Reagon Visar Ymeri pas arrestimit të Dardan Molliqajt

Aktuale

Reagon Visar Ymeri pas arrestimit të Dardan Molliqajt

Nga: N.Sh Më: 12 janar 2021 Në ora: 15:21
Visar Ymeri dhe Dardan Molliqaj

Edhe Visar Ymeri ka reaguar pas arrestimit të Dardan Molliqajt dhe zyrtarëve të tjerë të PSD nga Policia e Kosovës.

Ai permes një postimi në Facebook, thotë se, gjobitja e qytetarëve për shkelje të masave, atëherë kur partitë lejohen të papenguara t’i shkelin të njëjtat masa, përtej padrejtësisë, shpërfaq në mënyrë të kulluar pabarazinë.

“Ata që kanë më shumë (në këtë rast pushtet), gëzojnë më shumë të drejta. Në rrethana të pabarazisë shoqërore, e njëjta ndodh edhe me ata që kanë më shumë para, e me të cilën blejnë më shumë pushtet, e me të cilin gëzojnë më shumë të drejta”, shkruan ai në Facebook.

Ai thotë se, kjo pabarazi duhet kundërshtuar e luftuar.

“Dhe kjo është në kundërshtim me vullnetin e pushtetit dhe të pushtetshmëve. Prandaj ata që kundërshtojnë arrestohen. Kjo është e papranueshme në vete. Por, arrestimi nuk bën gjë tjetër përveç se e përmbyll qarkun e pabarazisë. Dhe këtu qëndron thelbi: në këtë vorbull shoqëroro-politike pabarazia që po shpërfaqet përmes trajtimit të pabarabartë të njerëzve në raport me të drejtat që i gëzojnë, është dhe duhet të jetë e kundërshtueshme. Edhe atëherë kur nuk rezulton me arrestime të aktivistëve”, shkruan Ymeri.

“Drejtësia selektive është padrejtësi dhe pabarazi. Së pari masat që çdo ditë e më shumë po humbin kuptim. Pastaj zbatimi selektiv i tyre. Gjobitja e qytetarëve që janë zënë jashtë pas orës 20.00 dhe jashtë tubimeve partiake. Dhe në fund arrestimi i atyre që e kundërshtojnë zbatimin selektiv. Kështu funksionon zinxhiri i pabarazisë”, përfundon Ymeri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat