​Tahiri: Braathu kontribuoi pa asnjë kursim në ndërtimin e institucioneve demokratike të Kosovës

Aktuale

​Tahiri: Braathu kontribuoi pa asnjë kursim në ndërtimin e institucioneve demokratike të Kosovës

Më: 4 janar 2021 Në ora: 14:24
Pamje nga takimi

Shefi në shkuarje i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, i cili do të vazhdojë misionin e tij diplomatik në Serbi, ka kontribuar pa asnjë kursim në ndërtimin e institucioneve demokratike në vend.

Kështu vlerësoi zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Tahiri, pas takimit që pati me Braathun.

Tahiri në një konferencë për media tha se Braathu është mik i madh i Kosovës, i cili me kontributin e tij ka ndihmuar edhe në forcimin e partneritetit të Qeverisë së Kosovës me ndërkombëtarët. Teksa bëri të ditur sesi do ta mbajë mend shefin e deritashëm të OSBE-së në Kosovë.

Tahiri: Braathu ka kontribuar pa asnjë kursim në ndërtimin e institucioneve demokratike të Kosovës

“Ambasadori Braathu do të mbetet pa asnjë dyshim një ndër miqtë dhe një ndër diplomatët, të cilët kanë ndihmuar pa asnjë kursim në ndërtimin e institucioneve demokratike në Kosovë dhe, mbi të gjitha në forcimin e partneritetit mes institucioneve të Kosovës, Qeverisë të Republikës të Kosovës dhe po ashtu, partnerëve ndërkombëtar, si në kapacitetin e parë kur ka qenë ambasador i Mbretërisë së Norvegjisë, dhe në veçanti kur ka shërbyer si shef i OSBE-së[...]Janin do ta mbajë mend për një diplomat të drejtpërdrejtë, i sinqertë, i cili ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me ne, edhe kur është dashur të na jap sugjerime, rekomandime, mirëpo edhe kritika në funksion të ndërtimit të demokracisë dhe shtetit të Kosovës”, tha ai.

I kënaqur me fjalët e Tahirit u nda Braathu, duke thënë se Tahiri nuk po e humbë një shok, por do ta ketë një të tillë në Beograd.

Braathu - Tahirit: Nuk po e humbni një shok, do të keni një mik në Beograd

“Faleminderit Besnik për fjalët tuaja të sinqerta, të jeni i sigurt se nuk po humbni një mik, sepse unë gjithmonë do të mbetem miku juaj, por do të keni një mik, këtë herë në Beograd, dhe unë mezi pres te kthehem për t'ju vizituar”, u shpreh Braathu.

Ai shprehu mirënjohje për institucionet e Kosovës, ndërsa foli edhe për misionin e OSBE-së në vend.

Braathu: Pres që puna e OSBE-së të vazhdojë të jetë e njëjta

“Katër vitet e fundit si shef i misionit të OSBE-së kanë qenë veçanërisht kërkues, unë kam punuar së bashku me kolegët e mi të OSBE-së duke mbështetur zbatimin efektiv dhe funksional të institucioneve, dhe natyrisht zbatimin e angazhimeve për të drejtat e njeriut për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. Unë mendoj se kemi arritur shumë gjëra, natyrisht puna nuk ndalet kurrë, puna do të vazhdojë, edhe megjithëse unë po largohem, kolegët e mi në misionin e OSBE-së do të vazhdojnë të punojnë, dhe duhet të them se është një ekip shumë i përkushtuar, shumë profesional, unë mund të them që më shumë se 2/3 e stafit janë njerëzit tuaj, pra janë nga Kosova, dhe kjo gjithashtu e bën misionin tonë shumë më të ndryshëm nga shumica e të ashtuquajturave misione ndërkombëtare. Ne punojmë në partneritet, kemi pyetur cilat janë përparësitë tuaja, si mund t'ju ndihmojmë, kjo ka qenë qasja ime gjatë këtyre katër viteve të fundit, dhe unë pres që kjo qasje të vazhdojë edhe në të ardhmen”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat