Haradinaj-Stublla: Serbia shteti i parë në botë i përfshirë në kontrabandë të vaksinës anti-covid

Aktuale

Haradinaj-Stublla: Serbia shteti i parë në botë i përfshirë në kontrabandë të vaksinës anti-covid

Më: 29 dhjetor 2020 Në ora: 18:51
Meliza Haradinaj-Stublla

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka dalë me një qëndrim sa i përket vaksinimit të qytetarëve të komunitetit serb në Kosovë.

Ajo ka thënë se Vuçiq nuk po arrin të shkëputet nga profesioni i tij i parë – roli i propaganduesit e mohuesit të fakteve.

“Propaganda është mjeti i tij i preferuar me të cilën ai tenton të hedhë mjegull sa herë që zihet ngushtë e ballafaqohet me të vërtetën. Kështu ka vepruar edhe dje, teksa paska reaguar ndaj deklaratës sime për futjen ilegale e në mënyrë të kontrabanduar të ‘vaksinave’ në territorin e Republikës së Kosovës” ka thënë ministrja e jashtme. 

Ajo ka thënë se në vend se të përgjigjet për shkeljen e marrëveshjeve të arritura, ai në rolin e tij të natyrshëm pyet se ‘cilën pikë të marrëveshjes e ka shkelur Serbia?!’

“Vetëm sa për rikujtim, edhe në webfaqen e qeverisë së tij i ka të botuara marrëveshjet e Brukselit, përfshirë njoftimin zyrtar për arritjen e marrëveshjes për njohjen reciproke të certifikatave të produkteve medicinale në 2015. Ajo marrëveshje saktëson se produktet farmaceutike që vijnë nga Serbia në Kosovë dhe anasjelltas – duhet t’i nënshtrohen procedurave të regjistrimit/aprovimit tek autoritetet kompetente shtetërore dhe në asnjë formë nuk mund të kontrabandohen”, thekson Haradinaj-Stublla.

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, thekson se ndalimin e kontrabandës dhe ndërhyrjeve ilegale në Kosovë, i ka të sanksionuara edhe në marrëveshjet tjera, përfshirë atë për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, si dhe në kapitullin 35 të negociatave me BE-në.

“Dhe jo vetëm kaq! Përmes strukturave paralele, Serbia pengon zbatimin edhe të shumë marrëveshjeve tjera, duke filluar me njohjen reciproke të diplomave, qarkullimin e lirë në komunat kosovare veriore – saktësisht hapjen e Urës së Ibrit, pengon tregtinë e lirë përmes barrierave jo-tarifore, dhe lëvizjen e lirë përmes flet-arresteve të rrejshme e arbitrare kundër qytetarëve të Kosovës, duke keqpërdorur kështu edhe Interpolin”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Haradinaj-Stubllës.

Ajo ka thënë se këto veprime të pandërprera bien në kundërshtim edhe me frymën e marrëveshjes së Washingtonit, për të cilën u angazhua lidershipi më i lartë amerikan.

“E kur flasim për përkujdesje të minoriteteve, duhet të bëhet e qartë se Serbia Nuk ka as kujdesin minimal human e shtetëror ndaj shqiptarëve në Serbi, duke i diskriminuar sistematikisht dhe në mënyrën më barbare të mundshme, e po ashtu duke penguar Kosovën që të kujdeset për Luginën e Preshevës”, thuhet tutje në këtë deklaratë.

Sipas saj, përderisa Kosova garanton me Kushtetutë të drejtat më afirmative për pakicat në të gjitha shtetet e rajonit, Serbia implementon vendimin famëkeq të pasivizimit të adresave, e për rrjedhojë e pamundësojnë kujdesin shëndetësor, punësimin, zhvillimin ekonomik, dhe jetën për familjet dhe rininë shqiptare atje.

“Nëse Vuçiq ka vendosur ta luaj rolin e konstruktivit dhe dëshiron me të vërtetë të kontribuojë për paqe dhe fqinjësi të mirë, e ftoj të fillojë me kërkimfalje për gjenocidin që Serbia ka bërë në Kosovë dhe të japë përgjegjësi shtetërore përpara drejtësisë ndërkombëtare”, ka thënë ajo.

Ministrja Haradinaj-Stublla thekson se  para se të vendosë të kontrabandojë të ashtuquajtura ‘vaksina’, duhet të vendosë të na i kthej trupat e mbi 1,600 të zhdukurve që i mbanë fshehtë në varreza masive në shtetin e tij. Duhet t’i kthejë pensionet e grabitura të qytetarëve të Kosovës, kursimet bankare, artefaktet, dhe të paguaj dëmet e luftës. Nuk është asnjëherë e tepërt, e as e mjaftueshme që t’ia përkujtojmë këto vazhdimisht Serbisë.

“Prandaj, e ftoj Vuçiqin që së pari të jap përgjegjësi për të kaluarën kriminale të Serbisë, e më pastaj ta luaj “humanistin.”, mbyllë deklaratën e saj ministrja Haradinaj-Stublla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat