Albin Kurti pragmatist apo idealist? Analistët ngrenë pikëpyetje për kreun e VV-së

Aktuale

Albin Kurti pragmatist apo idealist? Analistët ngrenë pikëpyetje për kreun e VV-së

Më: 8 shkurt 2021 Në ora: 22:24
Albin Kurti

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në zgjedhjet e 14 shkurtit me shumë gjasa do të sigurojë vota të mjaftueshme për të formuar qeverinë e re të Kosovës.

Për Agon Maliqin ka një rrezik përballë kësaj situate pasi askush nuk po vë në dukje rrezikun e një Albin Kurti autoritar. Ky rrezik sipas tij shtohet nëse fitojnë dhe Presidentin.

“Kurti ka treguar që ka mendësi autoritare, qoftë brenda partisë dhe qoftë në ligjërimet e tij. I ka dhënë Kosovës një instrument dhe lider politik që vendoset kundër të gjithëve. Konsistenca e tij ka qenë se gjithmonë ka qenë kundër të gjithëve, të paktën në ide”, shprehet ai.

Ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB, Agim Nesho thotë  se pragmatizmi i Kurtit është i nevojshëm për të arritur qëllimet e Kosovës.

“Albini mendoj se ka integritet të plotë në qëndrimin e tij. Ndoshta nuk ka maturinë politike për të qenë kundër të gjithëve”, tha ish-ambasadori.

Për analistin Rron Gjinovci në këto zgjedhje Kosova nuk ka zgjidhje tjetër pasi sipas tij ky është shansi i vetëm për t’i çliruar institucionet nga korrupsioni.

“Mund të gjejmë nuanca në qëndrimet e tij por është i vetmi politikan shqiptar që në zgjedhjet e SHBA ka bërë thirrje që të votohej Biden dhe nëse do të kishte rezultuar e kundërta, vuri në rrezik karrierën e tij politike”, tha ai.

Gazetarja Jeta Xharra thotë se në 20 vite, Kosovsa ka vuajtur nga mungesa e qeverive të qëndrueshme dhe tashmë ka ardhur momenti që të provohet një qeveri me mandat të plotë. Ndërsa shtoi se në 20 vjet nuk ka asnjë person në burg për korrupsion në nivel të lartë.

“Kosova e meriton një qeveri 4-vjeçare. Është obligim i yni me e mbikëqyr qeverinë”, tha ajo.

Gazetari Franko Egro thotë se VV në fushatë po kërkon përveç kryeministrit dhe presidentin dhe kjo mund ta dëmtojë demokracinë në Kosovë.

“Kurti ka hyrë në fushatë jo vetëm për t’u bërë kryeministër por edhe ka kërkuar që Vjosa Osmani të konfirmohet si presidente. Nëse kjo ndodh atëherë check and balance nuk do të funksionojë ashtu siç duhet”, tha ai.

Analisti Ismail Tasholli në fjalën e tij u shpreh se fushata po bazohet në idealizëm në një kohë kur Kurti është i provuar pasi ka bashkëpunuar me liderë të tjerë dhe qeverisur në pushtetin lokal.

“Po krijohet ideja që Albin Kurti ka ardhur prej marsit dhe po hyn dhëndër për herë të parë. Albin Kurti ka 20 vjet në politikë. Vetëm idealist nuk është Kurti. Ai ka mjete me të cilat pretendon pushtetin. Nëse përcjell koalicionet e tij me emra të caktuar që kanë edhe të kaluar korruptive, nuk njoh njëri më pragmatist në politikën kosovare”, tha Tasholli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat