Nga VV nisin menjëherë presionet: Supremja ka një detyrë të lehtë e një përgjegjësi të madhe

Aktuale

Nga VV nisin menjëherë presionet: Supremja ka një detyrë të lehtë e një përgjegjësi të madhe

Më: 26 janar 2021 Në ora: 20:06
Albin Kurti

Nga Vetëvendosje kanë folur sërish për vendimin e sotëm të PZAP-së që ia ndalon kreut të kësaj partie, Albin Kurtit dhe katër kandidatëve të tjerë kandidimin në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Zëdhënësi i kësaj partie, Përparim Kryeziu me anë të një postimi në Facebook, është shprehur se neni që nuk bën dallimin ndërmjet dallimit të burgimit me  burg dhe gjobë, s’mund të merret për bazë që t’a mohojë të drejtën për t’u kandiduar në zgjedhje.

Madje, Kryeziu ka shkuar edhe më larg duke thënë se Supremja sipas tyre ka një detyrë të lehtë dhe një përgjegjësi të madhe para vetes, e që mund të konsiderohet si presion në drejtësi.

“Një nen i ligjit i cili nuk bën dallimin ndërmjet dënimit me burg dhe atij me kusht apo gjobë, dhe që nuk e bën dallimin në mes veprave penale por i futë të gjitha në një thes, nuk mund të përdoret si bazë për mohimin e një të drejte kushtetuese elementare siç është e drejta për t’u zgjedhur. Gjykata Supreme ka një detyrë të lehtë e një përgjegjësi të madhe”, ka thënë Kryeziu në një postim në Facebook.

Ndryshe, PZAP i dha të drejtë sot KQZ-së për moscertifikimin e pesë kandidatëve të Vetëvendosjes si dhe kandidatëve të tjerë të partive tjera të cilët kanë pasur dënim nga gjykata në tri vitet e fundit.

Menjëherë pas vendimit të PZAP-it, VV konfirmoi se rastin do ta dërgojë në Supreme.

Afati i fundit që kjo çështje të marrë epilog është 31 janari. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat