​Nuk dihet kur nis numërimi i votave me postë, KQZ fillon publikimin e formularëve të rezultateve

Aktuale

​Nuk dihet kur nis numërimi i votave me postë, KQZ fillon publikimin e formularëve të rezultateve

Më: 16 shkurt 2021 Në ora: 13:17
Foto Ilustrim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka një datë të saktë se kur do të nisë numërimi i votave të ardhura përmes postës. Zëdhënësi i këtij institucioni Valmir Elezi, tha se ende nuk dihet kur do të fillojë pasi që së pari duhet të bëhet skanimi i listës së votuesve. Pasi të përfundojnë të gjitha këto procedura, ai tha se numërimi i votave mund të përfundojë brenda dy ditëve.

Këto ai i bëri të ditura në konferencën për media, ku njoftojë se nga sot KQZ do të fillojë me publikimin e formularëve të rezultateve të subjekteve politike dhe kandidatëve për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Sa i përket votave me postë, Elezi tha se KQZ ka pranuar 43 mijë e 500 pako me fletëvotime nga jashtë vendi, por që vetëm pasi të hapen këto pako tha se do të dihet numri i saktë i fletëvotimeve.

Elezi: Numërimi i tyre bëhet shpejt, brenda një ose më shumë dy ditë

Ndonjë datë nuk kemi për faktin se po shohim për sa kohë do të na duhet që të bëjmë të gjitha këto procedura që janë këtu në QNR, por do të jemi këtu bashkë për t'iu njoftuar kohë pas kohe me ecurinë e procesit këtu në QNR...Gjatë periudhës së votimit përmes postës KQZ, shërbimi i votues ka pranuar rreth 43 mijë e 500 pako të supozuara me fletëvotime nga jashtë vendi. Sipas procedurave në QNR besojmë që brenda disa ditëve fillon verifikimi, shqyrtimi i tyre dhe pastaj në momentin kur fillon numërimi i tyre atëherë do të dimë saktë se sa fletëvotime janë brenda këtyre dërgesave, këtyre pakove. Vetëm atëherë do të dimë saktë numrin e fletëvotimeve nga jashtë vendi. Numërimi i tyre bëhet shpejtë, nuk zgjatë shumë, besojmë brenda një ose më shumë dy ditë dhe rezultati i tyre pastaj i bashkohet rezultatit të vendvotimeve”, tha Elezi.

Fillimi i publikimit të formularëve të rezultateve të subjekteve politike dhe kandidatëve për zgjedhjet e 14 shkurtit, Elezi tha se po bëhet me qëllim të rritjes së transparencës dhe besueshmërisë në procesin zgjedhor.

Elezi: KQZ ka filluar me publikimin e formularëve të rezultateve për subjektet dhe kandidatët

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me publikimin e formularëve të rezultateve për subjektet politike dhe kandidatët nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat u mbajtën të dielën. Të gjithë të interesuarit do të mund të shohin rezultatet e subjekteve politike dhe kandidatëve për secilin vendvotim duke shfletuar kopjet e këtyre formularëve të cilët janë plotësuar në vendvotime nga Anëtarët e Këshillave të Vendvotimit, të dielën në mbrëmje pas numërimit të fletëvotimeve. Publikimi i formularëve nga komunat e ndryshme të Kosovës është në proces, pra pas përfundimit të skanimit të këtyre formularëve ata formularë do të publikohen në ueb faqen e KQZ-së”, tha ai.

Rezultatet Përfundimtare, ai tha se shpallen pas numërimit të votave me kusht, votave përmes postës, votave të personave me nevoja të veçanta dhe pas përfundimit të të gjitha procedurave në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat