​DnV: Partitë e papërgjegjshme, s’po i respektojnë masat anti-COVID

Aktuale

​DnV: Partitë e papërgjegjshme, s’po i respektojnë masat anti-COVID

Më: 6 shkurt 2021 Në ora: 14:12
Demokracia në Veprim

(E plotësuar 15:20) - Koalicioni i OJQ-ve për vëzhgimin e zgjedhjeve Demokracia në Veprim ka vërejtur se në tubimet elektorale të partive politike në tri ditët e para të fushatës zgjedhore të 14 shkurtit nuk janë respektuar masat anti-COVID.

Sipas DnV-së, situata në këto tre ditë të fushatës është e qetë, ndonëse është më dinamike dhe vërehet një interesim i madh i qytetarëve përkundër pandemisë.

Jeta Krasniqi nga DnV në një konferencë për media ka deklaruar se nga monitorimi që kanë bërë është vërejtur se partitë politike po përdorin edhe format virtuale për të shpalosur programet e tyre qeverisëse.

DnV e ka dënuar ashpër papërgjegjësinë e partive të cilat me anë të aktiviteteve të tyre partiake po shkaktojnë grumbullime të njerëzve edhe në hapësira të mbyllura.

Krasniqi: Subjektet politike në aktivitet e tyre nuk po përfillin masat anti-COVID

“Ajo që DnV ka evidentuar nga këto monitorime ka qenë në pjesën dërrmuese të aktiviteteve qendrore subjektet politike nuk janë përmbajtur kufizimeve të vendosur nga IKSHP-ja për masat anti-COVID, dhe kjo ka ndodhur qoftë në aktivitetet e organizuara në ambientet e mbyllura, po ashtu edhe ato që janë organizuar në ambientet e hapura. Kemi parë që subjektet politike kanë vazhduar me grumbullim të qytetarëve dhe nuk është përfill as numri i pjesëmarrësve por nuk është përfillur as distanca apo qoftë maskat gjatë kohës kur ka grumbullim të njerëzve. DnV dënon ashpër papërgjegjshmërinë e subjekteve politike të cilat me anë të aktiviteteve të tyre zgjedhore janë duke e vënë në rrezik qoftë shëndetin dhe jetën e qytetarëve. Jemi duke e parë që grumbullimet, pa përfilljen e masave mund të shkaktojnë pasojat të cilat institucionet tona, qoftë në aspektin shëndetësor, qoftë në atë ekonomik do e kenë të vështirë për ta përballuar”, u shpreh Krasniqi.

Nga ky monitorim del se partitë politike krahas premtimeve të tyre kanë përdorur edhe gjuhë nxitëse ndaj subjekteve të tjera me baza politike.

Zhvillimi ekonomik, bujqësia, punësimi e sigurimet shëndetësore janë identifikuar si disa nga premtimet që janë fokusuar më shumë partitë dhe kandidatët për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Krasniqi: Partitë politike kanë përdorur edhe gjuhë nxitëse ndaj njëra-tjetrës

“Kemi parë që subjektet politike në aktivitetet e tyre zgjedhore përveç se kanë folur për çështjet apo premtimet e tyre elektorale, kanë pasur raste kur kanë përdorur edhe gjuhë nxitëse ndaj subjekteve të tjera me baza politike. Pra, akuza dhe kundër akuza ndaj njëri-tjetrit kanë qenë 13 përqind të aktiviteteve të monitoruara. Subjektet politike dhe kandidatët që kanë konkurruar në këto zgjedhje parlamentare apo një vend të deputetit në Kuvend, i kanë përdorur këto takime për të shtyrë përpara premtimet e tyre elektorale ku nga aktivitetet që ne kemi ndjekur si DnV që fokusi ka qenë në temat si zhvillimi ekonomik, bujqësia, punësimi, sigurimet shëndetësore, pensionet dhe mirëqenia sociale si dhe arsimi”, theksoi ajo.

Krahas monitorimit në tubimet publike, DnV ka monitoruar edhe mediat. Jeta Krasniqi tha se hapësira më e madhe mediale i është ofruar Lëvizjes Vetëvendosje me gjithsej 79 minuta e pasuar nga LDK me gjithsej 77 minuta e AAK me 68 minuta.

Krasniqi: Hapësira më e madhe mediale i është ofruar Lëvizjes Vetëvendosje

“Përgjatë kësaj periudhe në mediumet në të cilat DnV i monitoron janë zhvilluar diku 226 kronika zgjedhore e 335 kandidatë nga subjekte të ndryshme politike (janë përfshirë në kronika) ku shohim që ka një shtrirje të ndryshme të partive politike. Për t’i dhënë vetëm disa numra shohim se nga ta kanë qenë 83 kandidatë nga radhët e PDK-së, 89 nga radhët e LDK-së, 62 nga AAK, 55 nga Lëvizja Vetëvendosje, 35 nga Nisma dhe 11 nga partitë minoritare. Ajo çka vihet re, edhe në këtë rast, është prapë një përfaqësim jo i barabartë mes grave dhe burrave dhe në fakt mund të themi një përfaqësim shumë i ulët i grave në krahasim me burrat, ku shohim se gratë përbënin vetëm 22% të të gjithë kandidatëve që ishin prezentë. Duket se një hapësirë më e madhe i është ofruar Lëvizjes Vetëvendosje me 79 minuta, LDK-së me 77, AAK-së me 68, NISMA me 60 minuta, PDK 55 minuta, Lista Serbe 8 minuta dhe partive të tjera në përgjithësi me 23 minuta nga 327 minuta në total. Gratë në këto kronika zgjedhore ishin prezent vetëm në 13 përqind të këtyre kronikave zgjedhore”, u shpreh Krasniqi.

Lidhur me monitorimin e mediave, DnV ka evidentuar raste kur reklamat e subjekteve politike nuk kanë qenë të sponsorizuara në 24 raste ku 21 prej tyre janë shfaqur në RTK1.

Demokracia në Veprim ka vërejtur po ashtu se gjatë tri ditëve të para të fushatës nuk i është ofruar sa duhet qasje personave më aftësi të kufizuara dhe po ashtu ka vërejtur se nuk është bërë përfaqësimi i barabartë i grave në lista zgjedhore ashtu siç e parasheh ligji.

Të gjeturat nga vëzhgimi i DnV-së thonë se subjektet politike kanë bërë edukimin e votuesve në 35% të aktiviteteve zgjedhore të monitoruara nga DnV, qoftë duke treguar numrin e partisë së tyre dhe kandidatëve për deputetë, duke treguar mënyrën se si të votohet dhe apo duke shpërndarë broshura me numër të subjekteve të tyre.

DnV ka monitoruar 40 aktivitete të subjekteve politike prej të cilave shumica nga aktivitet e monitoruara ka qenë tubime publike në qytetet si Prizren, Ferizaj dhe Gjilan.

***

Demokracia në Veprim ka vërejtur se në tri ditët e para të fushatës për zgjedhjet e 14 shkurtit, janë mbajtur tubime të cilat nuk respektojnë masat anti-COVID në Kosovë.

Sipas DnV-së, pasojat nga këto tubime vështirë do t’i përballojnë nstitucionet e Kosovës në ditët në vijim.

“Grumbullimet pa përfillje të masave mund të shkaktojnë dëme të cilat institucionet tona do ta kenë të vështirë për t’i përballuar”, ka thënë Jeta Krasniqi nga kjo organizatë gjatë një konference të shtunën.

Demokracia në Veprim ka vërejtur po ashtu se gjatë tri ditëve te para të fushatës nuk i është ofruar sa duhet qasje personave më aftësi të kufizuara dhe po ashtu ka vërejtur se nuk është bërë përfaqësimi i barabartë i grave në lista zgjedhore ashtu siç e parasheh ligji.

Sipas DnV-së, atmosfera në të cilat janë zhvilluar aktivitetet ka qenë e qetë.

DnV-ja ka kritikuar mediat për përfaqësim të ulët të grave në debatet zgjedhore ndërkaq ka bërë të ditur se Vetëvendosjes po i jepet më së shumti hapësirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat