​Kujtohet Qerim Kelmendi, kritikohen institucionet për mos-zbardhjen e rastit

Aktuale

​Kujtohet Qerim Kelmendi, kritikohen institucionet për mos-zbardhjen e rastit

Më: 27 shkurt 2021 Në ora: 16:29
Pamje nga shënimi i përvjetorit

Në përvjetorin e vrasjes së Qerim Kelmendit po kërkohet nga organet e shtetit që sa më parë të ndriçohet ky rast. Madje, të njëjtat po kritikohen mos-gatishmëri që sa më parë të zbardhet vrasja e tij. Familjarë, veprimtarë e bashkëpunëtorë të tij e kanë kujtuar sot në një akademi përkujtimore, duke thënë se i njëjti i mbijetoi luftës, por jo edhe paqes.

Në emër të familjes, Zenel Kelmendi e ka kujtuar Qerimin mes lotëve, duke thënë se nuk ka as autor, e as poet që mund të përshkruajë jetën dhe veprën e tij.

Kelmendi: Nuk ka autor që mund të përshkruajë jetën dhe veprën e Qerimit

“Unë nuk kam besuar, shpesh herë e kam pyetur vetën si i ri kur kam lexuar atë pjesë të historisë, nuk kam mund të marrë me mend se pse është dashur të vritet Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Avni Rrustemi. Por, kurrë nuk ma ka marrë mendja që edhe pas një lirie, edhe pas një gjaku që është derdhur që vjen puna edhe pas 20 vjetësh që dikush del e i vret ata. Duke e njohur Qerimin prej ditës të parë kur ka lindur kam thënë që nuk ka autor as shkrimtar që mundet me përshkrua jetën dhe veprën e Qerimit”, ka thënë ai mes lotëve.

Në këtë akademi përkujtimore, veprimtari Binak Ulaj tha se pikëllimi për mungesën e tij fizike po shtohet, kur dihet se si u gjet i vrarë Qerim Kelmendi.

Ulaj: Si ndodhë që edhe 20 vjet pas pushimit të armëve të UÇK-së, të vritet në mënyrë mizore?

"Përtej dhimbjes nuk më hiqet dot nga mendja pyetja e pa fund, si ndodhë që edhe 20 vjet pas pushimit të armëve të UÇK-së, të vritet ai në mënyrë mizore dhe të digjet trupi i Qerim Kelmendit. Një veprim i tillë monstruoz ishte veprim tipik i ushtrisë serbe dhe malazeze. Tani për tani kjo pyetje mbetet pa përgjigje. Por, nuk ka se si të mos më shpie në përfundimin se liria çfarë kemi sot nuk është liria për çfarë janë sakrifikuar breza e breza e kanë projektuar ideatorët dhe themeltarët e UÇK-së", tha ai.

Ulaj duke folur për kontributin e Kelmendit në luftë, theksoi se i njëjti ka mbrojtur vlerat e UÇK-së. Ai ka përmendur edhe keqpërdorimet që janë bërë në emër të meritave të luftës.

E kryetari i shoqërisë "Lëvizja", Xhevat Bislimi theksoi se Kelmendi i shpëtoi luftës por jo edhe e paqes.

Bislimi: Kërkojmë nga organet e shtetit të Kosovës që ky rast të ndriçohet

"Derisa nuk kemi organe dhe shtet që ka kapacitete, zotësi, aftësi t’i zbulojë vrasësit e Qerim Kelmendit edhe pas një viti. Kjo vërtetë është e dhimbshme dhe sot ndajmë dhimbjen bashkë me familjen Kelmendi... (24:11) Sot nga këtu kërkojmë nga organet e shtetit të Kosovës por edhe nga prania ndërkombëtare e cila ka kompetenca të jashtëzakonshme për arrestimin e kujtdo në Kosovë. Duhet të ketë informacione dhe besojmë që i ka që ky rast të ndriçohet që familja të jetë i qetë, që shoqëria të ndjehet e sigurt sepse mjaft me sakrifica pa mbarim për një liri që i takon këtij populli”, ka shtuar ai.

Veprimtari Sabri Kiçmari shtoi se Kelmendi ishte veprimtari më i veçantë nga gjithë të tjerët që ka pasur Lëvizja Popullore, por edhe UÇK. Ai ka kujtuar kohën sa kishte shkuar në Gjermani dhe kontributin e tij për të shpjeguar luftën në Kosovë.

Kiçmari: Emocionet që i ka sjellur Qerim Kelmendi në Gjermani kanë qenë domethënëse

“E kam njohur Qerimin edhe përmes shokëve të mi në burg dhe përshkrimeve të tyre për përjetimet e tmerrshme, dhunën e ashpër që është ushtruar ndaj tij gjatë vuajtjes të dënimit. Shokët e mia kanë qenë bashkë me të në burg dhe e njihja para se te takoja. Në vitet pas plagosjes së tij ai ka ardhur në Gjermani, jemi takuar dhe kemi biseduar gjatë shpesh. Emocionet që i ka sjell Qerim Kelmendi në Gjermani, faktet historike që ne dëgjonim por nuk i dinim, mënyra si e ka shpjeguar luftën ka qenë jashtëzakonisht domethënëse për atë që do të ndodhte më vonë në Kosovë”, ka theksuar ai.

Një vit ma parë, Qerim Kelmendi u vra me breshëri automatiku dhe trupi i tij u gjet i djegur në veturën e tij në fshatin Zahaq të Pejës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat