Ndërrimi i moteve në Infektive, stafi shëndetësor solli festë për pacientët me COVID-19

Aktuale

Ndërrimi i moteve në Infektive, stafi shëndetësor solli festë për pacientët me COVID-19

Më: 1 janar 2021 Në ora: 19:41
Foto ilustrim

Me pak gjëra ushqimore mbi tavolina, në Klinikën Infektive u festua ndërrimi i moteve me urimet që viti i ri ta mundë virusin që solli 2020-a.

Infermierët u kujdesën të krijonin mjedis festiv e të kthenin sadopak buzëqeshjen te 79 pacientët me COVID, që në natën e Vitit të Ri po trajtoheshin në këtë klinikë.

Situata me pandeminë për gati një vit ishte sfidë për personelin shëndetësor, që u ballafaqua më një situatë të paprovuar më parë.

Mbi 1300 vdekjet e pacientëve me COVID e luhatën shpeshherë edhe qëndrueshmërinë fizike e shpirtërore të mjekëve.

Drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindita Ajazi-Berisha, thotë se edhe pse viti i ri i zuri me situatë pothuajse të njëjtë, përpjekjet për ta mundur virusin do të vazhdojnë të jenë më të mëdha se frika për t’iu dorëzuar atij.

“Stafi shëndetësor ka qenë gjatë gjithë kohës i ngarkuar dhe vazhdimisht 24 orë në vendin e punës, ka treguar një punë vetëmohuese, nuk ka qenë fare e lehtë, për arsye se gjatë kësaj kohe në pjesën më të madhe kemi qenë edhe larg familjeve tona, nuk kemi mundur të jemi pranë ashtu siç kemi qenë viteve paraprake, kështu që nuk është e lehtë që edhe në ditë feste të mos jemi pranë anëtarëve të familjes, mirëpo ne jemi pranë pacientëve edhe ata janë anëtarët tanë të familjes”, ka thënë ajo.

Për shkak të situatës së paparashikueshme epidemiologjike, Ajazi kërkon kujdes edhe më të madh këtë vit.

“Ne derisa nuk e kemi pritë që do të na zërë edhe viti i ri me COVID-19, prandaj edhe vitin tjetër duhet të mos harrojmë se ende e kemi virusin në mesin tonë, nuk do të thotë që po përfundon viti 2020 dhe po përfundon edhe infeksioni COVID-19. Ne do të vazhdojmë ende të ballafaqohemi me virusin i cili tash e një vit veç është në mesin tonë. Prandaj edhe në vitin 2021 duhet të jemi të kujdesshëm”, është shprehur ajo.

Vitin jashtëzakonisht të gjatë e të lodhshëm stafi shëndetësor në Infektive e përmbylli me urime në distancë nga familja dhe me shpresën që viti 2021 sa më herët t’i japë fund pandemisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat