Kosova drejt 9 mijë rasteve aktive me COVID-19, paralajmërohen protesta nëse rikthehen masat

Aktuale

Kosova drejt 9 mijë rasteve aktive me COVID-19, paralajmërohen protesta nëse rikthehen masat

Më: 5 mars 2021 Në ora: 00:05
Foto ilustrim

Numri i rasteve të reja me koronavirus në Kosovë është rritur ndjeshëm në javën e fundit në Kosovë.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë regjistruar edhe 591 raste të reja me koronavirus.

“Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 3.674 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 591 raste pozitive.”, thotë raporti i IKSHPK-së.

Sipas të dhënave të IKSHPK-së, në 24 orët e fundit janë raportuar 7 raste të vdekjes, duke e dërguar kështu numrin e rasteve të vdekjeve në 1627.

Numri total i rasteve pozitive në Kosovë aktualisht është 71,344 nga gjithsej 319338 persona të testuar.

Me 386 pacientët e shëruar në 24 orët e fundit, numri i të shëruarve ka shkuar në 61014 raste.

Kështu numri i rasteve aktive në Kosovë është 8703.

“Brenda 24 orëve janë raportuar 7 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prizren 2 raste (78, 68 vjeç), Ferizaj 1 rast (68 vjeç), Gjakovë 1 rast (83 vjeç), Mitrovicë 1 rast (74 vjeç), Prishtinë 1 rast (70 vjeç) dhe Viti 1 rast (72 vjeç). Numri total i rasteve pozitive është 71.344 raste nga 319.338 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.627 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 386 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 61.014 raste, kurse numri i rasteve aktive është 8.703.”, thotë raporti i IKSHPK-së.

Këshilli i Eksperëve për pandeminë së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë po e vlerësojnë situatën epidemiologjike dhe është folur në media se mund të ketë shtrëngim të masave anti-Covid.

Por, në anën tjetër, gastronomët dhe hotelierët kanë paralajmëruar mos-respektim të masave dhe protesta në rast se Kosova i ashpërson ato. Por, këto kategori nuk janë vetëm pasi edhe kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka paralajmëruar protesta.

Në anën tjetër, sot kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ka deklaruar se asnjë ministri, asnjë qeveri dhe asnjë parti politike nuk ka të drejtë morale t’iu kërkojë qytetarëve respektim të masave rigoroze pas asaj që ka ndodhur në tubimet elektorale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat