Rreziqet e Vetëvendosjes në Tiranë

Aktuale

Rreziqet e Vetëvendosjes në Tiranë

Më: 17 dhjetor 2020 Në ora: 11:46
Albin Kurti dhe Edi Rama

Letra e Albin Kurtit për vrasjen e Klodian Rashës ka destabilizuar goxha Edi Ramën, ndaj ky i fundit ka nxitur një reagim disaplanësh kundër tij.

Së pari nxiti Erion Braçen, i cili edhe pse ishte i ashpër nuk e sulmoi Albinin apo Lëvizjen Vetëvendosje, duke e fyer apo akuzuar.

Më pas nxiti komentet e mediave pranë kryeministrit, që hapën lajmin se në protestat e zhvilluara në Tiranë do të lançohet Lëvizja Vetëvendosje e Shqipërisë.

E nga kjo duket qartë se Edi Rama është realisht i frikësuar, se vetëm një formacion politik i tillë do të destabilizojë realisht atë dhe do të bëjë që nuk do të marrë mandatin e tretë.

Ndaj dhe ka nisur akuzat e forta e të mënjëhershme për lidhje të Albinit me Sali Berishën dhe Ilir Metën.

Sipas gjasave infoja e përhapur se Vetëvendosje do të inagurohej në përleshjen para kryeministrisë me rastin e vrasjes së Klodian Rashës është thjesht një fake news, për të turbulluar situatat.

Megjithatë, këtu në këtë rast, kemi dy probleme: Vetëvendosje duket hapur që edhe në Tiranë dëshiron të aktivizohet me anë të degës së saj, të cilën Albin Kurti e konsideron strategjike, siç ai e konsideron lidhjen me Shqipërinë. Në treva; si Maqedoninë e Veriut, Luginë apo Mal të Zi, Albini ka zgjedhur aleatë nëpërmjet partive të tjera atje. Në zgjedhjet në Maqedoni, Albini bëri thirrje hapur për të votuar për Zijadin Selën, çka e identifikoi si aleat.

Dega e Shqipërisë e Vetëvendosjes përbëhet nga aktivistë të vjetër të lëvizjes që kanë qenë për një kohë të gjatë edhe në Kosovë, por u dëbuan nga Isa Mustafa, kur ishte kryeministër si Arbër Zaimi dhe Bojken Abazi, por edhe një grup tjetër mbështetësish që herët kanë shprehur mendimet e tyre si Elvis Hoxha, Brizida Gjikondi etj.

Pra ka një bërthamë që mund të ngjizet si lëvizje në Shqipëri, nga e cila duket hapur logjika se bazikisht kjo lëvizje ha majtas. E gjithashtu, fakt është se për të hyrë në skenë si një lëvizje e re politike, ajo natyrisht që do të jetë opozitare me Edi Ramën. Dhe kjo është sa dialektike, por edhe e natyrshme. Një Vetëvendosje mund të sjellë realisht një destabilizim të politikës së vjetër, e natyrshëm një shpresë për qytetarët se ka shkëndija të qarta se elita e vjetër po shikon largimin e saj.

E duke qenë si opozitë, Vetëvendosje natyrshëm edhe mund të krijojë e kontaktojë me faktorë opozitarë në Shqipëri që në radhë të parë është PD-ja e Lulzim Bashës, më pas LSI-ja e Monika Kryemadhit, e të tjerë faktorë politikë e civilë.

Veçse, Vetëvendosje, nëse do të ketë një synim real për të hyrë në politikën shqiptare si garuese pushteti, do të duhet të jetë natyrisht si një lëvizje e re, si një lëvizje që duke qenë e re do të ecë sipas logjikës dhe shpresës së qytetarëve për një lëvizje të re.

Politika, në të vërtetë është pragmatizëm për të arritur qëllimin kryesor, duke kryer aleanca të ndryshme, por pikërisht për këtë rast, nëse do të identifikohen ndonjë lidhje a akord me “aksin e të keqes” në Shqipëri, Vetëvendosje jo vetëm do të dëmtonte veten, por do të dëmtonte keqas shpresën e shqiptarëve për një rrëzim të elitës së vjetër.

Edi Rama ka dalë kundër aksit Meta-Berisha, jo për çështje parimore, pasi ai ka bashkëpunuar me ta sa herë i ka vyer. Por ai e di se pikërisht ky pozicionim mund ta mbajë në pushtet, ndryshe largohet menjëherë dhe në mënyrë plebishitare.

Ndaj nëse Vetëveondosje synon realisht ta bëjë hapin e madh në Shqipëri, do të duhet ta shpallë menjëherë këtë ndarje të prerë me aksin e vjetër të politikës.

E nëse vërtetë kjo do të sjellë një sukses politik, në të ardhmen nuk ka asnjë të keqe që kjo forcë të gjejë pikëtakime e aleanca me faktorët politikë në vend, por këtë ta bëjë pasi aksi i vetër të ketë ikur realisht…/Pamfleti

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat