​Diskutohet rreth pretendimeve financiare dhe pronësore në dialogun Kosovë-Serbi

Aktuale

​Diskutohet rreth pretendimeve financiare dhe pronësore në dialogun Kosovë-Serbi

Më: 17 dhjetor 2020 Në ora: 13:29
Arkiv

“Pretendimet financiare dhe pronësore në dialogun Kosovë-Serbi” ka qenë temë e diskutimit të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, që është mbajtur sot e ku janë trajtuar çështjet si pensionet, reparacionet dhe borxhi i jashtëm.

Ky diskutim vije në kohën kur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga BE palët kanë filluar diskutimet rreth temës së pretendimeve financiare dhe pronësore.

Drejtori ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj, tha se do të ishte veprim i duhur nga pala kosovare që në tryezë të bisedimeve të shtrohet tema e reparacioneve.

Ai tha të gjithë familjet e viktimave kosovare kanë të drejtë të kërkojnë reparacione nga autoritetet serbe, e të njëjtën gjë tha se kanë të drejtë ta bëjnë edhe familjarët e të vrarëve nga komuniteti serb.

Blakaj: Familjet e këtyre 6 mijë viktimave kanë të drejtë të kërkojnë reparacione nga Serbia

“Në kuadër të projektit për libër kujtimi të Kosovës Fondi për të Drejtë Humanitare me seli në Beograd dhe Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë kanë evidentuar 13 mijë e 535 njerëz të vrarë apo të zhdukur gjatë periudhës 1 janar të vitit 1998, 31 dhjetor të vitit 2000. Nga ta janë 10 mijë 812 shqiptar dhe 2 mijë 197 serbë, ndërsa 526 të tjerë janë të komuniteteve tjera që jetojnë në Kosovë. Kur bëhet fjalë për shqiptarët 8 mijë e 676 prej tyre janë civil e të cilët janë vrarë apo zhdukur gjatë kësaj periudhe që e përmenda. Përreth 6 mijë prej tyre kemi dokumentuar se janë viktima të drejtpërdrejta të veprimeve të forcave serbe, qofshin ato ushtarake, policore apo paraushtarake. Pra, familjet e këtyre 6 mijë viktimave kanë të drejtë të kërkojnë reparacione nga autoritetet serbe. Kur bëhet fjalë për viktimat pra të vrarët dhe të zhdukurit nga komuniteti serb nga 2 mijë e 197 prej tyre 1 mijë e 198 janë civil, të cilët gjithashtu familjet e tyre duhet të kenë të drejtë të kërkojnë reparacione”, tha ai.

Ai tha se edhe 400 ish të burgosur që janë mbajtur në mënyrë të paligjshme në burgjet e Serbisë kanë të drejtë të kërkojnë dëmshpërblim nga Serbia.

Blakaj: Viktimat në përgjithësi kanë të drejtë të kompensohen për dëmet

“Në parim, viktimat në përgjithësi kanë të drejtë të kompensohen për dëmet që iu janë shkaktuar gjatë një konflikti të armatosur, marrëveshje përfundimtare mes të palëve që kanë qenë në konflikt janë mekanizmat më të mirë që të sigurohet mundësia që viktimat të kompensohen. Në të kundërtën nëse kompensimet nuk përfshihen në marrëveshje atëherë gjasat janë fare të vogla që viktimat do të kompensohen në mënyrë kuptimplote ndonjëherë. Edhe pse është lehtë e parashikueshme që pala serbe në dialogun në Bruksel nuk do të pranojë se ka shkaktuar këto viktima të cilat unë i përmenda, megjithatë ekzistojnë burime serioze që vërtetojnë se Serbia i ka kryer këto shkelje masive të drejtave të civilëve shqiptar. Kur bëhet fjalë për vrasjet dhe zhdukjet e shqiptarëve nga ana e forcave serbe atëherë provat më të fuqishme vijnë nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi...Shtrimi i temës së reparacioneve në tryezën e bisedimeve së paku për këto kategori të viktimave që unë i përmenda e që mund të dokumentohen do të ishte një veprim i duhur nga pala kosovare”, tha ai.

Ai tha se për krimet e kryera në Kosovë deri më tani vetëm 65 persona janë dënuar para drejtësisë, e kjo sipas tij tregon se nuk ka drejtësi për viktimat.

Ndërsa, ish ministri i Ekonomisë dhe Financave Ahmet Shala, në tryezë ka folur rreth borxhit të jashtëm, për çka tha se Kosova ka shpallur pavarësinë me zotimin se do të marr të gjitha borxhet që i përkasin Kosovës dhe që vërtetohet që ato kanë ardhur në Kosovë.

Me këtë zotim, ai tha se Kosova ka treguar një pjekuri institucionale dhe shtetformuese.

Shala: Ka paguar këstet që më duket janë vjetore rreth 32 ose 35 milionë euro në vit

“Kosova në mënyrë të rregullt, në mënyrë shumë serioze si shtet serioz ka paguar këstet që më duket janë vjetore rreth 32 ose 35 milionë euro në vit dhe jam i sigurt se kështu do të vazhdojmë të jemi shumë të përgjegjshëm...Në disa nga borxhet që janë të klubit të Parisit, klubit të Romës dhe klubit të Londrës Kosova është zotuar se çfarëdo dhe kështu kemi nënshkruar kontratën për shembull me Gjermaninë, kemi nënshkruar marrëveshje edhe me Japoninë në të cilën neve kemi thënë se çdo cent në qoftë se vërtetohet se ka ardhur dhe populli i Kosovës është shërbyer me të mirën, përkatësisht me dobinë e asaj kredie neve do e bëjmë shlyerjen e atij borxhi. Kjo ka qenë si parakusht që Gjermania për shembull të jep edhe grante po edhe kredi...Askush nuk mund të nënshkruaj në emër të Kosovës pas 10 qershorit të vitit ’99 dhe bien që as ndonjë borxh prej marsit të ’89 kur Kosova ka humbur autonominë e saj deri më 10 qershor nuk mund të konsiderohen legjitime dhe si të tilla janë diskualifikuar edhe me rregulloren numër 1 të UNMIK-ut”, tha ai.

Shala u përgjigj edhe rreth asaj se sa mund të jetë shifra për dëmshpërblimin e luftës për reparacionet dhe pensionet, për çka tha se duhet të mete kujdes në metodologjinë e kalkulimit.

Shala: Dalin mbi 250 miliardë euro

“Me të njëjtën metodologji që e përdorin institucionet financiare ndërkombëtare mua më dalin pa llogaritur dëmet e industrisë, pra fabrikave të shkatërruara dhe pa ato ushtaraket dalin mbi 250 miliardë euro, i kam të kategorizuara në 25 kategori”, tha ai.

Kurse, ligjëruesi universitar i politikave sociale, Artan Mustafa, në këtë tryezë foli rreth çështjes së pensioneve.

Mustafa: Në qoftë se Serbia nuk ka kompensuar me rregull pensionistët gjatë viteve të ‘90-ta mund të flitet

“Në qoftë se Serbia nuk ka kompensuar me rregull pensionistët gjatë viteve të ‘90-ta, do të thotë ka pohime se janë 70 milionë euro të cilat Serbia ua ka borxh pensionistëve gjatë viteve të ‘90-ta kur nuk i ka paguar me rregull, me kohë, ndoshta për atë periudhë mund të flitet. Ndërsa, për periudhën e pas luftës do të thotë mund të ketë pohime nga ana e Serbisë drejtë Kosovës, në lidhje me këto obligime që kanë qenë deri në vitin ’89. Mirëpo këtu janë disa momente interesante, shtetet e rajonit sidomos Kroacia për shembull i ka zgjidhur disa probleme me marrëveshje bilaterale, ato për shembull obligimet në lidhje me stafin civil, ushtarak etj, i ka marr shteti ku tash jetojnë ata ish-punëtorë. Gjithashtu për Kosovën është pak situatë shumë specifike për shkak se ka pasur elemente të kolonializmit ajo kohë, do të thotë 35 për qind ka qenë pjesëmarrja e pensionistëve në totalin e përgjithshëm në vitin ’98 e pensionistëve serbë dhe malazez. Jam i sigurt se delegacionet e Kosovës kanë me u përball me këto pohime”, tha ai.

Ky diskutim është organizuar në kuadër të projektit “Promovimi i një procesi të mirinformuar dhe pjesëmarrës në fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi” i mbështetur nga Ambasada e Zvicrës dhe Ambasada Gjermane në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat