Hashim Thaçi ka mbetur fillikat në qelitë e Hagës

Aktuale

Hashim Thaçi ka mbetur fillikat në qelitë e Hagës

Më: 16 dhjetor 2020 Në ora: 16:14
Hashim Thaçi

Nëse ka sot një njëri më të dëshpëruar në Kosovë, ai është pikërisht deri pak muaj më parë, njeriu më i fuqishëm i saj.

Bëhet fjalë për Hashim Thaçin, i cili sot në qelitë e burgut të Hagës, përveçse i izoluar nga bota që e rrethon e që s’mundet të komunikojë me askënd, e kanë braktisur të gjithë.

E ka braktisur partia e tij, ku ka plasur një garë e brendshme për poste presidenti e qeverie, pasi ishte Hashimi që e futi krimbin e pushtetit në një parti që e ka humbur totalisht lidhjen me terrenin dhe njerëzit e saj në bazë që janë të hutuar e nuk arrijnë të kuptojnë çfarë po ndodh.

Enver Hoxhaj, si mëkëmbësi në PDK sot thotë që është gati që të rrëzojë qeverinë e Avdullah Hotit dhe i lëshon sinjal Albin Kurtit të bëjë gati mocionin, e më pas shantazhon LDK-në e Ramushin që të bëjë pazarin e radhës për të hyrë në qeveri.

PDK e ka në zyrat e Kuvendit të Kosovës, kërkesën për mocion që ka nisur kryetari i grupit parlamentar të kësaj partie, Rexhep Selimi, që është sot edhe ai i burgosur në Hagë.

Nëse PDK e ka seriozisht, edhe për solidaritet ndaj Thaçit e Rexhës, thjesht duhet ta firmosë mocionin, e ai të shkojë në seancë e të votohet. Menjëherë vendi shkon në zgjedhje e gjithçka mbaron. Por natyrisht që kupola e traumatizuar e PDK-së, mendjen e ka vetëm tek postet.

E vetmja që e ka mbështetur moralisht Hashim Thaçin ka qenë edhe kundërshtarja e tij më e egër; Lëvizja Vetëvendosje.
Një nga udhëheqësit e saj kryesor, Glauk Konjuvca, deklaroi hapur mbrëmë se Hashim Thaçi është i pafajshëm.

Ishte një deklaratë shumë e rëndësishme politikisht por edhe nga aspekti human, ç’ka tregon kavalieri politike.
Hashim Thaçin e ka braktisur Ramushi, i cili që ditën e arrestimit të tij, shkoi me vrap në zyrat sipër Zanzibarit dhe i joshi ata që ta votonin për President, duke i ofruar poste e privilegje.

Ramushi, që Hashim Thaçin nuk e ka dashur kurrë, tani po lufton jo vetëm të marrë postin e tij, por edhe po bën ofensivë politike në bazën e PDK-së, kryesisht në Dukagjin e luginën e Rahovecit për të gjetur mbështetje për AAK-në.

Hashimin e ka braktisur Isa Mustafa, të cilin e bëri kryeministër dhe më pas i kërkoi të rrëzojë Albin Kurtin me shpresë se ikja e tij do të shpëtonte Thaçin nga Haga, ç’ka ishte idiotësia më e madhe politike në fund të karrierës, e që realisht i hapi rrugë rifreskimit të elitës politike të Kosovës.

Hashim Thaçin e kanë braktisur oligarkët që i pasuroi e ju dha kontrata e terrene publike, saqë presidenti është detyruar të kërkojë para në publik për të paguar avokatin e tij.

Devollët e Ramiz Kelmendin e të tjerë që i futi në rrethin e tij për të korruptuar mediat e përçarë Vetëvendosjen, mankthin e jetës së tij, që kur e rrëzoi nga qeveria zgjidhi gojën e vetëm shante e shante papushim në televizionet e Tiranës e Prishtinës.

Bertiste për të hequr frikën se e kam mundur Albin Kurtin çdo herë e papushim, kur sot ai është njeriu më i mundur dhe pa lavdi si asnjëri në historinë e vendit të tij dhe i vetmi që e përkrah është Albin Kurti.

E ka lënë vetëm Baton Haxhiu, pupili i tij që e përdori edhe si “spin doctor” edhe si “psikolog” edhe si sondazhist, kur ai një frazë të thjeshtë nuk di ta rendisë asnjëherë në rregull me kryefjalë, kallzus e kundrinor.

Sot Batoni argëtohet me armiqtë e kritikuesit e Thaçit në Tiranë, pasi nga Prishtina e kanë larguar të gjithë. Ngre pyetjen se “ku gabuam Tiranë-Prishtinë” kur gabimi më i madh është vetë Batoni.

Asnjë fjalë nuk thotë ai për shefin më jetëgjatë që ka pasur, e që e ka pasuruar aq shumë, madje e ka harruar fare që vetëm pak muaj më parë fliste për plane, territore e gjithçfarë fantazish që u shkrinë si kripa në ujë.

Hashimin e ka lënë vetëm edhe Edi Rama, i cili nuk e ka problem të shesë askënd për prapanicën e tij e që sot ka telashe të pafundme.

E ka braktisur natyrisht edhe Aleksandër Vuçiçi, me të cilin kërkonte të bënte natyrisht paktin i pari. E ka braktisur edhe Erdogani, që Thaçi e konsideronte “kardesh” për kokë, asnjë fjalë nuk ka thënë që kur Hashimi është në burg.

Politika nuk është një varg futjesh pas shpine i njerëzve që kanë punuar me ty, por është një marrëdhënie më komplekse që Hashim Thaçi realisht nuk arriti ta mësonte kurrë.

E kjo sepse asnjëherë nuk u ul të lexonte, që nga historia të cilën thotë se e ka studiuar me pasion. Duhet të mësonte që fjalimet t’i shkruante vetë që njerëzit të mos dëgjonin nga ai vetëm fraza të thata, por mendimin e vërtetë dhe botëkuptimin e Hashim Thaçit.

Megjithatë nuk është kurrë vonë, tani kohë ka dhe mund të nisë nga e para komunikimin e tij me njerëzit, që kërkojnë të mësojnë rrëfimin e sinqertë të njeriut që i kanë besuar dhe e kanë vënë në krye për disa vite.

Ndoshta kryeministër e President nuk e bëjnë më, por do të nisë të gjejë realisht njerëzit që nuk e lënë vetëm, pasi në këtë botë nuk ka vetëm batonë…./Pamfleti

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat