket në ndërkohë ai bindi kryeministrin Hoti i cili e nënshkroi marrëveshjen e Uashingtonit e cila ndër të tjera i referohet kësaj marrëveshjeje. Ajo çka do të kërkojë megjithatë si ushtruese e detyrës së presidentes së Republikës dhe kryetare e Kuvendit institucionit më të lartë përfaqësues në vend është ta kemi dokumentin sepse ne akoma vetëm flasim, nuk kemi asnjë dokument të vetëm rreth asaj se çka është ky mini-shengen, çka është kjo iniciativë, çka përmban. Mirëpo, mendoj që nga fillimi ishte gabim sepse parimi bazë mbi të cilin iniciativat rajonale kanë sukses është parimi i gjithëpërfshirjes, siç e dini kjo iniciativë nuk e ka përfshirë Kosovën nga fillimi, nuk është konsultuar Kosova dhe akoma jemi në një stad ku as presidenca as Kuvendi nuk është njoftuar se çka ka qëllim”, tha ajo.

Osmani e Meta, u shprehen se në këtë takim kanë diskutuar edhe për menaxhimin e pandemisë COVID-19 dhe mundësisë për rritje të bashkëpunimit sa i përket furnizimit me vaksinën anti-COVID.

Osmani kundër minishengenit: Shpresoj se do të bind Ramën që projekti nuk favorizon Kosovën dhe Shqipërinë

Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani, mbetet e pandryshuar në qëndrimin e saj për Minishengenin Ballkanik.

Madje Osmani shpreson se do të bindë dhe kryeministrin Rama që ky nuk është projekt që favorizon Kosovën dhe Shqipërinë.

Ajo tha se do kërkoj të ketë dokumentin pasi vetëm flitet por nuk ka asnjë dokument që tregon se çfarë është ky minishengen.

Osmani: Sa i përket minishengenit kam akoma të njëjtin qëndrim. Ia kam përcjellë kryeministrit Rama gjatë vizitës në nëntor dhe do ta përsëris të njëjtën gjë dhe nesër. Ka shumë argumente mbi bazën e të cilëve kemi ndërtuar atë qëndrim. Ka shumë shpresa për ta bindur kryeministrin Rama që ky nuk është projekt që favorizon Kosovën dhe Shqipërinë. Fatkeqësisht ai e bindi kryeministrin Hoti që ta nënshkruajë. Ajo çka do kërkoj është ta kemi dokumentin. Ne vetëm flasim, por nuk kemi asnjë dokument se çfarë është ky minishengen. Mendoj që nga fillimi është gabim.

Kjo iniciativë nuk e ka përfshirë Kosovën nga fillimi, nuk është konsultuar Kosova. Presidenca nuk është njoftuar se çka zyrtarisht e ka qëllimin. Kemi iniciativa të tjera që përkundër mbështetjes së madhe ndërkombëtare, Serbia nuk i ka zbatuar. Mund të duket si një iniciativë që ka qëllimin e njëjtë por e mira do ishte të shkrihej në iniciativat e tjera. Kemi treguar dhe ofruar dorën e bashkëpunimit për gjithë rajonin, përfshirë Serbinë që nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera. ne kërkojmë përfshirje të barabartë. Ajo çka kemi dëgjuar nga mediat për minishengenin, në masë të madhe i shkojnë në leverdi Serbisë se sa Kosovës e Shqipërisë.

***

 Presidenti Ilir Meta ka pritur në një takim homologen kosovare, presidenten në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmani.

Gjatë një deklarate të përbashkët për mediat, Meta nënvizoi rëndësine e thellimit të bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Me rëndësi është thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve. Falenderoj Vjosa Osmani për vullnetin. Një ndër më të rëndësishmet është sfida e pandemisë së Covid-19, pasojat e rënda ekopnomike sociale, në këtë drejtim ne kemi treguar vullnetin për të bashkëpunuar të dy vendet që ta kaërcejmë sa më mirë, me një kosto sa më të ulët. I shpreha falenderimet Osamanit dhe të gjithë popullit të Kosovës për ndihmën e që ka dhënë Kosova për Shqipërinë si në rastin e tërmetit të 26- nëntorit. Kjo vizitë do të na shërbejë për të forcuar marrëdhëniet dhe për të konfirmuar faktin se Shqipëria dhe Kosova mbeten faktorë të rëndësishëm.”, deklaroi Meta.

Vjosa Osmani i quajti raportet mes dy vende si raporte motrash, pasi motrat janë më të sinqerta. Ajo kërkoi mbështetjen e Shqëpërisë për evidentimin e krimeve të Serbisë.

“Unë i quaj raporte motrash, se janë më të sinqerta, jo raporte vëllazërore. Rruga e Kosovës ka qenë gjithnjë plot sfida, por Shqipërinë e kishim gjithmonë në krah. E vërteta është se në Kosovë është Serbia që ka kryer gjenocid dhe krime lufte. Ne kemi nevojë për ndihmën e Shqipërisë që të mos tjetërsohet e vërteta.”, deklaroi Osmani.

Osmani vlerësoi qëndrimin e prerë të  Metës kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës.

15:53 Fillon takimi mes Vjosa Osmanit dhe Ilir Metës

Ushtruesja e detyrës së Presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani është pritur me nderime të larta shtetërore nga presidenti Ilir Meta në Shqipëri.

Ajo ka filluar sot vizitën 3 ditore në shtetin shqiptar, teksa vizitën e parë e bëri në Lezhë tek Memoriali i Skënderbeut.

 Tani edhe ka filluar takimi në mes të dyshes në objektin e Presidencës në Tiranë.

Ajo Metës i përcjelli edhe një dhuratë nga gratë që ishin viktima të dhunës së luftës së fundit në Kosovë.

“Janë të gjitha të mbijetuara të asaj lufte. Sot dhimbjen e tyre e kanë kthyer në guxim dhe në forcë. Shpresoj shumë që do të gjejnë vend që të tregojë dhimbjen e tyre dhe historinë e Kosovës edhe në zyrën tuaj”, tha ajo.

Në ndërkohë për këtë dhuratë falënderues ndaj Osmanit ishte Meta.

Pritja është organizuar në Pallatin e Brigadave. Osmani e Meta do të kenë një konferencë të përbashkët për medie në orën 17:00.

Vjosa Osmani nis vizitën zyrtare në Shqipëri, bën homazhe te Memoriali i Skënderbeut në Lezhë

U.d. Presidentja e Kosovës, dr.Vjosa Osmani ka nisur një vizitë dy ditore në Shqipëri me një homazh të Memoriali i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Lezhë.

Ajo tha se nisja e vizitës me homazh te varri i heroit kombëtar është në funksion të rikujtimit të strategut që bëri shumë me projektin integrues mesjetar, duke u shndërruar në fortifikatë të civilizimit perëndimor.

Sipas saj, figura e Skënderbeut duhet të shërbejë si model i unifikimit në kohë të trazuara si kjo e sotmja.

“Ai bëri atë që na duhet më së shumti sot. Përveç se ishte gardian i vlerave të qytetërimit perëndimor, ishte edhe model i unifikimit. Ai dikur mbrojti vlerat e qytetërimit, të cilin e synojnë bashkë Kosova e Shqipëria”, ka theksuar u.d. Presidentja Osmani.

Ajo tha se figura e Skënderbeut është e përbotshme, siç janë Kosova dhe Shqipëria, të cilat pavarësisht sfidave e pengesave, në një të ardhme do të jenë pjesë e familjes së madhe evropiane.

***

Ushtruesja e detyrës së presidentit dhe Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani  nisi vizitën treditore në Shqipëri.

Në pikën kufitare në Vërmicë, Osmani u prit nga Protokolli i Shtetit të Republikës së Shqipërisë, ambasadori Minxhozi dhe këshilltari i Presidentit të Republikës, Arbër Bashkurti.

Osmani gjatë ditës së sotme do të bëjë nderime te memoriali i Gjergj Kastriotit Skënderbeut në qytetin e Lezhës.

Më pas, do të pritet me ceremoni shtetërore nga Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe në orën 17:00 do të mbajnë konferencë të përbashkët.

Ndërsa, të enjten më 17 dhjetor, Osmani do të takohet me Kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe do të vendosë kurorë lulesh te Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Po kështu, presidentja në detyrë do të mbajë fjalim në kuvend.

Ndërsa në orën 16:00, Osmani do të takohet me kryeministrin, Edi Rama.

Ditën e fundit të vizitës, të premten në orën 10:00 ajo do të takohet me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Ndërkaq, në orën 11:00, në Bashkinë e Tiranës do të takohet me kryebashkiakun Erion Veliaj, ku do të mbahet edhe ceremonia e dorëzimit të ‘Çelësit të Qytetit’.

Kurse, në orën 11:45 Osmani do të ketë takim me ish-kryeministrin, Sali Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat