​Siguria dhe zgjidhja e konflikteve, prioritetet e Suedisë gjatë kryesimit të OSBE-së

Aktuale

​Siguria dhe zgjidhja e konflikteve, prioritetet e Suedisë gjatë kryesimit të OSBE-së

Më: 21 janar 2021 Në ora: 12:46
Pamje nga takimi

Siguria në Evropë, zgjidhja e konflikteve, lufta ndaj terrorizimit, të drejtat e komuniteteve jo shumicë dhe fuqizimi i gruas në vendimmarrje, janë disa prej prioriteteve që do të ketë Suedia gjatë kryesimit të OSBE-së.

Ambasadorja e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck derisa ka prezantuar prioritetet e kryesimit suedez të OSBE-së, tha se terrorizmi dhe krimet kibernetike janë më të përhapura vitet e fundit dhe se do të përqendrohen kryesisht në zgjidhjen e këtyre problemeve.

Hernmarck: Ende ka kriza politike që sfidojnë sigurinë e përbashkët

“Ende ka konflikte, ende ka kriza politike që sfidojnë sigurinë tonë të përbashkët. Tani jemi duke punuar në zhvillim të qëndrueshëm dhe të njëjtën kohë kemi kërcënime transnacionale përfshirë terrorizmin, krimet kibernetike që janë intensifikuar viteve të fundit”, tha ajo.

Sipas saj, Suedia është e gatshme të marrë përsipër gjëra të rëndësishme që lidhen me rendin e sigurisë në Evropë.

Hernmarck: Do të kontribuojmë në zgjidhjen e konflikteve

“Si kryesuese, Suedia do të marrë përsipër gjëra të rëndësishme siç janë rendi i sigurisë në Evropë dhe koncepti bazik i sigurisë, dhe të kontribuojmë në zgjidhjen e konflikteve. Suedia mëton të jetë aktive dhe konstruktive si shtet pjesëmarrës në OSBE dhe ne dëshirojmë që në tryezë t’i sjellim para të gjithëve disa çështje për të përmirësuar edhe organizatën, për të theksuar që barazia gjinore ndihmon shoqërinë dhe pjesëmarrja e grave në zgjidhjen e konflikteve dërgon në paqe më të qëndrueshme”, tha Hernmarck.

Ushtruesi i detyrës së shefit të misionit të OSBE-së në Kosovë, Kilian Wahl tha se pjesë e prioriteteve është edhe mbështetja e institucioneve në luftimin e korrupsionit dhe krimit financiar.

Wahl: Do të kontribuojmë në fuqizimin e agjencive të sundimit të ligjit

“Ne do të fokusojmë aktivitetet tona në fuqizimin e kapaciteteve të agjencive të sundimit të ligjit dhe përmirësimin e aftësive të tyre për një reagim më të mirë ndaj kërcënimeve të sigurisë. Misioni do të mbështesë edhe rishikimin kyç të strategjive kryesore në nivel vendi duke përfshirë atë kundër terrorizmit dhe për parandalimin e rreziqeve të terrorizmit dhe të tjera, si dhe strategjinë për trajtimin e sigurisë kibernetike dhe strategjisë kundër trafikimin me njerëz”, tha Wahl.

Ai tha se OSBE do të mbështesë procese legjislative që kanë në fokus përfaqësimin më të madh të grave dhe komunitetet jo shumicë.

Sipas tij, gratë nuk janë të përfaqësues mjaftueshëm në nivelet e jetës politike dhe proceset vendimmarrëse, andaj, shtoi se OSBE do të promovojë rolin e grave në vendimmarrje, në veçanti në fushën e sigurisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat