E premtja afati për kërkesat e infermierëve, Havolli: Nëse nuk realizohen, do propozojmë grevën

Aktuale

E premtja afati për kërkesat e infermierëve, Havolli: Nëse nuk realizohen, do propozojmë grevën

Më: 16 dhjetor 2020 Në ora: 23:46
Fitim Havolli

Kryetari i Sindikatës së Infermierëve të Kosovës, Fitim Havolli, ka thënë se nëse nuk merret parasysh kërkesa e tyre për dyfish pagesë për orarin e kujdestarisë, do ta mendojnë edhe grevën.

Lidhur me këtë çështje, pas një takimi konsultativ që kjo sindikatë kishte sot me Ministrin e Shëndetësisë Armend Zemaj, Fitim Havolli thotë se Kryeministri Avdullah Hoti për të marrë veprim ka kohë deri të premten.

”Në rast se nuk do të realizohet kjo kërkesë, pse jo dhe ky të jetë një propozim për kryesinë, dhe definitiv të merret vendim dhe të futemi në grevë, qoftë të marrim ndonjë veprim tjetër”.

”Kemi kërkuar në takimin e sotëm që, deri të premten, ministri i Shëndetësisë me kryeministrin dhe zinxhiri menaxhues i shëndetësisë të ulen dhe të diskutojnë”.

”Ultimatum nuk kemi dhënë, por i bie si i tillë, ngase deri të premten nëse nuk ndërmerren këto veprime për kërkesa, ne do të marrim masa të tjera”.

Megjithatë Havolli shprehet optimist që kërkesat e tyre do të realizohen nga Kryeministri Avdullah Hoti.

”Po shpresoj dhe besoj shumë, që nuk do ta lejojmë as Kryeministri as Ministri, të vijë në këtë gjendje situata përderisa sistemi shëndetësor dhe boshti kurrizor i sistemit shëndetësor në botë, është komuniteti i infermierëve”.

Tutje Havolli ka bërë të ditur se kapaciteti i shërbimit të kujdestarisë në këtë sektor, arrin rreth 2 mijë infermierë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat