Plaga e kamotshme e shqiptarëve, ja çfarë premton LVV-ja për zbardhjen e krimeve të luftës

Aktuale

Plaga e kamotshme e shqiptarëve, ja çfarë premton LVV-ja për zbardhjen e krimeve të luftës

Më: 8 shkurt 2021 Në ora: 15:25
Ilustrim

Në programin qeverisës të publikuar sot me emrin “Prioritetet për KREJT qytetarët DREJT së ardhmes”, nga Lëvizja Vetëvendosje, vend ka zënë edhe qasja që kjo parti premton ta ketë për krimet që janë kryer në Kosovë.

Në kapitullin që nis me ‘Adresimin e krimeve të luftës”, Vetëvendosje premton se do të përgatitë një platformë përmes së cilës do të bëhet një padi ndaj krimeve të gjenocidit të Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Prioritet i Qeverisë do të jetë përgatitja e padisë ndaj krimit të gjenocidit të Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Qeveria në bashkëpunim me të gjithë personat dhe grupimet dhe organizatat për ngritjen në nivele ndërkombëtare të kërkimit të drejtësisë për krimet e luftës dhe gjenocidit në Kosovë, duke synuar anëtarësimin e Kosovës në Konventat e Gjenevës dhe Konventën kundër Gjenocidit, si dhe mundësinë e ushtrimit të padisë së Kosovës kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”, thuhet në programin e LVV-së.

Në planin qeverisës të Vetëvendosjes po ashtu thuhet se do të krijohet një njësi e veçantë e personave të specializuar brenda Agjencisë së Kosovës për Forenzikë e cila do t’i verifikojë faktet dhe dëshmitë.

“Rishikimi i mandatit të departamentit special brenda Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit me qëllim të fuqizimit të tij dhe qartësimit të kompetencave për lëndët e prokurorisë speciale. Miratimi i një legjislacioni të veçantë për mbrojtjen e identitetit dhe të dhënave të viktimave të krimeve në Kosovë”, janë disa prej premtimeve të Vetëvendosjes për këto zgjedhje.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare do të mbahen të dielën e kësaj jave. Listës së Lëvizjes Vetëvendosje i prinë i pari i kësaj partie, kandidati për kryeministër Albin Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat