Dëshmia në Speciale/ Ibrahim Kelmendi kërkon arrestimin e Xhavit Halitit: Ja për cilën vrasje dyshoj, këtu ndodhi...

Aktuale

Dëshmia në Speciale/ Ibrahim Kelmendi kërkon arrestimin e Xhavit Halitit: Ja për cilën vrasje dyshoj, këtu ndodhi...

Nga: Ibrahim Kelmendi Më: 22 dhjetor 2020 Në ora: 19:55
Xhavit Haliti

2.4.8. Xhavit Haliti / “Zeka”

Me shpresë se edhe Xhaviti do të akuzohet e prangoset nga ZPS-ja, sepse edhe ai, bashkë me Azemin, Hashimin e Rexhepin, ishte komandant i NPK-së, po prezantoj disa informata biografike për te.

Për Xhavitin kisha dëgjuar qysh kur isha në shkollë të mesme, në Pejë. Për të më rrëfente edhe shoku i bankës, Haxhi Neziri i Radavcit të Pejës, i cili kohë pas kohe shoqërohej me një grup “trimash”, në fakt huliganësh, që në atë kohë garonin me grupe të tjera, në Kosovë. Ky ishte njëlloj hobi kriminal, por që vetë pjesëtarët e atyre grupeve e vlerësonin, pothuajse, si sport.

Edhe Xhaviti i përkiste një bande dhe vërtet shquhej për trimëri, por për trimëri huligane. Trupin e kishte të mbushur me gjurmë plagësh të shumta, thikash e plumbash, nga garuesit e sillojit të tij. Kur ishim shokë, kisha keqardhje për te, pse e kishte shpërdoruar aq vulgarisht trimërinë e tij. Ndonjëherë, shkas për ato zënka ishin edhe garat për përvetësimin e pevaqicave (siç u thoshim ca këngëtareve
ordinere serbe, që këndonin në lokale ordinere në Kosovë).

Babai i Xhavitit, një burrë shumë fisnik, kishte emigruar në Gjermani dhe, pothuaj, gjithë pagën e tij ua dërgonte bashkëshortes e fëmijëve në Kosovë. Xhaviti, si fëmija i parë, i shpërdoronte për aventura të tij huliganeske. Kështu reflektonte, herë pas here, vetë Xhaviti Haliti, gjatë bashkërrugëtimeve tona të gjata, në shtete Perëndimore (Xhavi vozitës, meqë nuk kisha leje për vozitje).

Nga viti 1973, kur fillova studimet në Fakultetin e Fizikës të Universitetit të Prishtinë, Xhavitin nuk e kisha më në radarin tim të vëmendjes. U befasova kur Xhaviti u “arratis” nga Kosova dhe kërkoi azil politik, në Zvicër. Ai u integrua shpejt në Lëvizje, falë Emrush Xhemajlit e Ali Ahmetit, të cilët Xhavitin e prezantuan si militant të OMLK-së.

Fatkeqësisht, penetrimi i Xhavitit në Lëvizje edhe në emigracion, na shkaktoi telashe, sepse disa bashkëvendës e njihnin konkretisht Xhavitin dhe veprimtarinë e tij kriminale e “patriotike”.

Megjithëkëtë, dëshironim të besonim se ishte përmirësuar, prandaj e pranuam për bashkëveprimtar.

Deri në vitin 1991 Xhavitin e kam çmuar si bashkëveprimtar të vyer e të shkathët.

Mund të ketë qenë viti 1995, kur aksidentalisht plasi një konflikt mes meje dhe Xhavitit. Ishim në banesën e Gafur e Vera Elshanit, në Aarau të Zvicërës, në pritje të fillimit të mbledhjes së KP-së së Lëvizjes, kur Xhaviti më akuzoi se po e përkrahja Mehmet Bislimin, nga Prekazi, ekzilant në Zvicër, për gjoja simpatinë që kisha ndaj tij, për rrahjen që Mehmeti me shokë ia kishin bërë Xhavit Halitit gjatë
demonstratave të Pranverës 1981, në Prishtinë.

Ishte herë e parë që u informova se Xhavitit i kishte ndodhur ajo rrahje nga studentët (1981), të cilët dyshonin se Xhaviti ishte spiun i shërbimit policesk të Kosovës – SDB-së. Me Xhavitin u përplasëm prapë, në verë të vitit 1996, kur nga Kosova na erdhi informata se Fondi VTH, nuk po e ndihmonte financiarisht UÇK-në.

Pas asaj përplasjeje, Kryesia e Lëvizjes më thirri të jepja llogari “pse Kryesia e Nëndegës së Lëvizjes në Gjermani, iu kishte dërguar pak ndihma simbolike financiare grupeve guerile të UÇK-së”, në Drenicë, e komanduar nga Adem Jashari; në Llap e Gollak, nga Zahir Pajaziti; në Dukagjin nga Adrian Krasniqi.

Në atë mbledhje u informova se për Xhavit Halitin dhe për Azem Sylën, “grupi” i Adem Jasharit dhe “grupi” i Zahir Pajazitit, nuk ishin fare pjesë e UÇK-së. Ata, Xhaviti dhe Azemi, prandaj, nuk iu kishin dhënë ndihma financiare atyre grupeve.

Fatkeqësisht, qysh kur e kemi themeluar Fondin VTH, më 4 dhjetor 1993, deri në maj 1998, të gjitha ndihmat financiare të Fondit VTH, kanë përfunduar në duar kryesisht të Xhavit Halitit, ndonjëherë edhe të Azem Sylës. Ata, pastaj, një pjesë simbolike të atyre ndihmave financiare ua kanë dërguar Nait Hasanit, Rexhep Selimit e Sokol Bashotës, të cilët e simulonin ekzistencën e “shtabit qendror” (pararendës i “shtabit të përgjithshëm” të NPK-së).

Përplasjen tjetër e kishim kur ndodhi vrasja e Ilir Konushevcit, më 9 maj 1998. Unë dyshoja në Xhavit Halitin dhe Azem Sylën, si financues të vrasësve mercenarë.

Dubioz është bashkëpunimi i Xhavitit Halitit edhe me “kryeministrin” kuisling, Bujar Bukoshi, nga i cili ka marrë shumë miliona USD dhe DM, gjoja si ndihmë për UÇK-në.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat