Vazhdon përplasja/Jashari: Për Sami Lushtakun vetëm Jasharajt e vdekur janë të mirë

Aktuale

Vazhdon përplasja/Jashari: Për Sami Lushtakun vetëm Jasharajt e vdekur janë të mirë

Më: 19 dhjetor 2020 Në ora: 08:53
Bekim Jashari dhe Sami Lushtaku

Në një bisedë të aferës “Pronto” me Adem Grabovcin, Sami Lushtaku thoshte se do të ia tregojë qefin Jakup Krasniqit edhe po të ishte djali i Adem Jasharit.

Asokohe ishte befasi që një personalitet nga Drenica të kishte dikursh të tillë ndaj familjes Jashari. Por, ish komandanati i Drenicës Sami Lushtaku tashmë është futur në një betejë akuzash me njërin nga përfaqësuesit e familjes Jashari, kryetarin e Skënderajt Bekim Jasharin.

Ndarjet duken të kenë qenë më të hershme. Kjo kronikë e Klan Kosovës tregon se si Rifat Jashari nuk i jepte dorën Sami Lushtakut pas faljes së namazit të Bajramit vite më parë.

Përplasja është rikthyer sërish. Jashari e Lushtaku kanë vazhduar të hedhin kritika e akuza ndaj njëri-tjetrit, për angazhimin dhe aktivitetet para dhe pas luftës. Kurse, përplasja ka marr kahe tjetër, kur një ditë më parë në televizionin Dukagjini, Bekim Jashari ka thënë për Lushtakun se ka qenë larg vatrave ku luftohej gjatë viteve 1998 dhe 99 në Kosovë.

Por, këto i ka mohuar Lushtaku. Ai ka thënë se Jashari po e keqpërdor emrin e familjes së tij me deklarata të tilla.

“Unë mendoj që Bekimi duhet me u marrë me mu për faktin se si kryetar i komunës ka dështuar komplet dhe tash për me u bë pak ma interesant merret me mu. Unë kam qenë edhe para luftës edhe gjatë luftës në Kosovë dhe këtë më së miri e dinë bashkëqytetarët e mi dhe qytetarët që na kanë parë për çdo ditë. Nuk dua për shkak të familjes me dhanë naj koment, sepse ai është duke e keqpërdorur kurorën e familjes Jashari, që mendoj që po bën gabim të madh”.

Reagimit të Sami Lushtakut i është kundërpërgjigjur Bekim Jashari, i cili ka thënë se këto janë shpifje të radhës që tregojnë mos respekt për familjen Jashari.

“Paska vazhduar me shpifje e ofendime ndaj meje njeriu që njihet si shembull për veprime të tilla, në fakt këto i dinë me së miri dhe i bënë jo shumë rrallë.

Sa ka pasur e sa ka respekt Samiu për familjen Jashari dëshmohet më se miri me ofendimet që ai ka bërë për familjen time disa herë mbas luftës, e të cilat kanë dalë edhe në media dhe opinioni qytetar i dinë shumë mirë. E kam dëgjuar edhe në të kaluarën këtë thënie “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”.

A do të thotë kjo edhe për Sami Lushtakun që Jasharët e mirë janë Jasharët e vdekur. Bekim Jashari është i “keq” sepse është gjallë edhe ua ka ndal abuzimin me pushtetin në Skënderaj! I keq është ai që me paratë e popullit pasurohet në luftë dhe pas saj.

Në Skënderaj humbës janë vetëm një grup i caktuar që kanë abuzuar e keqpërdorur me paranë publike (qeverisja e kaluar). Samiu e ka pasur rastin për të dëshmuar respektin ndaj familjes Jashari dhe familjet e dëshmorëve, duke punuar me duar tëpastërta, duke bërë punë të mira për qytetarët e komunës sonë.

Ai në vend të kësaj bëri udhëheqje totalitare, duke luftuar lirinë e shprehjes, opozitarizmin, mediat dhe mendimin kritik”, ka thënë Jashari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat