Trendafilova kërkon ndihmë nga BE-ja: Kosova po tenton ta zhvendosë Gjykatën Speciale në Prishtinë, në rrezik siguria e dëshmitarëve

Aktuale

Trendafilova kërkon ndihmë nga BE-ja: Kosova po tenton ta zhvendosë Gjykatën Speciale në Prishtinë, në rrezik siguria e dëshmitarëve

Nga: A.Morina Më: 15 shkurt 2021 Në ora: 22:51
Gjykata Speciale

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, ka kërkuar me ngulm nga diplomatët e BE-së që ta ndihmojnë në luftën kundër një fushate e cila po tenton ta minoj punën e saj në Kosovë.

Në një konferencë konfidenciale për diplomatët evropianë në Hagë, të mbajtur me 11 shkurt, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Gjyqtarja Ekaterina Trendafilova u ankua se gjykata po përballej me përpjekje të shtuara nga Kosova për të penguar zhvillimin e procedurave ligjore, përfshirë këtu edhe rastin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili u akuzua për krime lufte vitin e kaluar.

Euronews ka siguruar një transkript nga kjo konferencë konfidenciale, në të cilën Trendafilova deklaron se po bëhen përpjekje për të kundërshtuar ligjin që formoi Gjykatën Speciale në vitin 2015 dhe mund të përfshijë përpjekje për të falur të dënuarit për krime ose edhe për ta zhvendosur gjykatën nga Haga, ku është aktualisht e vendosur, në Prishtinë.

 “Kjo sigurisht që do të vë në rrezik jetën dhe sigurinë e njerëzve që kanë qenë dëshmitarë ose do të jenë të gatshëm të bashkëpunojnë me ne. Ndryshime të tilla, sigurisht, do të kishin një efekt shumë të madh mbi dëshmitarët, të cilët edhe mund të mos paraqiten më, duke e bërë kështu të pamundur që Prokurori i Gjykatës Speciales të vazhdojë të merret me rastet e tij", tha Trendafilova, përcjell “Bota sot”.

Trendafilova, gjithashtu kishte përmendur edhe sigurinë e dëshmitarëve që paraqiten në ndjekje penale dhe u kërkoi diplomatëve evropianë që të marrin në konsideratë "marrëveshje bashkëpunimi gjithëpërfshirëse" që të mund të i zhvendosin dëshmitarët dhe familjet e tyre në Evropë.

"Pa këto marrëveshje, do të jetë shumë e vështirë nëse jo e pamundur që dëshmia mund të jepet lirshëm dhe pa ndonjë frikë nga dëshmitari," tha Trendafilova.

Një zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës për Euronews tha se konferenca ishte konfidenciale dhe transkriptimi i saj ishte shpërndarë aksidentalisht dhe se nuk është e qartë se sa njerëz morën këtë transkriptimin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat