Flet infermierja që u kërcënua nga Bulliqi: Aktivistja e VV’së ma zuri karrigen 1 minutë pas orës 07:00

Aktuale

Flet infermierja që u kërcënua nga Bulliqi: Aktivistja e VV’së ma zuri karrigen 1 minutë pas orës 07:00

Më: 16 dhjetor 2020 Në ora: 16:46
Shpejtim Bulliqi

“Mos bëj çka bëj unë, bëj çka them unë,” duket se është bërë parulla tinëzare e Vetëvendosjes, partisë së Albin Kurtit, që vazhdon të atakohet nga njerëz të ndryshëm për punësime partiake në komunat që drejton – ashtu siç ishte atakuar edhe për kohën e shkurtër sa kishte pushtetin qendror.

Ganimete Haxhiu, kryeinfermierja në Spitalin e Podujevës, tregon se si po përballet me presione e kërcënime – vetëm e vetëm që një aktiviste e Kurtit të “rehatohet” në pozitën që mban ajo.

Kryeinfermierja e Spitalit të Podujevës përmes një shkrimi në Facebook denoncoi pushtetin e ri komunal, që tashmë udhëhiqet nga Shpejtim Bulliqi i VV-së, se ka shpejtuar që t’i marrë pozitën e saj.

Ajo akuzon Vetëvendosjen për presione në forma të ndryshme, përfshirë presionet psikike, dhe se po i kërkojnë largimin nga pozita që mban pa i ofruar asnjë dokument që vërteton vendimin.

Haxhiu ka sqaruar mënyrën se si ka nisur e gjithë kjo potere banale nga ana e njerëzve të Vetëvendosjes.

Ajo ka deklaruar se aktivistja e VV-së, Adelina Stublla, është paraqitur në zyren e saj një minutë pas orës shtatë – duke mbajtur pozitën e saj, të kryeinfermieres në spital – me urdhër të kryetarit të VV-së dhe drejtorit të ri komunal të shëndetësisë.

“A ka diçka më të tmerrshme se dikush me të ardhë në zyren (tënde) në ora 07:01 të mëngjesit, edhe me t’u prezantu “unë jam kryeinfermierja”, e unë pa ditë asgjë – kjo është e dhimbshme për fëmijët e mi që janë këtu,” u shpreh ajo emocionalisht në një telefonatë.

Për më keq, kryeinfermierja politike e dërguar nga VV-ja, i kishte dhënë asaj menjëherë urdhërin e parë – pushim nga puna.

“Kryeinfermierja e re më ka dhënë pushim, më ka liruar prej punës. Ajo më ka thënë që erdhi nga kryetari i ri i Podujevës (Shpejtim Bulliqi) në bashkëpunim me drejtorin e ri të Shëndetësisë. Ajo (Adelina Stublla) është aktiviste e Vetëvendosjes…” – u shpreh më tej Haxhiu.

Kryeinfermierja e pushuar nga puna në formë politike më tej është shprehur edhe se pushteti i kaluar, i udhëhequr nga LDK, i ka bërë probleme – por se ka rezistuar dhe ka vazhduar punën.

“Të njëjtën gjë e kam pasur edhe nga pushteti i kaluar. Unë jam me një situatë të palakmueshme, dokument nuk më japin, unë gjërat e mia personale jam obliguar që t’i largojë nga zyra dje, por vendim nuk më japin, kërkesat janë të vazhdueshme që të japë dorëheqje”.

Haxhiu thotë se nëse vendimi i vjen në formë të shkruar dhe zyrtare, atëherë do ta lirojë zyren menjëherë.

“Më ka ndodhur lloj lloj presionesh, që unë nuk e kIsha menduar që do të mund të më ndodhnin; unë jam simpatizuese e një partie politike, por jo anëtare; që 3 vjet jam në të njëjtën pozitë, në të njëjtin vend, në të njëjtën formë jam akuzuar edhe nga pushteti i kaluar. Unë i kam etiketuar njerëzit që nuk kanë dashur të punojnë, ata që kanë dashur të punojnë kanë punuar. Tash nuk po e kuptoj, me ardhë me mu prezantu kryeinfermieria në zyren time, me kërku me ia liru zyren, me më thënë që duhet të jap dorëheqje drejtori; (sepse) kanë ndryshuar rrethanat, unë po e pranoj shkarkimin vetëm me një dokument, nëse më shkarkojnë me dokument, unë e pranoj, mirëpo unë dorëheqje nuk jap. Unë e kam një kontratë për pozitën e kryeinfermieres me kohë të pacaktuar, vetëm gabimet e mia ligjore munden me m’shkarku, e jo kështu vrullshëm”, përfundoi Ganimete Haxhiu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat