​Elezi: Shtatë parti politike dhe tri nisma qytetare kanë aplikuar për certifikim

Aktuale

​Elezi: Shtatë parti politike dhe tri nisma qytetare kanë aplikuar për certifikim

Më: 16 janar 2021 Në ora: 12:53
Valmir Elezi

Deri në mesditën e së shtunës, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë aplikuar për certifikim 10 subjekte politike. Bëhet fjalë për shtatë parti politike dhe tri iniciativa qytetare, me gjithsej 210 kandidatë.

Kështu bën të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi i cili thekson se sot është dita e fundit e dorëzimit të listave me kandidatë për deputetë, të cilët pas certifikimit garojnë për ulëse në Parlamentin e Kosovës.

Elezi: Numri i subjekteve politike që kanë aplikuar është gjithsej 10

“Deri në këto momente që po flasim, pra deri në mesditë, numri i subjekteve politike që kanë aplikuar është gjithsejtë 10 subjekte politike. Bëhet fjalë për shtatë parti politike dhe tri nisma qytetare. Numri i përgjithshëm i tyre është gjithsejtë 210 kandidatë”, thotë Elezi.

Subjektet politike që kanë dorëzuar listat e tyre me kandidatë për deputetë, kryesisht janë nga radhët e komuniteteve.

Elezi: Janë shtatë parti politike dhe tri nisma qytetare

“Janë Partia Rome e Bashkuar e Kosovës me 33 kandidatë, pastaj Jedinstvena Goranska Partija me 16 kandidatë, Srpska Lista me 20 kandidatë, Partia balliste me 5 kandidatë, Social Demokratska Unija me 22 kandidatë, Partia Demokratike e Ashkalinjve të Kosovës me 44 kandidatë dhe Lëvizja për Bashkëveprim me 35 kandidatë. Ndërkaq, nga iniciativa qytetare kemi Romani Iniciativa me 12 kandidatë, Ujedinjena Zajednica-Adriana Hoxhiq me 13 kandidatë dhe Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës me 10 kandidatë”, shton Elezi.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi listat me emrat e kandidatëve për deputetë do të dërgohen edhe në pesë institucione të tjera përveç Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Elezi: Kjo kërkesë nga ana e KQZ-së do të bëhet më së largu deri me datën 18 janar

“ Me qëllim të zbatimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese si dhe Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme do të bashkëpunojë me institucione të tjera të cilat kanë rolin e tyre në procesin e certifikimit të kandidatëve. KQZ do të dërgojë listat në gjashtë institucione. Në Këshill Gjyqësor të Kosovës, në PZAP, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në Ministrinë e Jashtme, në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Agjencinë e Kosovës për Intelegjencë. Kërkesë me qëllim për verifikim të kandidatëve sipas nenit 29 të Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme. Kjo kërkesë nga ana e KQZ-së do të bëhet më së largu deri me datën 18 janar, ndërkaq përgjigje nga këto institucione presim deri më datë 20 janar”, njofton Elezi.

Më 1 shkurt do të bëhet hedhja e shortit të renditjes së partive politike në fletëvotim, ndërkohë që zgjedhjet do të mbahen më 14 shkurt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat