Komunat menaxhuan mirë pandeminë, mungoi komunikimi mes nivelit qendror e lokal

Aktuale

Komunat menaxhuan mirë pandeminë, mungoi komunikimi mes nivelit qendror e lokal

Më: 10 janar 2021 Në ora: 22:42
Foto ilustrim

Pas shëndetësisë e institucioneve të sigurisë, niveli lokal konsiderohet si hallka e tretë më e rëndësishme për menaxhimin e pandemisë COVID-19. Komunat e Kosovës po vlerësohet se kanë menaxhuar mirë më pandeminë, por që theksohet se në disa raste ka pasur mungesë të komunikimit mes nivelit lokal e atij qendror kur janë ndërmarrë masa anti-COVID.

Ndërrimi i dy qeverive dhe ndërrimi i shpeshtë i masave, po shihen si problemet kryesore më të cilat janë përballur kryetarët e komunave të Kosovës gjatë menaxhimit të pandemisë COVID-19.

Me të marr masat e para niveli qendror, komunat e Kosovës kanë aktivizuar shtabet emergjente lokale për menaxhim të pandemisë COVID-19, përmes të cilave shtabe kanë ndërmarrë veprime për të ndihmuar qytetarët dhe bizneset në komunat e tyre.

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, thotë se komunat kanë menaxhuar në mënyrën më të mirë të mundshme me pandeminë COVID-19.

Ibrahimi thotë se qysh nga marsi kur edhe janë regjistruar dy rastet e para me COVID-19, kryetarët e komunave kanë qenë në vijën e parë të fronit sa i përket luftës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

“Mund të konkludojmë që Komunat e kanë menaxhuar shumë mirë pandeminë COVID-19, kjo është vërtetuar edhe në terren, mirëpo është përshëndetur edhe nga niveli qendror për kontributin të cilin e kanë dhënë kryetarët e komunave, drejtorët komunal dhe në përgjithësi shtabet komunale të emergjencës dhe personeli tjetër komunal. Që nga fillimi i pandemisë, kryetarët e komunave kanë qenë në front të parë sa i përket luftës për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19. Në fillim normal që kanë qenë disa sfida, po me kalimin e kohës edhe ato sfida janë tejkaluar dhe mund të konstatojmë që komunat e kanë menaxhuar në mënyrën më të mirë COVID-19”, thotë ai.

Ai thekson se ka pasur bashkëpunim të mirë me nivelin qendror dhe se janë konsultuar para marrjes së çdo vendimi për shtrëngimin apo lirimin e masave anti-COVID.

Mirëpo, kryetarët e komunave të Kosovës, tregojnë përvojat e tyre në menaxhimin e pandemisë dhe bashkëpunimin që kanë pasur me nivelin qendror.

Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, thotë se në fillim kanë pasur vështirësi pasi që nuk kanë qenë të përgatitur për një gjendje të tillë, por që më kalimin e ditëve ai thotë se kanë ndërmarrë të gjitha masat për menaxhimin sa më të mirë të pandemisë.

I pari i Prizrenit thotë se ndërrimi i shpeshtë i vendimeve rreth masave antiCOVID u ka shkaktuar probleme pasi që edhe ai si kryetar i komunës nuk ka qenë mirë i njoftuar me ato masa.

“Të themi të drejtën një problem që është shkaktuar sidomos pas qershorit, pas korrikut, ka qenë që kemi pasur shumë ndërrime të vendimeve. Vendimet janë ndërruar brenda javës, çdo dy ditë kemi pasur vendime të tjera, jo manuali për mbrojtje, jo ajo, jo kjo, kjo ka paraqitur problem sepse edhe unë si kryetar nuk kam qenë i njoftuar mirë se si duhet të veprojmë por në përgjithësi me Policinë e Kosovës dhe inspektorati i komunës dhe inspektorati shëndetësor i shëndetësisë, kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë dhe mendoj që edhe kjo tregohet edhe njëfarë aspekti sukses që mund të them që nuk jemi të kënaqur sepse ka shumë qytetarë që kanë humbur jetën, jo vetëm në Prizren, por në të gjithë Kosovën”, thotë Haskuka.

Se kanë pasur vështirësi në implementimin e masave të ndërmarra nga ana e Qeverisë së Kosovës e thotë edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili thotë se megjithatë kanë arritur të zbatojnë të gjitha masat antiCOVID.

Ai thekson se vështirësitë në menaxhimin e pandemisë kanë qenë serioze, ku përmend se janë ballafaquar me mungesë të furnizimit shpesh herë edhe për oksigjen.

“Kanë qenë të vështira sepse fillimisht pandemia në qeverinë Kurti është përballur me qëndrime të dyfishta apo qëndrime të ndryshme mes presidencës dhe qeverisë, mes gjendjes emergjencave civile dhe gjendjes së jashtëzakonshme, po ne i kemi zbatuar detyrën ligjore tonë. Më vonë në qeverinë Hoti është ndërtuar manuali, është ndërtuar rregulla të qarta dhe ne kemi vepruar në përputhje me ata manual, e kemi përkthyer në nevoja të komunës tonë dhe reagimi ynë ka qenë ditor. Komiteti emergjencave që udhëhiqet nga unë, përfshin institucionet komunale dhe shtetërore që ballafaqohen sipas detyrës ligjore me pandemitë dhe me situatat emergjente dhe ne kemi arritur me koordinua qendrën regjionale të shëndetit publik, spitalin e përgjithshëm që është regjional, policinë e shtetit, emergjencat civile, kryqi i kuq, komuniteti fetar dhe shoqëria civile në mënyrë që me u bashku të gjithë institucionet dhe gjithë faktorët në parandalimin e përhapjes. Vështirësitë kanë qenë serioze, jemi ballafaquar me furnizime në mungesë shpesh herë deri tek oksigjeni që ka qenë i domosdoshëm për pacientë në spital, rritja e kartelës sociale”, thotë Haziri.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, thotë se që nga fillimi i pandemisë kanë pasur një bashkëpunim korrekt me Qeverinë e vendit dhe me Ministrinë e Shëndetësisë, ndërsa respektimin e masave të vendosura nga niveli qendror ua atribuon qytetarëve.

“Respektimi i masave duhet t’iu atribuohet fillimisht qytetarëve, nuk kemi pasur nevojë për me ndërhy në mënyra jo të zakonshme, një ose dy herë gjatë gjithë kësaj kohe Policia ka intervenuar për me i shpërnda grupet e të rinjve të cilët kanë dal me u argëtua edhe që deri diku kuptohen, po edhe ata duhet me kuptua situatën në të cilën jemi. Kështu që, qytetarët e Komunës së Gjakovës në masë jashtëzakonisht korrekte i kanë respektuar masat të cilat janë vendosur prej qeverisë, në fund të fundit kjo është një mënyrë e funksionimit të një shteti normal. Mund të ndodh që disa masa nuk na pëlqejnë, por kur vijnë në mënyrë institucionale atëherë duhet të respektohen. Janë ndërruar dy qeveri gjatë këtij viti, kemi pasur komunikim që prej fillimit, ne komunikojmë edhe përmes Asociacionit të Komunave me të gjithë kryetarët e tjerë të komunave, kemi mënyrat tona të komunikimit permanent. Mirëpo edhe me Ministrinë e Shëndetësisë kemi pasur komunikim jashtëzakonisht korrekt dhe me qeverinë patjetër”, thotë Gjini.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, thotë se kufizimet e ndërmarra nga ana e qeverisë së vendit janë pritur nga qytetarët me kundërshtime, por që thekson se ka pasur respektim të tyre.

“Si gjitha komunat tjera, ka pas kundërshtime, ka pas edhe respektim të masave e ndonjëherë edhe mosrespektim të masave por tani edhe shumica e qytetarëve janë vetëdijesuar se janë masa të jashtëzakonshme dhe një situatë e jashtëzakonshme në të cilën bota nuk ka qenë kurrë”, thotë Muhaxheri.

Bekim Salihu nga Instituti GAP, thotë se komunat kanë pasur rol kryesor në menaxhimin e situatës së krijuar nga pandemia. Ai thotë se niveli lokal është marr konkretisht me implementimin e masave të ndërmarra nga ana e nivelit qendror.

Sipas tij, niveli lokal është hallka e tretë më e rëndësishmja në menaxhimin e situatës me koronavirus, e lidhur me këtë ai thotë se niveli lokal ka menaxhuar mirë me pandeminë COVID-19.

“Ne konsiderojmë, përkatësisht Instituti GAP ka bërë edhe një vlerësim nëpërmjet një raporti analize përkatëse dhe të dhënat flasin që pushteti lokal ka pasur një menaxhim të mirë të situatës së krijuar nga pandemia. Bashkangjitur kësaj faktin që pandemia nuk ka qenë diçka e menduar, diçka e planifikuar dhe rrjedhimisht edhe mos përgatitja institucionale në këtë drejtim ka mundur të arsyetohet deri në një masë, për shkak që nuk ka qenë diçka e menduar dhe e planifikuar më parë. Atëherë do të thotë rezultatet flasin që ka pasur një menaxhim të mirë nga ana e nivelit lokal karshi situatës së krijuara”, thotë Salihu.

Salihu thotë se një defekt që ka karakterizuar raportin mes nivelit qendror dhe atij lokal është se shpesh herë qeveria ka ndërmarrë masa pa i konsultuar kryetarët e Komunave.

Këtë konsultim mes dy niveleve para marrjes së vendimeve rreth masave anti-COVID, Salihu e sheh si të domosdoshëm dhe që do t’i fuqizonte edhe më shumë masat e marra.

“Ka pasur bashkëpunim, ka pasur koordinim, ajo çka ka munguar në fakt është ndoshta nuk ka pasur shumë inkorporim të komunave në vendimmarrjen e përbashkët mes nivelit nacional dhe do të duhej nivelit lokal që të dakordoheshin masat në drejtim të zbatimit të tyre. Ka pasur raste kur komunat janë shprehur ose kur kryetarët e Komunave janë shprehur të befasuar me masat që i ka ndërmarrë niveli qendror, e kjo lenë për të kuptuar do të thotë që niveli qendrore në disa raste ka ndërmarrë masa pa u konsultuar dhe pa i inkorporuar nivelin lokal në pjesën e konsultimit ose vendimmarrjes së përbashkët. Mendoj që kjo ka qenë defekti më i madh që është manifestuar gjatë kësaj periudhe për shkak që niveli qendror do të duhej domosdoshmërish t’i konsultonte në vazhdimësi kryetarët e komunave për masat që po ndërmerren në përballimin e pandemisë për shkak që kjo do t’i fuqizonte edhe vet ato vendime që i ka marr niveli qendror”, thotë ai.

Në vendin tonë deri më tani janë mbi 50 mijë raste pozitive me COVID-19, ndërsa kanë vdekur mbi 1 mijë e 300 persona me COVID-19.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat