Ҫun Lajҫi kujton kohën kur Pacolli ia bleu pantollonat: Don Zoti...e prap mi blenë nji palë tesha!

Aktuale

Ҫun Lajҫi kujton kohën kur Pacolli ia bleu pantollonat: Don Zoti...e prap mi blenë nji palë tesha!

Nga: H.O. Më: 10 shkurt 2021 Në ora: 08:44
Artisti dhe shkrimtari Ҫun Lajҫi

Artisti dhe shkrimtari Ҫun Lajҫi në një postim të tij në Facebook ka kujtuar kohën kur kishte marrë pjesë në Berlinale në vitin 2010.

Ai thotë se për të shkuar atje, pantollonat ia kishte blerë Behgjet Pacolli.

“Mbramë tue i ra lahutës nisa m'u kotë se kisha zjarrmi nga Covidi. E mora telefonin dhe e xhirova vetën. Kur e shikova, e pashë se pantallonat m'ishin shkye dërmjet vegëve!

- Marrja e Zotit thashë! Artisti me tesha t'shkyeme!

Dhe i hoqa me i harrnua si baba!

Kur e shtina penin n'xhylpanë, m'u kujtua viti 2010. Ishte viti i fundit kur kisha ble rroba t'reja! Jo, s'i kisha ble unë, rrejta. M'i kishte ble vllau i Selim Pacollit, Behgjeti, sepse duhej me shkua "n'Berlinale" n'Festivalin e Filmit me "Falja e gjakut" e duhej me qenë i veshun shik”, shkruan ai.

Në këtë rast, artisti Lajҫi thotë se shpreson që “filmi "Zgjoi" në Berlinale, e Behgjeti prap mi blenë nji palë tesha”.

Postimi i plotë:

Pantallonat e festivalit!

- Ma n'fund e kuptova se edhe çka kisha trashëgua nga baba!

E kisha ba edhe herave tjera, por koha s'me kishte premtua m'u kthye n'vitet e tij e me krahasua t'birin me t'atin!

Rolet n'teatër, filmat e festivalet e shumtë anë e kand Jugosllavisë, m'kishin shti n'gjinin e harresës, e harrua e kisha zanatin, t'vetmin, t'babës kaçak: Kënaqësinë me i harrnua teshat e veta!

Nanës i vinte inat e s'duronte. Bile e truente e vër syni s'i bante. Ishte trimneshë si duket. Si duket edhe Ramë Mula, i ati, kishte qenë inatçor si e bija, apo ndoshta krejt Martinajt kishin qenë krenarë, t'hieshëm, t'veshun bukur e trima!

- Ma more ftyrën! S'je n'shpellë tue ruejtë Bajram Begun!

Uh qyshë s'po t'ngulet ajo xhylpanë dikund bre, i thoshte plot pezëm!

Duro bile deri sa t'shkon Syka e Bajram Selmanit, se krejt nahija e Gucisë marrin vesh. Thonë, Shekja e Ramë Mulës nuk po e harrnonte t'shoqin! A po don me ma qitë marren a? Pse m'ke marrë për grua!

Fliste e s'ndalej. I vinte inat nga kusherina e vet, tezja Sykë që çdo ditë vinte me ndejt me nanën.

Ky hiç s'ia lëshonte sytë, veç m'thoshte mua: Shtima penin n'xhylpanë Çulko, se kjo kudra s'din m'u ndalë!

E kishin lanë sytë edhe kambët, por ky s'e kishte lanë zanatin e kaçakut: Me gatua vet, e me i harrnua teshat e veta. Ato që i kishte veshun, se s'kishte tjera. Tre muaj verë i lante vet, e derisa tereshin n'diell, ai rrinte n'klina. Hante veç bukë kallamoqi t'nji jave, me djath e kos, se ne ishim n'bjeshkë. Këto ishin zanatet e babës që i kishte mësua në shpellën e Dragobisë, dhe n'atë shpellën e Sheut t'Keq me bacin Sadik e Istref!

Zanati i tretë ishte lahuta dhe gjumi që e merrte tue knua!

Mbramë tue i ra lahutës nisa m'u kotë se kisha zjarrmi nga Covidi. E mora telefonin dhe e xhirova vetën. Kur e shikova, e pashë se pantallonat m'ishin shkye dërmjet vegëve!

- Marrja e Zotit thashë! Artisti me tesha t'shkyeme!

Dhe i hoqa me i harrnua si baba!

Kur e shtina penin n'xhylpanë, m'u kujtua viti 2010. Ishte viti i fundit kur kisha ble rroba t'reja! Jo, s'i kisha ble unë, rrejta. M'i kishte ble vllau i Selim Pacollit, Behgjeti, sepse duhej me shkua "n'Berlinale" n'Festivalin e Filmit me "Falja e gjakut" e duhej me qenë i veshun shik!

E futa xhylpanën, por ato nuk harrnoheshin si tirqit e babës!

Ofshana!

Qenkan shkye pantallonat e festivalit! Sa mu dhimbsen!

M'u desht me fshi kangën nga YouTube se shiheshin dy vrima t'mëdhaja mes vegëve!

I gjujta ato edhe këpucët, të cilat i mbatha n'katër filma, që do t'thotë se ishin t'vjetra 16 vite!

Vetëm fluturën e kuqe e ruejta për kujtim.

Kur rashë me fjetë, si marrani qesha: Don Zoti thashë, e shkon filmi "Zgjoi" në Berlinale, e Behgjeti prap mi blenë nji palë tesha!

Artist Kosove ma!

Dardani, 09.02.2021

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat