Skandali me vota nga Haradinaj-Stublla, reagon edhe AKR-ja

Aktuale

Skandali me vota nga Haradinaj-Stublla, reagon edhe AKR-ja

Më: 6 mars 2021 Në ora: 22:48
Behgjet Pacolli

Sekretari i Përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli, ka reaguar pas skandalit për vjedhje të votave nga bashkëshorti i kryediplomates, Meliza Haradinaj-Stublla.

Makolli ka thënë se Manipulimi (vjedhja) e votave, është një ndërmarrje kriminale, dhe se AKR ka shprehur shqetësim menjëherë pas përmbylljes së votimeve.

Tutje, ai ka thënë se rinumërimi duhet të ndodhë dhe ky proces do të nxirrte në sipërfaqe manipuluesit e votave, të cilët pastaj do merrnin dënimin maksimal.

“Manipulimi (vjedhja) e votave, është një ndërmarrje kriminale. AKR-ja, shqetësimin për manipulimin e votave të kandidatëve e ka shprehur menjëherë pas përmbylljes së votimeve. Manipulimi i votave nga disa komisionerë të kriminalizuar mbetet sfida më e madhe e procesit zgjedhor demokratik. Rinumërimi duhet të ndodhë. Ky proces do të nxirrte në sipërfaqe manipuluesit e votave, të cilët pastaj do merrnin dënimin maksimal”, ka shkruar Makolli.

Ky reagim erdhi pas publikimit të hulumtimit, ku shihet se ministrja e Punëve të Jashtme në detyrë, Meliza Haradinaj Stublla, si duket nuk mori mjaftueshëm vota për të siguruar një ulëse në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Por ‘këtë problem’ e zgjidhi bashkëshorti i saj, Dardan Stublla, duke i blerë me 6 mijë euro katër komisionerë, të cilët i kanë dëmtuar dy kandidate tjera dhe kanë favorizuar Haradinaj Stubllën.

Media ka siguruar një video-incizim i cili zbulon përfshirjen e bashkëshortit të kryediplomates në një skandal të madh të manipulimit të votave.

Arbër Krasniqi, një nga të përfshirët në videoincizim, dëshmon se grupi i komisionerëve ka pasur marrëveshje me Stubllën që këtë manipulim votash ta bëjnë për gjashtë mijë euro, por ata kanë marrë vetëm katër mijë prej tyre.

Komisionerët në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve manipuluan me rezultatet, duke vjedhur votat e kandidates së AAK-së për deputete, Florentina Gjergjaj, e më pas edhe të Albana Bytyqit, vetëm e vetëm që t’ia sigurojnë votat e nevojshme për ulësen e deputetit kryediplomates në detyrë, Meliza Haradinaj Stublla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat