Kush po u dërgon mesazh kandidatëve të LDK-së?

Aktuale

Kush po u dërgon mesazh kandidatëve të LDK-së?

Nga: A.M. Më: 10 mars 2021 Në ora: 20:09
LDK

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valon Murtezaj i ka dërguar një mesazh kandidatëve të cilët kanë shpallur kandidaturën për të parin e LDK-së.

Ai në postimin e tij në Facebook, ka shkruar se secili që pretendon që të bëhet kryetar i LDK-së duhet t`ia parashtroj vetës dy pyetje.

“Kush jam unë? Çfarë dua unë me LDK-në?

Dhe t’i jap përgjigjet dhe zgjidhjet e duhura e të vërteta, me ndërgjegje të thellë njerëzore”, ka shkrua ai në Facebook.

Po ashtu, ai ka treguar se cili është testi i vërtetë i LDK-së.

Në fund, Murtezaj i ka uruar suksese kandidatëve të cilët do të marrin pjesë në garën për kryetarë të LDK-së.

Postimi i plotë:                           

Mesazh për zgjedhjen e Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës

Lidhja Demokratike e Kosovës, është parti e Kosovës, shqiptare, e para demokratike, në këtë pjesë të Evropës dhe të botës.

Lidhja Demokratike e Kosovës është evropiane. Është parti popullore.

Votuesi i Lidhje Demokratike të Kosovës është shpirtgjerë.

Secili dhe secila që synon kreun e LDK-së, dhe secila dhe secili që voton për Kryetarin e LDK-së, duhet t’ia bëjë dy pyetje vetes:

Kush jam unë? Çfarë dua unë me LDK-në?

Dhe t’i jap përgjigjet dhe zgjidhjet e duhura e të vërteta, me ndërgjegje të thellë njerëzore.

Sepse, është e rëndësishmja ajo që, secili të bëj një vet-vlerësim dhe vet-rregullim individual, para se të kalojë në arenën e përpjekjeve për të rregulluar çështjet në kontekst organizativ dhe kolektiv.

Sfidat janë të mëdha. Nuk do të jetë pozitë komforte, dhe nuk duhet të ndjehet si e tillë.

Pastaj, janë edhe disa pyetje tjera që ju bëhen:

Ku do ta çoni LDK-në? Cilës rrugë do t’i biesh?

Lidhja Demokratike e Kosovës duhet t’ia jap burrështetasin Republikës së Kosovës. Liderin me lidership për të ardhmen.

Kjo është çështja. Ky është testi i vërtetë.

Lideri duhet t’i jap LDK-së, jo t’i marr LDK-së.

Lideri i vërtetë nuk del nga një nominim, një votim, apo një emërim.

LDK-ja ka nevojë për një lider para së gjithash të mençur e patriot.

Lider me guxim të pjekur, pra, me kurajo të maturuar.

LDK-së i duhet një anti-populist i vërtetë. Kosova ka nevojë për politikanë jopopulistë.

Duhet shumë komunikim, duhet shumë kapacitet njerëzor, mbi të gjitha vlera humaniste.

Mos të harrojmë asnjëherë: me rolin prijës të Lidhjes Demokratike te Kosovës është krijuar shteti i Kosovës.

Kur LDK është e fortë, demokracia në Kosovë është më e fortë.

Kur LDK është e fuqishme, Kosova është më e fuqishme.

Vizioni i prijësit historik Ibrahim Rugova i para tre dekadave jeton edhe sot.

Ky vizion, i lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, i aleancave me vlera perëndimore, do të jetojë përgjithmonë. Sepse, mbi të gjitha, është vizion për njeriun e Kosovës. Vizion për të gjithë qytatarët pa asnjë dallim.

LDK-ja veç e madhe mund të jetë.

Nga Ju varet shumë fati i LDK-së, dhe i yni, e i Kosovës.

Suksese në garë, kolegë e miq të dashur, ju uroj ndërgjegje të pastër dhe punë të mbarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat