Nga vizita e Lajçak, vonesa me vaksinë, arrestime në polici nën dyshimin për prostitucion e vjedhje votash

Aktuale

Nga vizita e Lajçak, vonesa me vaksinë, arrestime në polici nën dyshimin për prostitucion e vjedhje votash

Më: 8 mars 2021 Në ora: 08:28
Lajçak

Javën që lamë pas vendin e ka vizituar i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Po ashtu javën e kaluar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Po ashtu, në vazhdën e aksioneve të javëve të fundit, javën që lamë pas janë arrestuar tetë zyrtarë policorë për keqpërdorim detyre, keqtrajtim dhe substanca narkotike.

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak javën e kaluar ka qëndruar për një vizitë treditore në Kosovë, ndërsa ka takuar zyrtarë shtetëror dhe ata partiak.

Lajçak pas takimit me ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani ka thënë se nuk sheh asnjë pengesë që dialogu mes Kosovës e Serbisë të mos përfundojë gjatë mandatit të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit.

Lajçak u shpreh se nuk mendon se ky është një proces që mund të marrë vite për të përfunduar, por që gjithsesi siç theksoi ai, duhet të ketë vullnet për dialog nga të dy palët.

“Dua të ju them se do të vazhdojmë, sa më shpejt që Kosova dhe Serbia të jenë të gatshme. Kjo çështje mund të përfundojë në disa muaj, por nuk është çështje vitesh. Nuk është mbi ne që ta shpejtojmë këtë çështje. Nuk do të ngutemi, U takon Kosovës e Serbisë që të vendosin sa shpejt duan të vazhdojnë, nëse duan të takohen në baza javore apo mujore. Ne nuk presim të zgjasë 3 apo 5 vjet nëse ka vullnet për këtë proces”, tha ai.

Lajçak foli edhe për hartën e cila ishte e vendosur në zyrën e tij, për të cilën tha edhe njëherë se është harta zyrtare e BE-së.

“Sa i përket hartës, besoj se kam sqaruar deri më tash. Një zyrtar i BE-së, mund të përdorë vetëm një hartë që është zyrtare nga BE-ja,  kjo është harta që na e kanë dhënë nga BE-ja. Aty është e qartë se ka një vijë ndarëse mes Kosovës e Serbisë. Kjo është edhe një dëshmi se duhet të ketë dialog, që të jetë harta e njëjtë, në fund të dialogut edhe në Prishtinë edhe në Beograd edhe në Bruksel. Besoj se mund ta përfundojmë këtë proces me një marrëveshje gjithëpërfshirëse gjatë mandatit të zotit Kurti dhe zonjës Osmani. Nuk shoh pengesa në këtë rrugë”, tha Lajçak.

Aleanca COVAX përmes një njoftimi për media ka publikuar listën e vendeve të cilat do të furnizohen me vaksina në periudhën mars-maj, ndërsa në mesin e këtyre vendeve është edhe Kosova.

Kosova në këtë periudhë kohore pritet të furnizohet me 100 mijë e 800 doza të vaksinës Astra Zeneca.

Në njoftimin për media të Aleancës COVAX thuhet se bazuar në njohuritë aktuale të disponueshmërisë së furnizimit, ky raund i parë i shpërndarjes siguron informacion mbi sigurimin e dozave të vaksinës së Oksfordit-AstraZeneca për shtetet pjesëmarrëse të programit COVAX, deri në maj të vitit 2021.

Raundi i parë paraqet në listën e mëposhtme shpërndarjen e 237 milionë dozave të vaksinës Oksford-AstraZeneca për 142 vendet pjesëmarrëse.

Kjo listë e publikuar nga programi COVAX pritet të azhurnohet deri në fund të javës për të siguruar afatet kohore për furnizimin e këtyre dozave, të ndara në shkurt-mars dhe prill-maj.

Këto afate kohore varen nga një sërë faktorësh, duke përfshirë kërkesat kombëtare dhe faktorë të tjerë.

KQZ me rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve: LVV 49.95 %, PDK 16.9 %, LDK 12.64 % dhe AAK 7.07 %

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 4 mars ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Lëvizja Vetëvendosje prin me 49.95 për qind, Partia Demokratike me 16.9 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me 12.64 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.07 për qind.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka në konferencën për media tha se pjesëmarrja e qytetarëve në këto zgjedhje ka qenë 48.78% nga 1 milionë e 851 mijë e 927 qytetarë me të drejtë vote.

“Numri i votuesve që kanë votuar brenda vendvotimeve ka qenë 814 mijë e 122 votues, numri i votuesve të cilët kanë votuar jashtë vendvotimit me kusht dhe me postë ka qenë 89 mijë e 257”, tha Daka.

Ajo shtoi se LVV do t’i ketë 58 deputetë, PDK do t’i ketë 19 deputetë, LDK do t’i ketë 15 deputetë, AAK do t’i ketë 8 dhe Lista Serbe 10 deputetë.

Në vazhdën e aksioneve të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, është edhe aksioni i së premtes ku janë arrestuar tetë zyrtarë policorë, të cilët dyshohen për keqpërdorim të pozitës, keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës, ushtrim ndikimi dhe blerje ose shpërndarje të substancave narkotike.

Personat e arrestuar janë me inicialet; D.M, M.G, V.F, V.B, V.SH, R.S, B.J dhe M.K.

“Në aksionin e sotëm të zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) në orët e hershme të mëngjesit janë arrestuar tetë persona, zyrtar policor të cilët dyshohen për veprat penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, sipas nenit 414 të KPRK-së, ‘Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës ose autorizimeve publike’ neni 195, ‘Ushtrimi i ndikimit’ neni 424, si dhe ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave narkotike’ sipas nenit 267”.

Në njoftim thuhet se aksioni është realizuar edhe falë bashkëpunimit të qytetarëve me Prokurorin e Shtetit dhe IPK-në.?

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi në konferencën për media ka bërë të ditur detajet sesi u zbuluan tetë zyrtarët policorë të arrestuar sot, e që dyshohet se janë të përfshirë në vepra të ndryshme penale.

Lumezi shtoi se Prokuroria fillimisht ishte duke kryer përgjime ndaj disa personave të tjerë për një vepër tjetër penale ku gjatë rrugës kanë marrë informacione se një zyrtar policor është i përfshirë.

“Sa i përket rastit të sotëm këtu kemi fillu përmes përgjimeve, kemi qenë duke përgjuar disa persona për një vepër tjetër penale që nuk kanë qenë të përfshirë  zyrtarët policor dhe gjatë atij përgjimi kemi marrë informacione që edhe dikush nga zyrtarët policor është i involvuar në kryerjen e veprës penale dhe kjo mandej nga ka detyruar që të nxjerrim aktvendimin për zgjerimin e hetimeve dhe kemi arritur në këto informacione që sot prezantuam para jush”, tha Lumezi para gazetarëve. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat