​Hoti: Fuqizimi ekonomik dhe arsimor i gruas, synim yni

Aktuale

​Hoti: Fuqizimi ekonomik dhe arsimor i gruas, synim yni

Më: 16 dhjetor 2020 Në ora: 17:59
Avdullah Hoti

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, tha se nëse nuk ka vullnet të partive politike parlamentare për zgjedhjen e presidentit, atëherë do të bisedohet për datën e zgjedhjeve. 

Hoti në konferencën në kuadër të “Javës së Gruas” tha se beson që duhet të ulen së shpejti në tryezë të partive politike parlamentare, ku secila parti të thotë vlerësimin e saj se si të gjendet zgjidhja për këtë çështje.

Ai po ashtu tha se beson që do të arrihet një konsensus për ta kaluar buxhetin për vitin 2021.

Hoti: Nëse nuk ka një vullnet të tillë në rregull atëherë bisedojmë për datën e zgjedhjeve

“Ne jemi duke punuar shumë që të gjejmë atë konsensus dhe besoj që kemi treguar edhe unë personalisht një qasje besoj të pranueshme për mënyrën se si duhet të zgjedhim këtë problem. Unë besoj që duhet të ulemi së shpejti në tryezë të partive politike parlamentare, secila parti le të thotë vlerësimin e saj, le të jetë opinionin e vet se si e sheh daljen nga kjo situatë sepse unë besoj që kështu e tregojmë maturitetin e nevojshëm politik të një shoqërie të një vendi. E kemi një situatë ku duhet të zgjidhim presidentin e vendit, ku duhen 80 vota për presidentin dhe ne duhet të ulemi të bisedojmë a ka vullnet për të zgjedhur presidentin e vendit, nëse ka vullnet cilat janë disa si me thënë parime në bazë të të cilave ne vijmë tek emri konkret i presidentit. Nëse nuk ka një vullnet të tillë në rregull atëherë bisedojmë për datën e zgjedhjeve dhe duhet të tregojmë maturitet në kuptimin që në ndërkohë derisa të mbahen zgjedhjet dhe të kemi një qeveri të re cilat janë proceset që duhet të qohen përpara”, tha ai.

Kreu i Qeverisë në këtë konferencë tha se do të kujdeset që të ketë më shumë përfaqësim të grave në procesin e dialogut me Serbinë, ndërsa foli edhe për menaxhimin e pandemisë COVID-19, ku tha se masat e fundit

Hoti: Sot po i shohim rezultatet e atyre masave

“Sot po i shohim rezultatet e atyre masave, jo në zvogëlimin drastik të numrit të të infektuarve por në ndalimin e rritjes ekspononciale dhe një farë stabilizimi të situatës. Tash edhe në pjesën e parë të vitit edhe në pjesën e dytë me këto masa të tjera jo të gjitha grupet e popullsisë, jo të gjithë sektorët, janë ndikuar njësoj. Nëse e shohim strukturën ekonomike të Kosovës nuk është mjaftë e favorshme, nuk kemi mjaftë ekonomi e avancuar e cila na mundëson që në situata të tilla të adaptohen proceset e punës, ta zëmë puna nga shtëpia ose të kemi sistem të mirë të transportit ose të shërbimeve të tjera në mënyrë që të mos ndalet zinxhiri prodhues, shërbimeve e kështu me radhë”, tha ai.

Kryeministri Hoti tha se si Qeveri do të angazhohen që të përmirësojnë rolin dhe pozitën e gruas në shoqëri dhe për këtë tha se kanë disa instrumente ligjore.

Hoti: Kemi instrumente ligjore për të përmirësuar pozitën e gruas

“Jemi në situatë specifike dhe unë e kam të qartë që në këtë situatë femrat janë ndikuar më shumë sesa burrat përgjithësisht. Në krejt këtë situatë barra edhe në organizimin ndoshta të punëve në familje më shumë iu bie femrave sesa burrave. Disa instrumente ligjore që i kemi në fuqi besoj kontribuojnë në përmirësimin e pozitës së gruas në periudha më afatgjate. Ta zëmë masa që është në fuqi që disa vite një rregullore që siguron regjistrimin e pasurisë edhe në emrin e burrit dhe të gruas, që e fuqizon gruan në familje”, tha ai.

Megjithatë, Hoti tha se e vetmja mënyre për të fuqizuar grtuan në shoqëri mbetet fuqizimi ekonomik dhe arsimor i saj.

Për këtë ai shprehu bindjen se gjërat do të ndryshojnë brenda 5 apo 7 viteve të ardhshme.

Hoti: Fuqizimi ekonomik dhe arsimor i gruas, synim yni

E vetmja mënyrë për të fuqizuar gruan në shoqëri është duke i ndihmuar fuqizimin ekonomik dhe arsimor të gruas dhe unë jam i bindur që për 5 vite, 7 vite, brenda një dekade kjo situatë komplet do të ndryshojë, sepse nëse e shihni numrin e studentëve në arsimin e lartë në shumicën prej tyre keni më shumë femra sesa meshkuj që janë të regjistruar në arsimin e lartë”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat