​Osmani: Kuvendi i Shqipërisë të flasë për krimet e Serbisë ndaj Kosovës

Aktuale

​Osmani: Kuvendi i Shqipërisë të flasë për krimet e Serbisë ndaj Kosovës

Më: 17 dhjetor 2020 Në ora: 11:58
Vjosa Osmani dhe Gramoz Ruçi

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, njëherësh kryetare e Kuvendit të Kosovës në vizitën dy ditore në Shqipëri ka takuar kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçin.

Osmani ka kërkuar nga homologu Ruçi që Kuvendi i Shqipërisë të marrë qëndrim për krimet e Serbisë në Kosovë.

“Duhet ndiqet shembulli i Kuvendit të Kosovës, i cili ka miratuar një Rezolutë, me të cilën kërkohet dënimi i gjenocidit serb në Kosovë. Sot dialogu me Serbinë është ende i pambyllur ne jemi të vendosur që të dialogojmë vetëm për njohjen e ndërsjellë, duke respektuar integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit, duke e njohur dhe pranuar paprekshmërinë e territorit, rregullimin kushtetues dhe nivelin e organizimit politik. Kosova nuk mund ta shpërblejë Serbinë me territor të saj e as me koncesione të tjera, për politikën gjenocidale që Serbia kishte ndaj nesh. Serbia duhet të pendohet, të kërkojë falje e të dënohet. E jo të shpërblehet”, ka deklaruar u.d. Presidentja Osmani.

Sipas një komunikate të Presidencës, Osmani ka theksuar rolin e Kuvendit të Kosovës në bashkëpunimin me atë të Shqipërisë, ndaj ka kërkuar mbështetjen dhe ndarjen e përvojave në procesin e integrimit evropian.

“Duhet ta rrisim bashkëpunimin dhe bashkërendimin ndërmjet të të dy Kuvendeve në funksion të shkëmbimeve ndërparlamentare dhe zhvillimit të diplomacisë parlamentare”, është shprehur zonja Osmani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat