Vazhdon mllefi i Bekim Jasharit me KQZ-në: Shmang votimin

Aktuale

Vazhdon mllefi i Bekim Jasharit me KQZ-në: Shmang votimin

Më: 14 shkurt 2021 Në ora: 13:25
Bekim Jashari

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, gjatë ditës së djeshme bëri të ditur se është informuar nga drejtorët e shkollave që ata kanë pranuar telefonata (siç kanë thënë nga KKZ) nga persona të cilët kanë kërkuar që në ditën e zgjedhjeve të ndalen kamerat në vendvotime.

Kjo gjë ishte e papranueshme për Jasharin i cili reagoi mbrëmë.

“Një shkresë e tillë e dërguar një ditë para zgjedhjeve, vetëm për komunën tonë, është e papranueshme dhe kundër demokracisë që synojmë të ndërtojmë. Nëse prania e kamerave në vendvotime (klasa) gjatë votimit është shkelje atëherë përse këto kamera janë vendosur dhe funksionojnë në shkollat e Kosovës dhe janë funksionale gjatë procesit mësimor”, shkroi mbrëmë Jashari.

KQZ i’u kundërpërgjigj Jasharit ku treguan se të gjitha objektet shkollore të cilat shndërrohen në Qendra të Votimit, menaxhohen dhe mbikëqyren nga KQZ dhe nuk menaxhohen dhe as nuk mbikëqyren nga komunat dhe kryetarët e tyre.

“Po ashtu, të gjitha objektet shkollore të cilat shndërrohen në Qendra të Votimit menaxhohen dhe mbikëqyren nga KQZ. Ato nuk menaxhohen dhe as nuk mbikëqyren nga komunat dhe kryetarët e tyre. Të gjitha rregullat për të gjitha Qendrat e Votimit gjithandej Republikës së Kosovës janë unfiorme dhe vlejnë njësoj për të gjitha, në të gjitha komunat. Këto rregulla kanë qenë të tilla edhe në proceset e kaluara zgjedhore dhe nuk kanë pësuar asnjë ndryshim”, thuhej në reagimin e mbrëmshëm të KQZ-së.

Mllefi i Bekim Jasharit me Komisionin Qendror Zgjedhor është duke vazhduar edhe sot. I njëjti ka shmangur të drejtën kushtetuese për votim.

Gazetari Kushtrim Bekolli i cili është duke raportuar nga komuna e Skenderajt bëri të ditur se Jashari nuk ka votuar në shkollën “Ilir Lushtaku” në Prekaz të Ulët.

Atij kjo i’u konfirmua edhe nga Kabineti i Komunë së Skenderajt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat