Krasniqi numëron disa prej defekteve të vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Aktuale

Krasniqi numëron disa prej defekteve të vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Nga: A.SH Më: 24 dhjetor 2020 Në ora: 18:36
Gjykata Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese ka shpallur votën e Etem Arifit të pavlefshme dhe me këtë rast është rrëzuar Qeveria.

Albert Krasniqi nga Demokracia Plus ka listuar disa nga defektet e këtij vendimi duke thënë se vendimet e padrejta janë dobët të strukturuara dhe dështojnë të ofrojnë argumente logjike.

Shkrimi në Facebook:

Zakonisht vendimet e padrejta janë dobët të strukturuara dhe dështojnë të ofrojnë argumente logjike. I tillë është edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin “Etem Arifi”. Disa prej defekteve të këtij vendimi janë:

1. Gjykata dështon të bëjë dallimin në mes të kritereve për kualifikim të kandidatëve për deputet me humbjen e mandatit të deputetit, të cilat i trajton si çështje të ndërlidhura.

2. Bënë interpretim të përputhshmërisë së Kushtetutës me ligjin, duke i dhënë epërsi juridike ligjit në raport me Kushtetutën. Kështu shfuqizon nenin 45 të Kushtetutës, për ta fuqizuar nenin 29 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

3. Del jashtë kërkesës së parashtruar nga pala, dhe vendos në mënyrë të pasafatshme për certifikimin e kandidatëve për deputetë nga KQZ dhe verifikimin e mandatit të deputetëve nga Kuvendi. Vendimi i Kuvendit për verifikim te mandateve është dashur të kontestohet brenda 8 ditëve, jo pas gjashtë muajve. Kjo shpjegon edhe arsyen e mbajtjes së seancës publike përmes së cilës iu mundësua parashtruesit të kërkesës të bëjë ndryshimin e shënjestrës së kontestuar nga ajo që fillimisht kishte paraqitur me shkrim.

4. Anulimi i votës së Etem Arifiti është në kundërshtim me praktikën e vendosur nga vet Gjykata, në rastin më të freskët për votat e pranuara me postë jashtë afatit ligjor. Në këtë rast përkundër që ka mundur t’i mohohet përfaqësimi në Kuvend një subjekti politik përmes një vendimi kundërkushtetues të Gjykatës Supreme, Gjykata Kushtetuese nuk kishte anuluar rezultatin e shpallur të zgjedhjeve por vetëm e kishte qartësuar mënyrën e veprimit për zgjedhjet e ardhshme.

5. Gjykata u bazua në paragraf jo relevant të një Raporti të Komisionit të Venedikut, përderisa i njëjti Raport përcakton se kufizimi i të drejtës së pjesëmarrjes në zgjedhje duhet të jetë një masë proporcionale, që kërkon të bazohet në natyrën e veprës penale, qëllimin, gjatësinë e dënimit dhe ashpërsinë e veprës. Këto elemente Gjykata nuk i morri parasysh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat